Plumbi, rreziku i të qenit i pasur?!

Rreth 143 000 vdekje në vit në botë i atribuohen ekspozimit ndaj plumbit, një shifër kjo vërtetë e frikshme po të shtojmë edhe rastet e sëmundjeve të shumta që e kanë zanafillën nga një ekspozim i tillë

Nga: Alisa Peçi

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth 143 000 vdekje në vit në botë i atribuohen ekspozimit ndaj plumbit, një shifër kjo vërtetë e frikshme po të shtojmë edhe rastet e sëmundjeve të shumta që e kanë zanafillën nga një ekspozim i tillë.

bebe 1Pikërisht për të ndërgjegjësuar shoqërinë mbi helmimin nga plumbi dhe mënyrat e parandalimit, më 22 tetor u zhvillua një takim në mjediset pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Lindita Tafaj, nga Instituti i Shëndetit Publik, u shpreh se “duke qenë se plumbi është nga helmet më flagrante, ku ekspozimi edhe në nivelet më të ulëta të tij është mjaft problematik, duhet rritur shkalla e informimit dhe ndërgjegjësimit shoqëror mbi këtë çështje”.

Ekspertja e mjedisit, Mirela Buhuri, prezantoi “Riskun e ekspozimit nga kimikatet në këndvështrimin social” duke e vënë theksin tek mungesa e kushteve sociale, ekonomike (jetesa në mjedise shumë të ndotura), e cila i bën disa fëmijë më të ekspozuar nga kimikatet. Ndërsa ndodh e kundërta me ekspozimin ndaj plumbit.

“Familjet të cilat janë të pasura, janë më të ekspozuara ndaj plumbit, si rrjedhojë e shumëllojshmërisë së ngjyrave në banesat e tyre”, shtoi më tej Buhuri.

Pikërisht këto bojëra të cilat i japin kaq bukuri mjediseve ku jetojmë mbartin në vetvete shumë plumb, që është mjaft i dëmshëm, sidomos për fëmijët.

Java Ndërkombëtare për Parandalimin e Helmimeve nga Plumbi (19-25 Tetor) është një nismë e Aleancës Globale dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të sjellë në vëmendje eliminimin e helmimit nga plumbi.

Plumbi është një element kimik i rrezikshëm, i cili ka një përhapje të gjerë në produktet që përdorim në përditshmërinë tonë. Ai gjendet tek: karburanti, bojërat, ambalazhet ushqimore (kanaçe), lodrat e fëmijëve, kozmetika, kancelaritë, ilaçet bimore, mbetjet elektronike etj. Ai gjendet madje dhe në sistemet e ujit të pijshëm (tuba me përmbajtje plumbi).

bebi ha botenDjegia e mbetjeve në mjedise të hapura, të cilat çlirojnë plumb, është një burim tjetër mjedisor i ekspozimit ndaj plumbit.

Mjaft problematike mbetet ekspozimi i fëmijëve ndaj plumbit për shkak të përmasës trupore të tyre të vogël, ecjes së tyre përdhe, afrimit të objekteve në gojë etj. Gëlltitja mbetet në fakt rruga më e shpeshtë e ekspozimit të fëmijëve nga plumbi. Studime të fundit kanë evidentuar se madje edhe nivelet e ulëta të plumbit në gjak, që më parë nuk konsideroheshin problematike, dëmtojnë shëndetin dhe shumë organe të fëmijës.

Një problem mjaft shqetësues është plumbi që gjendet në bojëra. Problemet me bojërat me plumb nuk konsistojnë shumë gjatë lyerjes me bojë sesa si rezultat i vjetërimit të cipave të tyre. Këto shpërbëhen, duke u bërë burim ekspozimi ndaj plumbit për një kohë shumë të gjatë (deri 50-75 vite).

Aktualisht  sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 824, dt. 11.12.2003 “Për klasifikimin, ambalazhimin, etiketimin dhe ruajtjen e substancave dhe të preparatëve të rrezikshme” janë përcaktuar qartë udhëzimet për preparatet që përmbajnë plumb:

Bojra dhe llaqe – Etiketa e ambalazheve të bojërave dhe llaqeve që përmbajnë plumb (Pb) në sasi më të madhe se 0,155, e shprehur si peshë e metalit kundrejt peshës së përgjithshme të preparatit,  duhet të përmbajë udhëzimet e mëposhtme: “Përmban plumb, të mbahet larg fëmijëve.”

Në rastin e ambalazheve që përmbajnë më pak se 125 ml preparat, udhëzimi të jetë: “Kujdes! Përmban plumb”.

Ndërsa mbetet ende në nivele të ulta ndërgjegjësimi i shoqërisë tonë mbi leximin e etiketave dhe si rrjedhojë shkalla e ekspozimit ndaj plumbit në bojëra mbetet e madhe.

Rreziku i plumbit tek fëmijët

Problemi më i madh i toksicitetit të plumbit në nivele të ulëta në mitër dhe gjatë fëmijërisë është dëmtimi i zhvillimit të trurit dhe sistemit nervor. Si rrjedhojë e ekspozimit ndaj plumbit në fëmijëri, pasojat e dëmtimit të trurit janë: humbja e inteligjencës, shpërqendrimi dhe çrregullimi i sjelljes. Këto sjellin pasoja psikologjike dhe sociale që shkaktojnë ulje të funksionit të trurit dhe reduktim të arritjeve të fëmijës, që e shoqërojnë përgjatë gjithë jetës.

 

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Miopia - pandemia e shekullit 21! Okulisti: Alarmante tek fëmijët, ja shkaku
Si ndikon koha para ekranit në zhvillimin e trurit të fëmijëve
9 gjërat që çdo prind i ri duhet të dijë, sipas mamive
Autizmi virtual, fëmijë me vonesa në zhvillim e të folur për shkak të “celularit në dorë”
Studimi: Kujdes me antibiotikët te fëmijët e vegjël, shkaktojnë edhe obezitet!
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
A kanë fëmijët dhimbje koke nga migrena? Çfarë duhet të dinë prindërit