Denisa Canameti / Shendeti Online dhe gazeta Shëndet+
Në kuadër të kërkesës/nevojës për rivlerësim të legjislacionit për përgjegjësitë penale të mjekëve gjatë ofrimit të shërbimit mjekësor, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka organizuar disa takime me grupet e interesit. Takimi i fundit ishte ai me shoqatat e profesionistëve para dy ditësh, ku u diskutua në lidhje me propozimet për rishikimin e dispozitave të caktuara të Kodit Penal të Shqipërisë.
Sipas deklaratës së Ministrisë, pas takimit, fryma e përgjithshme e kërkesës së komunitetit të profesionistëve të shëndetit është që disa masa ndëshkuese që penalizojnë mjekët në kryerjen e detyrës të hiqen nga dispozitat e Kodit Penal.
Nga ana e saj, Ministria e Shëndetësisë ka bërë propozimet e veta për ndryshimet në Kod:
Neni 96 riformulohet me këtë përmbajtje:
Shkelja e etikës mjekësore dhe trajtimi mjekësor alternative
Veprimi apo mosveprimi i mjekut në kundërshtim me kërkesat e kodit të etikës profesionale, duke shkaktuar dëmtim të konsiderueshëm të shëndetit të pacientit, dënohet me gjobë, heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe me shpërblimin e dëmit të shkaktuar pacientit.
Veprimi apo mosveprimi i punonjësve të tjerë mjekësorë, të cilët gjatë kryerjes së detyrave kanë vepruar në kundërshtim me kërkesat e kodit të etikës profesionale, duke shkaktuar dëmtim të konsiderueshëm të shëndetit të pacientit, dënohet me gjobë, heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe me shpërblimin e dëmit të shkaktuar të pacientit.
Ushtrimi i mjekësisë alternative, pa autorizimin përkatës të autoriteteve shëndetësore, kur i ka shkaktuar një dëmtim të konsiderueshëm shëndetit të pacientit, dënohet me gjobë, heqje të së drejtës së ushtrimit të profesionit dhe me shpërblime dëmit të shkaktuar.
Pas nenit 96, shtohen nenet 96/a, 96/b, 96/c, 96ç, 96/d, 96/dh, me përmbajtje si më poshtë vijon:
Ky propozim ka hasur në kundërshtinë e mjekëve të cilët kanë shprehur qëndrimin përmes një memorandumi, i cili është firmosur nga 1200 mjekë në rrethe dhe në Tiranë. Lënda e memorandumit: “Iniciativë publike për abrogimin e nenit 96 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe për krijimin e bazës ligjore për trajtimin e përgjegjësive të profesionistëve të sistemit shëndetësor dhe pasojave që lindin prej tyre”.
Në përmbajtjen e këtij memorandumi, midis të tjerash theksohet se:
Konstatojmë me shqetësim mungesën e një përkufizimi të saktë mjeko-ligjor të termit gabim mjekësor apo mjekim i gabuar si në ligjin 10 107 datë 30/09/2009 (për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë) dhe në Ligjin 123/2014 (Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë) dhe në Ligjin 9718 datë 19/04/2007 (për Urdhrin e Infermierëve në Republikën e Shqipërisë ) dhe në Ligjin Nr. 9150 datë 30.10/2003 (për Urdhrin e Farmacistit në Republikën e Shqipërisë). Përveç kësaj, konstatojmë dhe një mungesë të plotë të njohjes, vlerësimit dhe ndarjes së përgjegjësive në lidhje me këto çështje shumë delikate për shëndetin e shqiptarëve dhe për profesionin tonë.
Në fund të memorandumit përcillen disa sugjerime mbi ndryshimet ligjorë të nevojshme.
Nevojitet abrogimi i nenit 96 të Kodit Penal. Gabimi mjekësor duhet konsideruar njerëzor ose kontraktual, duke respektuar nenin 27 pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Në ato raste të rralla, kur mjeku në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa asnjë justifikim etik apo logjik, në cilësinë e personit që kryen një faj apo një krim dhe ka shkaktuar vdekjen e pacientit, jashtë kornizës së profesionit mjekësor, ky mjek apo punonjës të gjykohet si çdo shtetas tjetër, përmes neneve të tjera të Kodit Penal, të cilat gjykojnë dëmtimet fizike apo vrasjen pa dashje apo me paramendim.
Në të gjitha rastet e gabimeve mjekësore (apo mjekimit të gabuar) duhet të merret së pari në konsideratë vlerësimi dhe opinion mjekësor për çështjen në tërësi nga Urdhrat Profesionale përkatës (mjeku, infermieri, farmacisti), duke kërkuar nga këto institucione profesionale jo vetëm gjykimin e ngjarjes nga ana mjekësore (etike dhe profesionale), por edhe shprehjen dhe përfaqësimin juridik të mjekut të akuzuar, duke paraqitur edhe të gjithë aktivitetin e tij etik dhe profesional përgjatë gjithë karrierës së tij. (Referencë: ligji Balduzzi I 2012 dhe Gelli I 2016 I Republikës së Italisë- conform normave të Komunitetit Evropian.
Në të gjitha rastet e gabimeve mjekësore, kur mjeku apo profesionisti pavarësisht faktit që ka ndjekur të gjitha rregullat dhe protokollet etike dhe profesionale por fatkeqësisht kanë ndodhur problematika nga gjymtimi deri në vdekje të pacientit, në këto raste mjeku nuk mund të mbajë përgjegjësi.
Në rastet e gabimeve mjekësore, kur mjeku ka devijuar pa arsye apo justifikim etiko-profesional, nga rregullat dhe protokollet etike dhe profesionale, duke shkaktuar fatkeqësisht gjymtime deri në vdekje të pacientit. Urdhrat profesionale përcaktojnë penalizimet për mjekun dhe personelin tjetrën shëndetësor, sipas rëndësisë së gabimit, nga rikualifikimet e deri në masën ekstreme të largimit nga puna dhe heqjen e së drejtës së profesionit. Një masë e tillë është e barazvlefshme me heqjen e lirisë.
Të gjithë pacientët kanë të drejtën e kërkesës së dëmshpërblimit për shërbimin e munguar apo individualizmin e tyre, proces që duhet të vlerësohet nga komisionet e ngritura në bashkëpunim me mjekësinë ligjore. Vlerësimi i këtij procesi duhet të shtrihet në një periudhë jo më të gjatë se 3-5 vite. Përgjegjës për dëmtimin financiar janë institucionet ku realizojnë aktivitetin e tyre mjekët apo personeli tjetër.


