Dhuna në familje ndikon negativisht edhe në zhvillimin psiko-emocional të fëmijës, duke shkaktuar probleme në funksionimin e përditshëm të tij
Bisedoi: Aishe Thartori
Sipas psikologes, Orjola Plaku, dhuna është një fenomen tepër i pranishëm në një shoqëri patriarkale siçe jona. Të trashëguarit e një kulture maskiliste ku mashkulli është dominues, shpeshherëbëhet shkak i dhunës në familje. Kjo dhunë, sipas psikologes Plaku, shfaqet në forma dhe përmasa të mëdha sidomos në zonat rurale ku ka mungesë informacioni dhe faktori i nënshtrimit është edhe më i madh.
Sa e pranishme është dhuna në shoqërinë shqiptare?
Dhuna është një fenomen që ndeshet shpesh në shoqërinë shqiptare.Nuk i referohem thjesht dhunës fizike, por edhe asaj psikologjike. Fillimisht, lind nevoja për të përcaktuar termin dhunë fizike. Kjo nënkupton rrahje në mënyrë sistematike të personit tjetër, duke dhunuar të drejtën dhe personalitetinetij. Dhuna ndeshet brenda familjes dhe bëhet shkak i fundit në një marrëdhënie.
Në zonat rurale gjendet në nivele më të larta, pasi mungesa e informacionit dhe faktori “nënshtrim” tek gruaja mbizotëron, ndërsa përsa i përket metropolit, përballja me institucionet dhe kërkimi i ndihmës bëhet në mënyrë më të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë nga vetë gruaja.
Cilët janë faktorët që çojnë drejt ushtrimit të dhunës dhe në çfarë formash shfaqet?
Kultura jonë është tepër maskiliste dhe më tepër favorizuese dhe mbështetëse ndaj kësaj gjinie. Psikologjikisht ndodh që mashkulli duhet të ndihet dominant ndaj një femre, nevoja patologjike për të mbizotëruar në një marrëdhënie shfaqet dukshëm tek meshkujt shqiptarë. Faktorët që nxisin dhunën janë të shumtë,ndër këto faktori kryesor është ai ekonomik, pastaj xhelozia në çift apo mospërshtatja me njëri –tjetrin. Dhuna ndaj gjinisë femërore mund të shfaqet ne dy forma: dhunë fizike e cila paraqitet në formën e shkuljes së flokëve, shenjave në trup nga goditja dhe në formën e dhunës psikologjike, e cila shprehet nëpërmjet ofendimit të vazhdueshëm të partneres, mungesës së respektit ndaj rolit të gruas, xhelozisë së theksuar, violencës dhe agresionit në komunikim.
Si reflektohet kjo dhunë tek personat që e përjetojnë?
Individët e dhunuar paraqesin vetëvlerësim të ulët dhe kanë pasiguri të theksuar për të vepruar. Ndjenjat e inferioritet janë mbizotëruese tek ta. Përjetimet e forta psikologjike edhe emocionale shkaktojnë tek femrat edhe tentativa vetëvrasjeje dhe nivele të moderuara të depresionit.
Po në familje, konkretisht fëmijët a dëmtohen në një ambient të tillë të dhunshëm?
Fëmijët janë faturuesit e dështimit të një marrëdhënie prindërore. Përpos problemeve emocionale që ata mbartin, ku evidentohet mungesa e ngrohtësisë familjare, ata do të jenë të prirur gjithashtu për të ndërtuar marrëdhënie të pasigurta edhe në të ardhmen.
Mjedisi i dhunshëm ndikon negativisht në zhvillimin psiko-emocional të fëmijës, duke shkaktuar probleme në funksionimin e përditshëm, duke ulur nivelin e kënaqësisë gjatë lojës, duke induktuar doza të forta negativiteti duke e parë kështu botën në një këndvështrim tjetër.
A merr dhunuesi pjesë në seanca terapie?
Duke qenë se psikologu është bërë pjesë e domosdoshme në proceset gjyqësore që lidhen me të miturit, birësimet dhe zgjidhjet e martesave,realizohet vetëm një vlerësim psikologjik i paanshëm duke dhënë një mendim të specializuar për çështjet në fjalë.Është në konflikt interesi të kryesh seanca terapeutike apo këshillim individual për përfitim personal gjatë procesit gjyqësor. Nëse klienti pasi ka përfunduar procesi gjyqësor, kërkon ndihmë, referohet tek terapisti i nevojshëm.
Gjykoj se gratë e dhunuara duhet të kërkojnë shërbimin e posaçëm nëpër organizata që mbështesin të drejtat e tyre.
Cila është mënyra për të bërë një çift të reflektojë mbi sjelljen e tyre?
Nuk ka ndonjë formulë magjike për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme në çift. Debatet në çift janë edhe konstruktive dhe shërbejnë për të pasur dinamikë brenda marrëdhënies. Mendoj se çiftet duhet të zhvillojnë një partneritet të vetëdijshëm,ku të mund të reflektojnë duke parë anën pozitive dhe negative të një marrëdhënieje. Nëse një marrëdhënie ka përfunduar dhe ka arritur në atë pikë që bashkëshortja dhunohet, gjykoj se ka mbaruar si bashkëjetesë pasi mbart me mijëra konflikte si të brendshme, ashtu edhe të jashtme. Martesën nuk e mban dot gjallë një fëmijë. Duhet të jetë pikërisht çifti që funksionon normalisht.


