Nga Dr. Shk. Sotiraq Lako
(Hematolog)
Kur thua Anemia nga deficiti i hekurit, nga vetë emri e kupton nga vjen anemia, vjen se të mungon hekuri. Diskutimi është për shkakun/shkaqet e mungesës së hekurit. Në fillim instalohet Deficiti i Hekurit dhe me pas mundet (ose jo) Anemia. Anemia nga mungesa e hekurit, është pasojë e mungesës së Hekurit. Shumica e pacienteve kanë deficit të hekurit (pra ferritinemia e ulur dhe hemoglobina normale) dhe një pjesë dhe Anemia (hemoglobine e ulët/ferritinemia e ulur).
Shkurt kur ke Anemi nga mungesa e hekurit, “e ke ne xhep” mungesën e hekurit, por nuk është njëlloj e kundërta.
1) Në fillim instalohet mungesa e hekurit me dy nënfaza:
- a) Faza prelatente – Ferritinemia e ulur dhe Sideremia (dhe hemoglobina normale).
- b) Faza Latente – Ferritinemia e ulur dhe Sideremia e ulur (dhe hemoglobina normale) – këtu fillon frenimi i eritropoiezes (prodhimi i eritrociteve, për shkak të mungesës të një nga lëndët e para për prodhimin e hemoglobinës, hekurit).
2) Dhe me pas mund te instalohet ose jo (në varësi të ndërhyrjes) dhe Anemia nga Mungesa e Hekurit = hemoglobinë e ulët, sideremia e ulur, ferritinemia e ulur.
Qëllimi është ta kapesh problemin në fazën e deficitit të hekurit, pa u instaluar anemia. Po u instalua anemia, do të shtohet klinika e anemise dhe do të dyfishohet koha e mjekimit.
Kur ke vetëm Deficit të Hekurit, ke vetëm një sëmundje, kur ke Anemi nga Deficiti i Hekurit, ke dy sëmundje, Anemia dhe Deficiti i Hekurit.
Mungesa e Hekurit, për rrjedhoje dhe Anemia nga Mungesa e Hekurit është problemi mjekësor më i përhapur në praktikën mjekësore. Sidomos për femrat në periudhën riprodhuese, për shkak të humbjeve të përsëritur të gjakut (hekurit) nga menstruacionet, mbikonsumimi i shtatezanisë dhe humbja e hekurit me anë të qumështit në laktacion (përveç që mund të ketë dhe shkaqe të tjera).
Shumë laboratorë e kanë si vlerë minimle normale te ferritinemia tek femrat adulte 13 ng/ml. Kjo është vlera kur fillon anemia. Duhet të presim të instalohet anemia, apo mund ta trajtojme problemin në fazën e Deficitit te Hekurit, pa u shtuar ankesat e anemisë dhe te shtohet kohezgjatja e mjekimit. Disa vende kanë kufi ferritinemia 15 ng/ml.
Sipas OBSH, vlera minimale normale e Deficitit te Hekurit për femrat adulte është 20 ng/ml. Unë mbaj këtë kufi (është më lehtë të mjekosh një sëmundje, se dy).
Në Kongresin e Fundit të Shoqatës së Hematologëve në SHBA, një prezantim vlerëson se mbajtja në praktikë e një kufiri më të lartë, 25 ng/ml, për ta vlerësuar sa me shpejt Deficitin e Hekurit, pra për të zbuluar dhe nëse ke mundësi të eleminosh shkakun/shkaqet dhe t’a mjekosh pa u instaluar anemia. Dhe kjo është më shumë kosto-efektive se kur ke dhe anemi. Me shumë kohëzgjatje mjekimi, më shumë kosto, më shumë efekte të mundshme anësore nga mjekimi, cilësi më pak e mirë e jetës (për shkak të klinikës dhe te anemisë dhe të kohëzgjatjes së mjekimit).

