Kryeministri Edi Rama, ditën e sotme (24 dhjetor) së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, kanë zhvilluar inspektime në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë, ndërsa kanë parë edhe ambientet e Spitalit Onkologjik.
Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij është shprehur se për barnat onkologjike do të jepen 15 milione euro nga buxheti i shtetit, ndërsa në mesin e vitit të ardhshëm do t’i shtohen edhe 15 milionë euro të tjera.
Gjithashtu, kryeministri Rama shtoi se kjo do të sjellë një rimbursim domethënës të barnave onkologjike, rreth 400 mijë pacientë.
“Përsa i përket vitit që vjen, ne kemi disa gjëra pozitive për shëndetësinë, e cila faktikisht ka marrë 50 milionë euro më shumë sesa këtë vit. Nuk janë pak për buxhetin tonë dhe ka marrë 15 milionë euro ekstra vetëm për barnat onkologjike, shumë së cilës do t’i shtohet edhe një 15 milionësh tjetër në mesin e vitit të ardhshëm për të pasur një rimbursim domethënës të barnave onkologjike, në shërbimin parësor dhe për ta siguruar mbulimin me barna në të gjithë sistemin onkologjik, të cilin do ta transformojmë faktikisht në mënyrë që gjithë presioni i madh që vjen mbi onkologjikun në Tiranë, të shpërndahet me rijetëzimin e sistemit në spitalet rajonale, duke garantuar që protokollet dhe i gjithë mbulimi me barna, të jenë garanci për pacientët në të gjithë territorin.
Faktikisht, kemi vendosur në buxhet kapacitet domethënës për të rimbursuar 400 mijë pacientë, se flasin shumë njerëzit, “jo po kur është shëndetësia falas”, “jo ku është shëndetësia falas”, po faktikisht gjithë këto gjëra që ndodhin këtu janë pjesë e këtij vizioni edhe faktikisht janë krejt ndryshe nga si ndodh në vende të tjera.
Më tutje, patjetër që do të vazhdojmë me transformimin e QSUNT-së për të mbyllur edhe çfarë ka mbetur pa u mbyllur, ndërkohë që ambicia është për të për të ngritur Institutin Kombëtar të Tumoreve dhe për të pasur një rrjet kombëtar për të adresuar këtë problem që bëhet gjithmonë e më i madh, jo në Shqipëri, por kudo ku kanceri po prek gjithmonë e më shumë njerëz.
Ndërkohë që, ju e dini tani, por do vazhdojmë të rrisim pagat për mjekët, edhe patjetër do vazhdojmë të rrisim pagat edhe për infermierët. Faktikisht do të rritet 135 euro në muaj dhe në ndërkohë është vendosur edhe diçka tjetër për herë të parë, që nuk e kemi patur mundësinë ta vendosim përpara që do të bëjmë dhe një vlerësim në punë”, tha Rama.
