Denisa Canameti, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online
Rënia e menjëhershme e dëgjimit mund të shoqërojë patologji të ndryshme që nga infeksionet e veshit të mesëm apo daulles së veshit, virozat e traktit të sipërm respirator, sinusitet akute e deri në dëmtimet e rënda të nervit të dëgjimit në traumat e menjëhershme akustike, të cilat kërkojnë vizitë të menjëhershme te mjeku specialist dhe një diagnozë sa më të saktë.
Anjeza Kuçi, mjeke otorinolaringologe (ORL), shpjegon se ka raste kur bllokimi i veshit nga dylli, për shembull pas dushit apo futjes së ujit në vesh janë evidente edhe për pacientin, por nuk është gjithmonë kështu. Asnjëherë pacienti nuk duhet të vejë vetë diagnozën dhe të presë se gjërat mund të ndryshojnë. Në rënien e menjëhershme dhe të thellë të dëgjimit koha është vendimtare në rekuperim. Dëgjimi është një shqisë e rëndësishme, që na lidh me botën e jashtme ashtu si shqisat e tjera, pa të cilin nuk mund të funksionojmë si të plotë: Mbrojeni atë!
Doktoresha, sa shqetësuese është rënia e menjëhershme e dëgjimit, cilat janë shkaqet?
Rënia e menjëhershme e dëgjimit është një nga shqetësimet më të mëdha, me të cilat përballemi në shërbimet tona. Është shqetësuese për ne dhe për pacientët tanë. Shkaqet e rënies janë të ndryshme dhe patologjitë që i shoqërojnë variojnë në jo serioze deri në ato me komplikacione të mëvonshme.
Shenjat klinike
Një grup pacientësh paraqiten me bllokim të menjëhershëm të dëgjimit pas futjes në dush dhe futjes së ujit në vesh.
Përgjithësisht në këto raste kemi një çrregullim në funksionimin e gjendrave të prodhimit të dyllit dhe të yndyrës në kanalin e jashtëm të dëgjimit, të cilat janë përgjegjëse për mbajtjen e veshit të pastër.
Kjo është arsyeja pse shpesh ne ju themi pacienteve se: veshi pastrohet vete dhe nuk ka nevoje te perdorim mjete rrethanore, qofte edhe batonetat pastruese, të cilat më shumë e shtyjnë dyllin drejt membranes timpanike dhe japin bllokim të menjëhershëm të dëgjimit.
Në rastin e disekuilibrit të dy gjendrave të mësipërme ndodh hiperprodhueshmeri e dyllit dhe bllokim i veshit si rezultat i futjes së ujit në vesh dhe bymimit të masës së dyllit. Kjo rënie dëgjimi mund të shoqërohet edhe me dhimbje veshi.
Për ne mjekët ORL bllokimi i veshit pas daljes nga dushi apo nga futja e ujit në vesh është një nga problemet më të vogla dhe më të zgjidhshme. Mjafton të bëhet lavazhi i veshit apo edhe aspirimi në rastet e një veshi me probleme të mëparshme, infeksione të kaluara apo edhe me daulle të perforuar (të çarë) dhe rikuperimi i dëgjimit është i menjëhershëm. Këshillat që ju japim pacientëve me këto çrregullime janë të rëndësishme, ata nuk duhet të shqetësohen sepse nje vesh i tillë nuk është i sëmurë.
Cilat janë pasojat e « trajtimit » në kushte shtëpie, nga vetë pacientët, me mjete rrethanore?
Në rastin e hiperprodhueshmërisë së dyllit apo edhe në rastin e dyllit të thatë asnjëherë nuk duhet të përdorim pastruesit e veshit që shiten rëndom në treg, ato nuk bëjnë asgjë tjetër veçse e shtyjnë dyllin në drejtim të daulles së veshit.
Ka raste kur nga trauma të këtij lloji mund të kemi edhe çarje të daulles, që shoqërohet me hemorragji në kanal. Komplikacionet e mëvonshme janë në varësi të madhësisë së çarjes së membranes timpanike. Ka raste kur gjendrat e prodhimit të dyllit, si rezultat i çrregullimit të funksionit të tyre nuk arrijnë të prodhojnë dyllë dhe kjo shoqërohet edhe me kruarje të vazhdueshme të kanalit të jashtëm të dëgjimit. Pacientët e kruajnë veshin me mjete rrethanore deri në shtiza, çelësa etj. Vizita te mjeku ORL përcakton nëse kemi të bëjmë me një çrregullim të tillë dhe masat që duhet të marrim, të elemininojme kruarjen e veshit me mjete rrethanore dhe të përdorim solucione me përbërje vajore për lubrifikimi e kanalit dhe qetësimin e ndjesisë së kruarjes.
Po pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera?
Një grup pacientësh janë edhe moshat e treta apo edhe pacientet hipertensive, të shoqëruar apo jo me sëmundje të tjera sistemike si diabeti, yndyrnat e larta apo problemet reumatizmale, të cilën mund të zgjohen në mëngjes me shurdhësi të plotë nga njëri vesh. Në këto raste vizita te mjeku orl duhet të jetë e menjëhershme. Pas një ekzaminimi të veshit në mungesë të shenjave të një infeksioni, si rezultat i një problemi hipertensiv gjatë natën mund të ketë ndodhur një trombozë e enës së gjakut që furnizon veshin dhe kjo diagnozë është e vështirë ndonjëherë të bëhet edhe me rezonancën magnetike të kokës. Në matjen e dëgjimit rezulton një shurdhësi e plotë ose rënie e thellë e dëgjimit nga njëri vesh.
Terapia medikamentoze
Terapia medikamentoze është e menjëhershme dhe ndonjëherë për shkak të sëmundjeve sistemike si hipertensioni dhe diabeti pacientët duhen hospitalizuar për të marrë terapinë me dozë të lartë kortizonikësh dhe vazodilatatorësh.
Në rastet e pacientëve që frekuentojnë jetën e natës dhe ambjentet me muzikë të lartë, kemi këshilla të tjera.
Sipas OBSH niveli i zhurmës së lejuar që të mos shoqërohet me çrregullime në sistemin e dëgjimit dhe në organizmin e njeriut është 55 decibel. Në Tiranë niveli mesatar është afërsisht 71 decibel dhe ka zona të caktuara që e kalojnë këtë prag. Ndotja akustike shoqërohet me rënie të dëgjimit, ulje të përqëndrimit, ulje të nivelit intelektual tek të rinjtë e deri në probleme të sferës psikiatrike si depresione apo edhe gjendje ankthi. Fatkeqësisht jemi të rrethuar nga ndotja akustike në shumë ambjente ku jetojmë.
Kujdes!
Kujdes duhet pasur te pacientët me probleme sistemike si hipertensioni sepse zhurmat e forta gjatë natës mund të shoqërohen edhe me kriza hipertensive, si rezultat i zgjimit të menjëhershëm dhe frikës në zgjim që gjeneron një proces stresi.
Në një Tiranë që po ndërtohet është e pamundur të shpëtojmë nga zhurmat dhe ndotja akustike gjatë procesit të ndërtimit, por në amjentet e tjera duhet të mundohemi të ruajmë dëgjimin tonë. Në ambjentet e mbyllura me muzike me volumin e lartë shkalla e ndotjes akustike rritet frikshëm dhe niveli i zhurmës është mbi 85 decibel. Pas orësh të tilla nervit të dëgjimit i duhen 24 orë për të rikuperuar dhe ndoshta ditën tjetër të gjithë mund të kemi ndier një zhurmë të lehtë konstante ose një ndjenjë rëndimi në vesh.
Pas 24 orësh dëgjimi ynë është normal. Nëse ky proces bëhet i vazhdueshëm kjo do të thotë një vuajte kronike dhe lodhje për nervin e dëgjimit, prandaj frekuentimi me masë dhe pozicionimi larg veglave që prodhojnë muzikë apo edhe bokserave do të ishin këshillat për këtë grup njerëzish. Nëse pas 24 orësh problemi në vesh persiston duhet një vizitë te specialisti.
Ka raste kur pacientët mund ti nënshtrohen një zhurme të menjëhershme të papritur si: plasja e fishekzjarrëve apo edhe kapsollave ku dëmtimi i nervit të dëgjimit është i menjëhershëm dhe vizita te specialisti duhet të jetë e tillë.
Kemi të bëjmë me një traumë akustike dhe në të tilla raste edhe orët janë të rëndësishme për dëgjimin tonë.
Rënia e dëgjimit dhe virozat e stinës
Rënia e menjëhershme e dëgjimit mund të shoqërojë edhe virozat e ndryshme përveç prekjeve të sistemit të sipërm respirator.
Kur ulja e shenjave klinike si: rrufa, teshtimat, kolla, sekrecionet, dhimbja e fytit, temperatura kalon pas 1 jave dhe ulja e dëgjimit persiston atëherë vizita te specialisti do të ndihmojë të dallojmë nëse kemi të bëjmë me probleme në veshin e mesëm, që kanë të bëjnë me infeksione të veshit të mesëm si të daulles së veshit apo hapësirës pas daulles apo dëmtim të nervit të dëgjimit.
Kjo diagnozë do të përcaktojë edhe terapinë medikamentoze që çon në shërim, por sigurisht koha e fillimit të terapisë është shumë e rëndësishme.

