Kryefaqja Aktualitet Sëmundjet që po u marrin jetën shqiptarëve

Sëmundjet që po u marrin jetën shqiptarëve

0
Shpërndaje

INSTAT ka publikuar shifrat e vdekshmërisë për vitin 2017, si dhe shkaqet kryesore të vdekjeve.

Sipas INSTAT, numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri është 22.232, duke shënuar një rritje prej 3,9 %, krahasuar me vitin paraardhës. Sipas gjinisë, numri i vdekjeve të raportuara për meshkujt është 11.610 (2,9 % më shumë se në vitin 2016) dhe për femrat 10.622 (5,1 % më shumë se në 2016).

Koeficienti bruto i vdekshmërisë për vitin 2017 është 77,4 vdekje për 10 mijë banorë, përkundrejt 74,4 që ishte në vitin 2016. Referuar shkaqeve të vdekjeve, peshën më të madhe e zënë vdekjet nga “Shkaqet natyrale” 90,1%, ndjekur nga “Aksidentet” me 2,1 %.

Vdekjet sipas shkaqeve kryesore, 2017

Në vitin 2017, vdekjet nga grupsëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut”, përbëjnë 53,7 % të vdekjeve gjithsej. Ky grup-sëmundjesh vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve, me një nivel vdekshmërie 41,5 për 10 mijë banorë, duke shënuar një rritje prej 2,5 %, krahasuar me vitin paraardhës. Brenda këtij grupi, përqindjen më të lartë e zë vdekshmëria nga “Sëmundje të enëve të trurit” me 32,6 % dhe “Sëmundje kronike të zemrës” me 26,3 %.
Vdekjet nga grupsëmundja “Tumore” zënë 16,4 % të vdekjeve gjithsej, duke u renditur si grupi i dytë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara. Niveli i vdekshmërisë për këtë grup-sëmundje është 12,7 për 10 mijë banorë dhe ka një rritje prej 2,0 %, krahasuar me vitin 2016. Në grupin “Tumore” përqindjen më të lartë e zë nëngrupi “Tumore të aparatit të frymëmarjes”, me 33,5 %.

Vdekjet nga grupsëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, renditet si grupi i tretë kryesor referuar numrit të vdekjeve të shkaktuara. Niveli i vdekshmërisë për këtë grupsëmundje është 16,0 %, duke shënuar një rritje prej 11,2 %, krahasuar me vitin 2016. Në këtë grup, 75,5 % e zënë vdekjet në moshën 80 vjeç e lart dhe shkaku specifik i vdekjes është “Vdekje nga pleqëria”.

Vdekshmëria sipas gjinisë
Grupi i sëmundjeve të “Aparatit të qarkullimit të gjakut” janë shkaku kryesor i vdekjeve si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt, përkatësisht 210 dhe 205 për 100 mijë banorë. “Tumoret” janë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve për të dyja gjinitë, me një dominancë tek meshkujt, prej rreth 30 pikë përqindje. Niveli i vdekshmërisë për këtë grupsëmundje shënon vlerën 78,3 për meshkujt dhe 48,5 për femrat për 100 mijë banorë.

Vdekshmëria sipas grupmoshës
Në vitin 2017, niveli i vdekshmërisë foshnjore është 8,03 për 1000 lindje të gjalla, kundrejt 8,7 shënuar në vitin 2016. Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore (nën 1 vjeç) janë “Sëmundjet që shfaqen në periudhën e rreth-lindjes” me 39,1 % dhe “Ndërlikime në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes” me 24,8 % të vdekjeve të kësaj grupmoshe.

Në grupmoshën 1-14 vjeç, ndër 4 grupsëmundjet kryesore peshën më të lartë e zë “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” me 48,0 % të numrit të vdekjeve për këtë grupmoshë.
Në grupmoshën 15-39 vjeç, peshën më të lartë e zë “Dëmtime traumatike dhe helmime”, me mbi 45 % të numrit të vdekjeve për këtë grupmoshë.
Në grupmoshën 40-49 vjeç, peshën më të lartë e zë “Tumore”, me 38,6 % të numrit të vdekjeve për këtë grupmoshë.
Në grupmoshat 50 deri 80 e më shumë vjeç, pjesën më të madhe të vdjekjeve e shkakton grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here