Mjekja Ilda Xhelili
Duke u nisur dhe nga klasifikimi i anemive, ndër shkaqet më të shpeshta të anemive që shkaktohen nga humbjet e gjakut përmendim gjak rrjedhjet që mund të ndodhin ngadalë për një periudhë të gjatë kohore dhe shpesh mund të shkojnë pa u vënë re.
Këto ndodhin më shpesh në rastet e çrregullimeve të sistemit të tretjes si për shembull gastritet (inflamacione, infeksione të stomakut), ulcerat e ndryshme, hemorroidet (majasëlli), kanceri.
Mund të ndodhë tek përdoruesit e drogave, nga përdorimi i pakontrolluar i medikamenteve të tilla si aspirina, ibuprofeni, kortizonikët që mund të shkaktojnë gastrit dhe ulcera.
Menstruacionet te femrat mund të shkaktojnë anemi nëse gjakderdhja është e tepruar dhe zgjat shumë në kohë. Edhe gjatë shtatzanisë kemi anemi, por këto trajtohen mjaft mirë dhe kalojnë pa problem nëse situata mbahet nën kontroll nga mjekët.
Po ashtu edhe gjatë lindjes sidomos pas shtatzanive të shumëfishta.
Rasti tjetër është kur organizmi nuk prodhon sasinë e duhur të qelizave të kuqe ose ato prodhohen me defekte të cilat mund të jenë edhe të trashëguara. Në të dy rastet marrim rezultatin e anemisë.
Qelizat e kuqe të gjakut mund të kenë mungesa të mineraleve ose të vitaminave të cilat janë të nevojshme që ato të funksionojnë normalisht. Këtu përmendim aneminë me qeliza në formë drapëri ( anemia drepanocitare ), anemia nga mangësia e hekurit, anemia nga mangësia e vitaminave.
Anemia në formë drapëri (drepanocitare) vjen si rezultat i një defekti gjenetik që trashëgohet. Qelizat e kuqe në formë drapëri nuk mbartin sasinë e duhur të oksigjenit dhe shkatërrohen shpejt kështu që dhe organizmi nuk furnizohet si duhet me oksigjen duke shkaktuar dobësi dhe dhimbje trupore.
Anemia nga mungesa e hekurit
Ndërsa anemia më e shpeshtë dhe më e njohur është ajo nga mangësia e mineralit të hekurit. Palca e kockave ka nevojë për hekur që të mund të prodhojë hemoglobinën, e cila bën transportimin e oksigjenit në gjithë organizmin. Pa hekur të mjaftueshëm nuk prodhohet hemoglobina e mjaftueshme për rruazat e kuqe. Mangësitë e hekurit mund të rrjedhin nga dietat e varfra me hekur (sidomos foshnjat), gjatë periudhës kur rriten nevojat e organizmit për hekur (adoleshenca, shtatzania, ushqyerja me gji), dhurimet e shpeshta të gjakut, menstruacionet, dietat vegjetariane, sëmundje të ndryshme të aparatit tretës, operacione të stomakut apo zorrës së hollë , pijet me kafeinë etj.
Përveç hekurit mund të kemi mangësi të vitaminës B12 dhe acidit folik që janë të domosdoshme për prodhimin e vetë rruazave të kuqe të gjakut. Këto mangësi mund të vijnë gjatë infeksioneve parazitare, kirurgjive të stomakut apo të zorrëve, infeksionit të HIV-it, gjatë shtatzanisë, përdorimi i alkoolit, medikamente të ndryshme.
Mungesa e acidit folik gjatë shtatzanisë
Mangësia e acidit folik është mjaft e rëndësishme në periudhën e parë të shtatzanisë sepse çon në defekte të lindura të tubit nervor (spina bifida). Prandaj është e këshillueshme që nënat që kanë planifikuar shtatzëni të bëjnë profilaksinë me acid folik tre muaj përpara e në vazhdim. Sigurisht që me këshillimin e mjekut për përcaktimin e saktë të dozës.
Kushte të tjera kur kemi anemi mund të përmendim sëmundje kronike të veshkave, çrregullime të tiroides, kanceri, artriti rheumatoid, diabeti, mosha e vjetër, stresi, çrregullimet e presionit arterial, çrregullime të koagulimit të gjakut, zmadhimi i shpretkës, valvulat e zemrës (protezat valvulare).
Anemia, çrregullon sjelljen e fëmijëve
Anemitë kronike mund të çojnë në çrregullime të sjelljes tek fëmijët si rezultat i çrregullimeve të sistemit nervor duke reduktuar edhe performancën shkollore, vështirësi në përqendrim. Ndërsa tek anemitë nga mangësia e hekurit është më e shpeshtë simptoma e dhimbjes dhe lodhjes së këmbëve.


