Denisa Canameti
Shpresa Bici është kryeinfermiere në spitalin e Peshkopisë, Presidente e Urdhrit të Infermierit për qarkun Dibër, si dhe ish-lektore e jashtme në universitetin”Aleksandër Moisiu”, filiali Peshkopi. Një grua aktive nëpër konferenca dhe trajnime të ndryshme. Zonja e drejtorit të spitalit të Peshkopisë, si dhe nëna e dy fëmijëve në karrierë.
E pabesueshme, por e vërtetë, ajo është e suksesshmë si grua, si nënë, si udhëheqëse, si kolege, si shoqe. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” Bici tregon sesi të qenët në pozita të tilla nuk e ka bërë që të ndihet e paragjykuar në asnjë moment.
Në Shqipëri nuk ka pengesa formale për të dy gjinitë në marrjen e një arsimimi të ngjashëm dhe përparimit në karrierë. E megjithatë, arsimimi i barabartë nuk pasqyron të njëjtën barazi në përparimin në karrierë si te meshkujt, edhe te femrat. Në shkallët e hierarkisë së karrierës meshkujt shkojnë më lart, pse?
Është e vërtetë që në vendin tonë arsimimi është njësoj i mundshëm si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Sigurisht që kjo na bën që të duartrokitemi. Edhe në tregun e punës, pra, dëshira për punë duket po e njëjtë si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Kjo flet mirë pasi figura e femrës është konsideruar pasive. Megjithatë, sa i hapur është tregu për të dyja gjinitë, a është njëlloj i hapur?
Kjo është një pyetje, përgjigjja e së cilës kërkon më shumë thellim, nuk mund të jetë ashtu spontane. Pyetja juaj ishte pse meshkujt ngjiten më shpejt? Nëse flasim për realitetin tonë, them ndodh sepse terreni është tejet mashkullor. Jemi rritur me një frymë të tillë patriarkale, ku jemi mësuar që ta vëmë figurën e mashkullit në qendër të gjithçkaje. Jemi të prirur që këtë “rregull” ta respektojmë jo vetëm në sferën familjare, por edhe në shoqëri edhe më gjerë. Është ndoshta kjo një arsye pse shoqëria u jep një dorë meshkujve për t’u ngjitur më shpejt se femrat në karrierë. Siguria që ne jemi mësuar që të marrim nga figura e mashkullit, na bën që t’u japin atyre më shumë besim.
Megjithatë, duhet thënë që kemi fituar një drejtpeshim në këtë drejtim. Sot kemi shumë figura femrash në poste drejtuese dhe jam e bindur që shumë shpejt edhe ne do të “prodhojmë” figura femrash të fuqishme, figura femrash model.
A mund të jetë gjinia përcaktues i suksesit më shumë sesa aftësitë?
Pavarësisht se përmenda disa elemente/fakte që tek ne favorizojnë figurën e mashkullit, refuzoj të pranoj që gjinia është përcaktues i suksesit. Mashkulli dhe femra sigurisht që nuk janë njësoj, mendojnë ndryshe, veprojnë ndryshe në situata të caktuara. Por të dyja palët kanë strategjitë e tyre, që i bën njëlloj të suksesshëm në karrierë. Gjinia është tregues i dobët në çështje të tilla, nuk tregon asgjë.
Cilat cilësi, sipas mendimit tuaj, janë karakteristike për gratë që mbajnë pozicione ekzekutive?
Mendoj dhe besoj se gratë kanë një aftësi komunikuese më të mira sesa meshkujt dhe kjo, sipas meje, i bën ato më bashkëpunuese, dihet se bashkëpunimi sjell fryte gjithnjë pozitive. Femrat nga vetë natyra, nga vetë instikti femëror priren të jenë më të përkushtuara në punën e tyre, më këmbëngulëse, dhe më të hapura për negociata. Meshkujt janë më të ftohtë, më stoik, më skeptik, më të ashpër dhe kjo mendoj se bën që t’i humbasin disa pikë në raport me femrat.
Të qenët Presidente e Urdhrit të Infermierit për Qarkun e Dibrës, në një vend ku mjedisi është tejet maskilist, sa ka ndikuar në punën tuaj?
Fillimisht nuk isha shumë entuziaste. Sigurisht, mund ta dëshirosh një post, por kur e ke, të duhet një kohë (edhe pse shumë e shkurtër) që ta pranosh me veten se e ke atë post dhe që duhet ta mbash, duhet ta meritosh.
Besoj se këto janë dilema që i ka gjithkush, të jemi realistë. Isha e ndërgjegjshme që kisha shumë gjëra për të suportuar, shumë opinione, duke filluar që nga fakti i të qenit grua në një post të tillë.
Megjithatë, sot mund të them një gjë: isha gabuar. Nuk jam pritur aspak keq, përkundrazi. Kam marrë kaq shumë besim, saqë e kuptova që diçka e madhe ka ndryshuar. Jemi ne vetë që kemi mendime të gabuara, duke menduar që njerëzit rreth nesh vazhdojnë të jenë viktima të mentaliteteve të dobëta. Është pikërisht terreni mashkullor ai që ma lehtësoi shumë punën e që ma shtoi optimizmin.
Marrëdhënia me kolegët meshkuj?
Me të gjithë kolegët kam marrëdhënie të mira. Janë miq shumë të mirë. Komunikimi është i hapur, kam mirëpritur çdo kritikë prej tyre, edhe pse mund të them që kritikët më të mëdhenj janë femrat. Meshkujt në këtë pikë janë pak më xhentilë (qesh).
A jeni ndjerë ndonjëherë e paragjykuar?
Asnjëherë, prej askujt. Paragjykimi është një frymë që më duket se është zhdukur. Mendoj se jemi mjaftueshëm të hapur për të pritur figurën e një femre në një post drejtues sa për të mos e paragjykuar atë.
Ka pasur skeptikë kur u lakua emri juaj në këtë post?
Si për çdokënd besoj. Kudo që ka konkurrencë, ka njerëz që të mbështesin, si dhe njerëz që nuk të mbështesin, në fund të fundit është e drejtë. Unë skepticizmin e të tjerëve e marr dhe e kthej në sfidë për veten. Përpiqem që të kuptoj arsyet e skepticizmit tek ata, i analizoj dhe nëse qëndrojnë përpiqem ti përmirësoj tek vetja.
Bashkëshorti juaj, njëkohësisht drejtor i spitalit të Dibrës, sa e ka mirëpritur gjithë këtë angazhim tuajin?
Fillimisht nuk e ka dashur. Sigurisht që kjo kërkonte shumë angazhim dhe një shkëputje jo të vogël nga jeta familjare. Në marrëdhënien tonë fillimisht arsyetojmë si burrë dhe grua e më pas si kolegë (në kuptimin e marrëdhënies insitucionale).
Ai punon vërtet shumë, përpiqet të arrijë standard në punën e vet dhe kjo kërkon punë, punë, punë, shumë punë. Asgjë nuk arrihet lehtë. Por që ai të punojë për të arritur atë që kërkon, sigurisht që ka nevojë për një suport shumë të madh nga ana ime. Duke pranuar një post të tillë, unë do të kisha angazhimet e mia në punë dhe do më duhej t’i rrëmbeja shumë kohë, kohës për familjen.
Duke qenë vetë në një pozicion drejtues, duke njohur çdo vështirësi, meqë folëm për skepticizëm, mund të them që në këtë askpekt ai ka qenë skeptiku më i madh. Posti është përgjegjësi shumë e madhe, kërkon mund, kërkon angazhim dhe gatishmëri. Shpeshherë puna kthehet në një faktor të rëndësishëm, të tillë që na bën të anashkalojmë pa kuptuar gjëra të tjera të rëndësishme, si familja. Im shoq i trembur nga kjo gjente argument që unë të tërhiqesha nga kandidimi. Por jo, unë vazhdova dhe, kur ai u bind për bindjen time, veçse më ka mbështetur më shumë.
Sot është partneri im më i mirë, edhe jashtë shtëpisë. E kuptojmë njëri-tjetrin, ndajmë probleme, strese, por edhe kuptojmë vlerën e një suksesi që për të tjerët mund të duket i vogël.
E përmendët që është e vështirë është të jesh grua-nënë-femër në karrierë. Si arrin t’i kombinosh për të qenë në lartësinë e duhur në të gjitha aspektet?
Kur bëhet fjalë për menaxhim, them se gratë mbartin cilësi tipike që i bëjnë më fleksibël përballë çdo situate. Të qenit grua dhe nënë për mua janë detyrimet që përpiqem të mos i anashkaloj kurrë. Ato metoda suksesi që përdor në këto dy aspekte të jetës sime, përpiqem që t’i huazoj edhe në fushën e karrierës. Nëse jam grua e suksesshme, duhet pyetur bashkëshorti im, nëse jam nënë e sukseshme duhet të pyeten fëmijët e mi, nëse jam karrieriste, këtë do ta tregojë koha kur puna ime të fillojë të japë rezultat. Unë di të them që jam një grua, nënë, punonjëse dhe udhëheqëse shumë e lumtur.
Beqir Bici: Gruaja, këshilltarja ime më e mirë
(Bashkëshorti i Shpresa Bicit dhe drejtor i Spitalit Rajonal të Peshkopisë)
Thuhet se pas çdo burri të suksesshëm fshihet një grua e mençur. Mbështetja e gruas në jetën time, në punën time ka qenë themelore. Kështu që mund ta aprovoj totalisht atë shprehje. Më mahnit fleksibiliteti me të cilin ajo kapërcen situata, problematika përballë të cilave unë nervozohem dhe gjendem keq.
A mund të jetë një grua një drejtuese e zonja? Po! Një grua është një drejtuese po aq e mirë, sa është bashkëshorte shumë e mirë, nënë shumë e mirë dhe shoqe shumë e mirë.
Dëshira e saj për të qenë një grua e angazhuar dhe në karrierë ka gjetur vetëm një ngurrim nga ana ime. Problemi kohë. Kohën që do t’i duhej ta pjesëtonte shumë. Kjo më bënte skeptik, sepse kisha nevojë për mbështetjen e saj dhe vazhdoj të kem nevojë. A ka ndryshuar diçka pasi ajo ka marrë ato pozita që ka? Jo. Ajo vazhdon të jetë bashkëshorte, nënë, shoqe, si dhe këshilltarja ime më e mirë.


