Shqipëria, më e rrezikuara në Evropë për mjedisin

Humbjet ekonomike gjatë 33 viteve të fundit, vetëm si pasojë e përmbytjeve, rrëshqitjeve dhe tërmeteve, llogariten të jenë 2.3 miliardë dollarë

Nga Rita Strakosha

Shqipëria është vendi më i rrezikuar në Evropë nga rreziqet natyrore. Kështu shprehet drejtori i emergjencave civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Maksimiljan Dhima. Në këtë konkluzion ka arritur Raporti i Riskut Botëror 2014, i botuar së fundmi nga Instituti për Mjedisin dhe pyll pyjeSigurinë Njerëzore në Universitetin e Kombeve të Bashkuara. Ky raport ka përllogaritur indeksin e riskut nga fatkeqësitë natyrore për vitin 2014 në 171 vende të botës, bazuar në ekspozimin ndaj fatkeqësive dhe cenueshmërinë prej tyre.

Shqipëria është e para në Evropë dhe në vendin e 37-të në botë, me indeks risku 10.17% krahasuar me 10.01 % në vitin 2013 dhe 9.96% në vitin 2012. Shkak i rritjes vit pas viti të cenueshmerisë së saj ndaj fatkeqësive natyrore është pamjaftueshmëria e kapaciteteve përballuese dhe atyre përshtatëse.

Humbjet ekonomike gjatë 33 viteve të fundit, vetëm si pasojë e përmbytjeve, rrëshqitjeve dhe tërmeteve, llogariten të jenë 2.3 miliardë dollarë. E konvertuar kjo shumë në një mesatare vjetore – 68.67 milionë dollarë = 2.49 përqind e GDP-së/vit. Për këtë arsye drejtoria e emergjencave civile kërkon që analiza  e rreziqeve natyrore të përfshihet në procesin e planifikimit të ndërtimeve publike dhe private.

Ka një rrjet të ndërlikuar ndërinstitucional që vepron në rastet e emergjencave civile, në krye të të cilit është qeveria.

Sipas drejtorit të emergjencave civile, Shqipëria ka nevojë për një strategji kombëtare të zvogëlimit të fatkeqësive natyrore. Për këtë duhen bindur dhe politikëbërësit, të cilët mund të mendojnë se kemi mjaftueshëm strategji, e nuk ka më nevojë për të tjera. Por, siç tregojnë dhe shifrat, dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore janë të pallogaritshme. Me ndryshimet klimatike këto dëme do të shtohen.

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën