Dr. Alma Hoxha / Shendeti.com.al
Miu hyn në familjen e brejtësve. Njeriu mund të infektohet nga ai nëpërmjet rrugëve të ndryshme, ku mund të përmendim: kafshimin, ndotjen e ujit të pijshëm, ushqimeve apo dhe me anë të mushkonjave.
Sëmundjet më të shpeshta, kur miu nuk është i infektuar me sëmundje të tjera, janë mikrobet gram pozitive e gram negative, që janë të florës normale të gojës së miut.
Sëmundjet që mund të marrim nga miu janë:
Leptospiroza– është sëmundje akute e përhapur në të gjithë botën, po ashtu dhe tek ne, duke përfshirë çdo rajon gjeografik. Një nga burimet kryesore të infeksionit janë minjtë. Njeriu infektohet direkt në kontakt me miun ose nga kafshimi, dhe në mënyrë të tërthortë me anë të ujit ose ushqimeve të kontaminuara me urinën apo materiale të tjera të minjve të infektuar. Pikun si sëmundje e ka në verë. Leptospirat jetojnë për një kohë të gjatë në ujërat e ndenjura, në baltën e stallave etj. Njeriu infektohet nëpërmjet lëkurës kur ajo është e dëmtuar, kjo mund të ndodhë edhe në rastet kur kemi përmbytje nga shiu dhe ne futemi në ujërat për të kaluar rrugët, nëpërmjet gojës duke pirë pije ose ngrënë ushqime të kontaminuara, si dhe me mukozat konjuktivale kur lahemi me ujë të kontaminuar. Pas një periudhe inkubacioni nga 2 ditë në rreth 3 javë sëmundja karakterizohet nga 2 faza.
Faza e parë fillon me temperaturë të lartë, dhimbje koke të forta të vazhdueshme, sidomos në regjionin frontal të kokës dhe rreth syve. Dhimbje muskulare të forta të shpinës, pulpave dhe të barkut, që mund të ngatërrohen me urgjencë kirurgjikale dhe mbindjeshmëri të lëkurës. Të sëmurët kanë djersitje profuse, mungesë oreksi, të vjella e diarre, dhe 48 orët e para bën injektimin e sklerave (zverdhja e të bardhës së syrit), ekzantema është e tipit makulopapuloz dhe shfaqet në trung. Në këtë fazë leptospirat janë në qarkullimin e gjakut. Kjo fazë zgjat rreth 9 ditë, dhe në fund të kësaj faze kemi ulje të temperaturës, e cila përkon me zhdukjen e leptospirave nga gjaku dhe lëngu trunoshpinor. Pas 1 deri 3 ditëve kemi fazën e dytë, që është më e rëndë dhe fillon me rritje temperature që mund të zgjasë 5 deri 10 ditë, ulet dhe fillon përsëri pas 2 ose 3 ditësh. Në këtë fazë ikteri bëhet i theksuar dhe në lëkurë kemi shfaqje të hemorragjive në formën e hemoftizisë, epistaksis, melenave, hematurise, hemorragjive konjuktivale dhe të nënlëkurës, kemi shenja të prekjes së cipave të trurit, prekje dhe dëmtime të syrit, prekje të mushkërive të karakterizuara nga kola me sputum dhe gjak, vështirësi në frymëmarrje, prekje të veshkave që mund të çojë në insuficincë renale deri dhe meningit. Është shumë e rëndësishme për këtë sëmundje që të paraqitesh sa më herët tek mjeku infexionist.
Ethet hemorragjike virale, ku miu i egër apo i shtëpisë është një nga rezervuarët kryesore të sëmundjes, por si vector transmetues është këpusha e llojit Hyalomas. Është e përhapur në zonën veriore të vendit tonë. Fillimi i sëmundjes është i menjëhershëm, me temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje muskulore, si dhe shfaqje hemorragjike në lëkurë dhe mukoza. Hemorragjia mund të jetë në formën e petekieve (pika hemorragjike në lëkurë) epistaksis (nga hunda), melenave, nga rrugët gastro intestinale, hematemezes dhe metroragjive të shoqëruara me ikter në lëkurë, dhe shpesh këta të sëmurë bëjnë meningoencefalit me humbje të vetëdijes, të vjella e konvulsione. Këta të sëmurë kanë rritje të hepait dhe lienit, mëlçisë e shpretkës. Në analizën e gjakut kemi ulje të theksuar të leukociteve dhe trombociteve, ulje e fibrinogjenit, ulje e protrombinës dhe rritje e substancave që shkatërrojnë fibrinën. Është sëmundje me vdekshmëri të lartë deri 50 % të rasteve dhe kërkon shtrim në spital të të sëmurit.
Salmoneloza – sidomos ajo minor, ku një nga burimet e infeksionit është edhe miu, i cili mund të kontaminojë ujin ose ushqimet. Klinika karakteristike është dhimbje barku, diarre, të vjella dhe temperaturë e lartë mbi 39 gradë. Dhimbjet e barkut janë të forta, në formë krampesh, që pasohen me një defekim. Të dalët jashtë dhe të diarresë mund të jenë 30/ 40 herë në 24 orë, ndaj mund të çojnë në dehidrim të të sëmurit, ndaj këta persona këshillohen që të paraqiten sa më shpejt në qendrat spitalore. Zakonisht këta të sëmurë referojnë që kjo gjendje u ka filluar pas konsumimit të ushqimit dhe preken të gjithë personat që kanë konsumuar atë ushqim.
Tifoja murine– është sëmundje infektive akute e shkaktuar nga Riskettsia mooseri, e cila transmetohet tek njeriu me anë të pleshtit ose morrit të minjve. Rezervuar natyror janë minjtë e shtëpisë ose brejtësit e egër. Pleshtat dhe morrat infektohen duke thithur gjak nga minjtë. Infektimi i njeriut ndodh kur pleshti apo morri i infektuar pickon njeriun. Njeriu mund të infektohet gjithashtu dhe në anën e fekaleve të infektuara e të thara, me anë të konjuktivave dhe rrugëve respiratore.
Klinika: temperatura e lartë është karakteristikë e sëmundjes, e cila mund të jetë mbi 38 gradë. Ekzantema është e përhapur në të gjithë trupin, rrallë preket fytyra dhe shputat e duarve e të këmbëve, dhe zhduket para rënies së temperaturës. Dhimbja e kokës e cila është në zonën frontale dhe në zonën retroorbitale shoqërohet me skuqje të konjuktivave.
Hantaviruset –virusi është në përqendrim të lartë në urinë fece dhe në pështymën e minjve. Njeriu infektohet nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes kur thith grimca të thara ose nga kafshimi i miut. Është shumë e ngjashme me ethen hemorragjike, po këtu kemi dhe prekjen e veshkave.
Murtaja bubonike – është sëmundje infektive e shkaktuar nga yersinia pestis, ku një nga rezervuarët e rëndësishëm janë dhe minjtë. Njeriu infektohet nga vektorët (pleshtat) e infektuar nga kafshimi i minjve ose kontakti me kafshën e infektuar, mish, lëkurë, apo duke rënë në kontakt me pështymën e infektuar.
Klinika është e shpejtë, me temperaturë të lartë, dhimbje koke, lodhje dhe zmadhim të nyjave linfatike të quajtura bubone, të mbushura me gjak e qelb. Kemi hemorragji në lëkurë që degradojnë në nekroza (hapje të plagës), kap dhe mushkërinë dhe mund të përhapet edhe me anë të frymëmarrjes. Ka vdekshmëri të lartë dhe i sëmuri pa mjekim vdes brenda 2 deri katër ditëve. Quhet vdekja e zezë pasi bubonat e lëkurës kanë ngjyrë të errët dhe shkakton epidemi. Të sëmurët me këtë sëmundje futen në karantinë./ https://shendeti.com.al/


