Tavolinë e rrumbullakët mbi humbjet e energjisë në rrjet

Vjedhja  masive e energjisë elektrike duhet trajtuar si problem kombëtar, për zgjidhjen e të cilit duhet mobilizuar gjithë shoqëria

Nga Rita Strakosha

Qendra “Grupimi Ekolëvizja” organizoi më 26 nëntor një tryezë të rrumbullakët mbi problematikën e humbjeve të energjisë në rrjet. Kjo tryezë organizohet në kuadër të projektit “Politika të Qëndrueshme Energjitike në Evropën Juglindore”.

Takimi u përshëndet nga z.Pëllumb Abeshi, drejtori i politikave mjedisore në Ministrinë e Mjedisit, i cili njohu impaktin që ka në mjedis sektori energjitik.

Z. Agim Nashi, ekspert energjie pranë ERE, prezantoi gjendjen e humbjeve të energjisë elektrike. Sipas të dhënave, Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të humbjeve në botë. Nga rreth 1,2 milion konsumatorë që ka rrjeti elektrik, rreth 300 mijë konsumatorë nuk faturohen. Nëse Ballkani ka mesatarisht 12% humbje, Shqipëria ka mbi 30% humbje, në vitin 2012, 46% humbje.

Në Shqipëri vjedhja e energjisë elektrike është fenomen i përhapur në të gjithë shtresat shoqërore. Opinoni publik mban qëndrim të vakët ndaj këtij fenomeni, vjedhësit e energjisë nuk kallëzohen, ndërkohë që humben çdo vit 150 milionë euro.

Ndër shkaqet e këtij niveli të lartë humbjesh joteknike, Nashi përmendi papërgjeshmërinë e konsumatorëve shqiptarë, si dhe drejtimin joprofesional dhe jo të stabilizuar të CEZ Shpërndarje.

Pasojat në shoqëri, nga niveli i lartë i humbjeve

Më tej, në takim e mori fjalën Zija Kamberi, specialist energjie, i cili dha një tablo të gjithë pasojave direkte dhe indirekte që na vijnë si shoqëri nga niveli i lartë i vjedhjeve të energjisë:

• CEZ Shpërndarje ka vështirësi pagese për shkak të mospagesës së faturave dhe të mosfaturimit. Nga CEZ Shpërndarje, në një efekt domino, vështirësitë e pagesës janë përhapur në gjithë aktorët e rrjetit energjitik dhe sistemi është në gjendje kolapsi. Për shkak të konsumit të lartë të energjisë, importohet energji e cila ka çmim 6 herë më të lartë seç prodhohet në vend.

• Konsumatorët e ndershëm paguajnë ~30% më shumë në faturat e energjisë për shkak të mospagesës nga pjesa tjetër e konsumatorëve. Impakti social është i lartë, ku psh. shtresa e pensionistëve, e cila është më e rregullt në pagesa, paguan për shkelësit.

• Vjedhjet sjellin kosto më të larta për bizneset shqiptare, sepse këto duhet të paguajnë më shumë për energjinë elektrike, dhe kjo i shfavorizon në tregun rajonal.

• Vështirësohet siguria e furnizimit dhe nxitja e efiçencës së energjisë. Nuk ka asnjë motivim për efiçencë energjie tek personat që e konsumojnë atë falas.

• Nuk tërhiqet kapitali privat në sektorin energjitik. Investitorët e HEC-eve të vogla dhe bankat që u kanë kredituar, janë prekur nga kriza. Nëse investitorët nuk ndjehen të sigurtë se investimet e tyre do të kthehen, atëherë investimet do shterojnë.

• Nuk integrohemi dot në tregun rajonal. Qeverisja ka si objektiv që tregu shqiptar dhe ai i vendeve fqinje të integrohen, por nëse furnitorët nuk kanë siguri se do të paguhen, nuk kanë për të operuar me ne.

• Ka impakt negativ në mjedis. Energjia që duhet importuar, për shkak të shpërdorimit të energjisë së pafaturuar, prodhohet kryesisht nga TEC-et me qymyr. Kjo është energji e pistë që raportohet si e tillë në OKB.

Gjithashtu, për të furnizuar, ndër të tjera dhe konsumatorë që nuk paguajnë, po ndërtohen masivisht HEC-e të cilat po shkatërrojnë rrjetin hidrik.

Për zgjidhjen e problemit, Kamberi propozoi si masa që duhet të merren: rritjen e disiplinës së brendshme në kompaninë e shpërndarjes; instalimin e matësve tek konsumatorët pa të tillë; rritje të transparencës së kompanisë së shpërndarjes ndaj klientëve; masa ndëshkimore (gjoba, ndërprerje energjie, kallëzime penale) ndaj përvetësuesve të energjisë; përfshirja në projektligjin për sektorin e energjisë elektrike të problemit të humbjeve të energjisë; mbështetja nga institucionet ligjzbatuese të kompanisë së shpërndarjes për masat ndëshkuese; politika transparente nga ERE; tarifa nxitëse për uljen e humbjeve nga kompania e shpërndarjes.

Takimi u mbyll me një konsensus për ndjekjen në vazhdimësi të problemit nga OJF-të mjedisore të interesuara.

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën