Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Të drejtat e punës në call center: Të rinjtë i drejtohen gjykatës

Të drejtat e punës në call center: Të rinjtë i drejtohen gjykatës

0
Shpërndaje

Nga Elona Tereziu, gazeta “Shëndet+”

Kush nuk ka dëgjuar të flitet për call center? Duket sikur ky sektor është shndërruar vitet e fundit në kryefjalën e punësimit në Shqipëri, jo vetëm për të rinj e të reja të porsadiplomuar ose në pritje të diplomimit, por edhe për shumë familjarë e njerëz me eksperienca të mëparshme pune, të cilët i drejtohen call centera-ve si mundësia e tyre e vetme për të pasur një punë që mund t’i ndihmojë të përballojnë koston e lartë të jetesës së një kohe moderne.

Ai që në gjuhën teknike njihet si sektori BPO, ose sektori i Nënkontraktimeve të Proceseve të Biznesit, është një sektor relativisht i vogël i ekonomisë shqiptare, i cili ka një potencial të madh për rritje e që po zhvillohet me shpejtësi në një treg inovator dhe tërheqës për punëkërkuesit shqiptarë. E ndërkohë që kërkesa e tregut të punës është e lartë për këtë lloj punësimi, të larta janë edhe mundësitë e abuzimit të kompanive në lidhjen dhe mbajtjen e marrëdhënieve të rregullta të punës me punonjësit e tyre. Nga vëzhgimet e shoqatës“Together for Life”, e cila që prej janarit të këtij viti po studion marrëdhëniet e punës në këtë sektor të ekonomisë, në kuadër të një projekti të financuar nga Olof Palme Center dhe me fonde të qeverisë suedeze, vihet re se shkeljet më të shpeshta të legjislacionit të punës nga ana e kompanive call center lidhen pikërisht me përfundimin jo të rregullt të marrëdhënies së punës me punonjësit e tyre.

I tillë është edhe rasti i B.K, 26 vjeçe, e cila ka punuar në një prej kompanive call center me qendër në Tiranë prej 2 vjetësh e gjysmë dhe është përballur sërish 6 muajt e fundit me papunësinë, për shkak se kompania në të cilën punonte  e ka pushuar pa paralajmërim nga puna. B. K e ka denoncuar kompaninë dhe aktualisht çështja është duke u trajtuar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë, me asistencën e CLRSD (Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social).

Pretendimet e palës paditëse: Më thanë ‘firmos ose ik’

‘Unë kam filluar punë tek kompania B Connect në tetor të vitit 2014, ku kam punuar si operatore për gati 2 vite e gjysmë. Në shumicën e kohës kemi punuar pa kontratë fare (gati një vit e gjysmë), gjersa u bë problem nga operatorët dhe filluan të na bënin kontrata një mujore, gjë që është përsëri jo e ligjshme. Specifikisht ne kemi punuar me kontrata një mujore përgjatë 5 muajve të fundit. Herën e fundit që jam ankuar pranë burimeve njerëzore lidhur mbi këtë çështje, më kanë thënë “nëse nuk e firmos kontratën, ti nuk punon më këtu”. Me kontratë një mujore mund t’i largonin më lehtë punonjësit nga puna. Nëse donin të të hiqnin nga puna, mjaftonte të të thërrisnin në zyrë dhe të parashtronin faktin që kontrata jote ka mbaruar. Realisht ajo kontratë kishte mbaruar, por operatorët duke mos pasur njohuri, as nuk e kanë idenë që kontratat një mujore janë të pavlefshme sipas ligjit shqiptar të punës. Kur unë u kam thënë do ju hedh në gjyq, më janë përgjigjur ‘ty të ka mbaruar kontrata’.

Nuk më dhanë asnjë arsye, asnjë paralajmërim. Madje unë kam folur dhe me shefin e madh (italian) dhe i kam kërkuar të më argumentojë arsyet e largimit nga puna dhe njoftimin paralajmërues për këtë. Nuk mora asnjë përgjigje, thjesht  m’u tha që më është dërguar feed-back  negativ, që s’është aspak e vërtetë, pasi unë kam punuar dy vite e gjysmë në atë kompani dhe nuk kam marrë asnjëherë asnjë vërejtje.

Edison Hoxha: Avokat i çështjes, Qendra Për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social  

“Largimi nga puna i padrejtë dhe jo në përputhje me ligjin”

Edison Hoxha, ekspert ligjor pranë CLRSD dhe avokat i çështjes në gjykatë, tregon për gazetën “Shëndet +” se kemi të bëjmë me një largim të padrejtë nga puna, jo në përputhje me ligjin.

“Nga vlerësimi që i kemi bërë kësaj çështje, mendojmë se është një rast që do dalë me sukses, pasi kemi të bëjmë me një largim të padrejtë nga puna, që nuk është bërë në përputhje me ligjin. Ne i jemi drejtuar gjykatës me padi dhe kemi kërkuar dëmshpërblim sipas dispozitave që parashikon Kodi i Punës. Në rastin konkret (në varësi të vjetërsisë në punë), bëhet fjalë për një dëmshpërblim 10-15 paga mujore bruto.

Në rastin konkret kemi të bëjmë me disa shkelje:

E para shkelje është që punëmarrëses i janë bërë disa kontrata me afat shumë të shkurtër, por, dhe sikur të ishin të gjata, vetë fakti i bërjes së një kontrate me afat është në  kundërshtim me ligjin në këtë rast. Kontrata me afat sipas ligjit bëhet vetëm në raste të veçanta, kur kemi të bëjmë me një punë me afat të caktuar/sezonale, 6 muaj etj. Në çdo lloj rasti tjetër, kodi i punës nuk e lejon kontratën me afat.

E dyta ka të bëjë me largimin që ne e quajmë largim i padrejtë nga puna, jo në përputhje me ligjin. Në momentin që punonjësi kërkonte ta largonte punëmarrësen, Kodi i Punës ka përcaktuar disa procedura që duhen zbatuar në mënyrë strikte, që kanë të bëjnë me:

  1. Shkaqet objektive ose subjektive të largimit nga puna. Me shkaqe objektive do të kuptojmë shkurtim të aktivitetit apo vendit të punës dhe subjektive, shkelje të punës detyrimet e kontraktorit nga punëmarrësi.
  2. Zbatimi i afateve të njoftimit (në varësi të vjetërsisë që ka punëmarrësi). Për të gjitha këto punëmarrësit i lind e drejta t’i drejtohet gjykatës dhe të përfitojë dëmshpërblim.

Në 90% të rasteve të tilla mundesh që të analizosh që në momentin e parë se sa mundësi suksesi ka rasti në fjalë, dhe pastaj vendos nëse do ta çosh në gjykatë. Ndaj dhe ne ia rekomandojmë  këtë praktikë të gjithë punonjësve që largohen në mënyrë të padrejtë nga puna, ose që mendojnë se janë larguar në mënyrë të padrejtë. Nuk janë raste të komplikuara, mjaftojnë disa prova largimi (kontratë punë, librezë etj) dhe mundësia është shumë e lartë për të fituar”.

Ne ia rekomandojmë praktikën e ndjekjes gjyqësore të rasteve, të gjithë pnonjësve që largohen në mënyrë të padrejtë ose që mendojnë se janë larguar në mënyrë të padrejtë. Nuk janë raste të komplikuara, mjaftojnë disa prova largimi (kontratë punë, librezë etj,) dhe mundësia është shumë e lartë për të fituar.’’

ISHPSHSH inspekton subjektin “B Connect”, ‘ Pretendimet e ankueses qëndrojnë’.

Rasti i ankesës është trajtuar nga inspektorët e punës së Degës Rajonale Tiranë, të cilët në përfundim të inspektimit pranë subjektit “B Connect”  arritën në konkluzionin se pretendimet e ankueses qëndrojnë, pasi praktika e ndjekur nga kompania në rekrutimin dhe nënshkrimin e kontratave me punëmarrësit ka qenë në kundërshtim me ligjin, shkelje për të cilat u dha dhe masa administrative ‘paralajmërim’.

‘Ankuesja nuk ka pasur gjatë gjithë kohës së punësimit kontratë individuale me punëdhënësin. Pas një periudhe kohe pa kontratë, ankuesja ka pasur disa kontrata me afat një mujor dhe anekse kontratash ku shtyhej afati i kontratës së parë të punës, e cila kishte përfunduar dhe nuk ishte më e vlefshme. Si pasojë, afati i njoftimit për largimin nga puna të punëmarrëses nuk zbatohej.

Praktika e ndjekur nga kompania në rekrutimin dhe nënshkrimin e kontratave të punës ka qenë në kundërshtim me Ligjin Nr 7961 datë 12.07.1995 Kodi i punës i Republikës së Shqipërisë (i ndryshuar).

Kompanisë iu la detyrë për zbatim neni 140 pika 2, neni 143 pika 1dhe neni 149 pika 1 dhe 2 të Ligjit Nr 7961 datë 12.07.1995 Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë.

Për shkeljet e konstatuara, subjektit iu dha Dënim administrativ kryesor: Paralajmërim. Këto shkelje preknin dhe punëmarrës të tjerë që punojnë në këtë subjekt.’

Ankesat në ISHPSHSH, 261 raste, 19% vetëm nga sektori call center

Sipas të dhënave për vitin 2016, rezulton se Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH) ka inspektuar 261 subjekte për shkak të ankesave, ku 19% e tyre i përkasin vetëm sektorit call center. Por, nëse i referohemi 5 mujorit të parë për vitin 2017 (Janar-Maj), kjo shifër rezulton të jetë akoma edhe më e lartë, ku nga 115 inspektime për shkak të ankesave, 33 prej tyre janë në call center, ose e thënë ndryshe rreth 29% e të gjitha ankesave.

Irida Qosja, përgjegjëse e Sektorit të Inspektimit të Marrëdhënieve të Punës në ISHPSHSH, tregon se nga ankesat që i janë drejtuar këtij institucioni për vitin 2017, vihet re një trend rritje.

‘Nga ankesat, që i janë drejtuar Institucionit tonë konstatojmë që për këtë vit ka një trend rritje të ankesave të ardhura nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor. Ankesave të ardhura nga punëmarrës në call center janë kryesisht për vonesa në marrjen e pagave, apo dhe në ndërprerje të marrëdhënieve të punës jokonform ligjit duke shkelur kontratën individuale të punës të lidhur mes palëve.’

Ajo që kemi vënë re ne tjetër është se, edhe kur dokumenti i kontratës së punës mes punëdhënësit dhe punëmarrësit ekziston dhe është lidhur konform Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, jo në të gjitha rastet kemi respektim të të drejtave të punëmarrësve për kompensim me pushim ose me pagesë të punës të kryer në turnin e dytë, në ditët e festave zyrtare etj.’

Pavarësisht se në Shqipëri ekziston një kuadër i plotë ligjor që rregullon fushën e punës, dinamika e tregut të punës është aq e madhe sa kërkon ndërhyrje të shpeshta përmes  akteve nënligjore. Kur situata konkrete nuk janë parashikuar ose mbuluar siç duhet nga ligji, bëhen shkak për mosrespektim të një kërkese ligjore, që prek një kategori të caktuar aktivitetesh apo punëmarrësish./Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here