Kryefaqja Box 1 Të rinjtë e Kamzës: “Më shumë ndërgjegjësim mbi ndotjen e ajrit”

Të rinjtë e Kamzës: “Më shumë ndërgjegjësim mbi ndotjen e ajrit”

0
Shpërndaje

 

Elena Beta

“Një përgjegjësi të madhe për ndotjen e ajrit në zonën e Kamzës mund të them se e mban Bashkia, kjo pasi minimumi që duhet mundësuar për qytetarët janë koshat për hedhjen e mbeturinave. E pra, edhe ato mungojnë, kjo besoj i thotë të gjitha. Për të mos folur pastaj për mos sensibilizimin e qytetarëve, të cilët, të detyruar, hedhin mbeturinat vend e pavend dhe vendet më të ndotura janë ato ku ka më shumë njerëz”.

Kështu u shpreh Egzon Haklaj, nxënës i vitit të dytë në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz, gjatë aktivitetit të realizuar nga shoqata “Together for Life”, në kuadër të projektit “Ajër i pastër në Tiranë: më shumë ecje, biçikleta dhe transport urban”.

Projekti i mundësuar nga programi Achieve, i mbështetur financiarisht nga REC Shqipëri, me fonde të Bashkimit Evropian, synon ndërgjegjësimin e qytetarëve në përdorimin e mjeteve alternative, si një nga faktorët në përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Përfaqësues të shoqatës “Together for Life” prezantuan sot për nxënësit e gjimnazit “Ibrahim Rugova”disa informacione interesante lidhur me ndotjen e ajrit, burimet e ndotjes, situatën aktuale, vlerat mesatare vjetore të ndotjes krahasuar me normën vjetore të BE, si dhe shfaqën një dokumentar të shkurtër të animuar për të paraqitur në mënyrë më të thjeshtë pasojat e ndotjes në shëndetin dhe jetesën e gjithsecilit.

Gjatë diskutimeve nxënësit shtruan disa nga problemet me të cilat jo vetëm ata por edhe qytetarët e tjerë të Kamzës përballen çdo ditë.

“Përveç mungesës së koshave për depozitimin e mbeturinave, unë shoh si problem të madh edhe rihapjen e rrugës për të vendosur tubacionet e harruara. Në ditët me shi rruga bëhet e pakalueshme, ndërsa në ditët me diell toka thahet dhe pluhuri përshkon gjithë zonën, duke shkaktuar aromë të pakëndshme dhe ndotje të ajrit. Me keqardhje them se kontributi i Bashkisë është zero. Unë personalisht, si senator klase dhe zv. president i shkollës, kam ndërmarrë nisma si maratona e pastrimit të qytetit, e cila konsiston në ecjen dhe mbledhjen e mbeturinave që na dalin para, por sërish janë të pamjaftueshme. Duke përfituar nga rasti, dua të ftoj të gjithë qytetarët e Kamzës dhe pushtetin vendor këtu, të sensibilizohen pasi jemi ne që thithim ajrin çdo ditë, jemi prap ne të ekspozuar ndaj pasojave që shkakton kjo ndotje në shëndetin tonë”, tha Rigers Hasa gjatë diskutimit që përfaqësuesit e shoqatës Together for Life hapën për nxënësit.

I madh ishte dhe interesi nga ana e nxënësve për të mësuar më shumë mbi arritjet e deritanishme të projektit Achive “Ajër i pastër në Tiranë: më shumë ecje, biçikleta dhe transport urban”dhe punës shumëvjeçare të shoqatës në mbrojtje të mjedisit./ Shendeti.com.al

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here