“Varreza” e mbetjeve në Porto Romano, Bashkia e Durrësit dorëzohet

Që në moshën 7-vjeçare ai ka filluar të punojë në një vendgrumbullim mbetjesh në Porto Romano. Prej 10 vitesh, Fatjoni mbledh dhe shet kartona.

“Vijmë nga ora 12 e natës, 2 , 3. Vendosim elektrik në kokë. Vijmë bashkë me mamin dhe dy vëllezërit. S’kemi ku të shkojmë. Të tre bëjmë tek 200 mijë lekë në muaj”, thotë ai.

Rreth 30 persona presin makinat e mbetjeve për të seleksionuar kartona, kanaçe dhe materiale të tjera për t’i shitur më pas. Një sipërfaqe sa gjysma e një fushe futbolli është e mbushur me mbetje, pas një marrëveshje mes tre bashkive Durrës, Kavajë e Shijak.

Por hapësira, e cila zyrtarisht administrohet nga Bashkia e Durrësit, nuk plotëson asnjë nga kriteret, siç është rrethimi, sistemi kundër zjarreve dhe rojet.
Era e keqe gjatë djegies së mbetjeve është një shqetësim për banorët e zonave përreth, të Porto Romanos, Shen Vlashit dhe Spitallës. Të prekura nga kjo situatë janë edhe institucionet arsimore, të cilat gjenden fare pranë vendgrumbullimit.
“Vazhdojmë mësimin. Nuk kemi ku të shkojmë”, thotë Hyrmet Braha, nën.drejtor i shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”.

Vendgrumbullimi shërben për mbetjet e 3 bashkive, Durrës, Shijak dhe Kavajë. Në të depozitohen çdo vit rreth 70 mijë tonë mbetje, ku lartësia e tyre në Porto Romano kalon 3 metra.
Institucionet vendore të Durrësit thonë se janë financiarisht të pafuqishme për të ngritur një landfill që në fakt duhet t’u përkasë tre bashkive, duke ja lënë barrën Ministrisë së Mjedisit për një zgjidhje të integruar.
“Absolutisht kjo është e vetmja zgjidhje që ne të zvogëlojmë sadopak ndotjen e mjedisit për komunitetin e bashkisë së Durrësit dhe të zonave përreth”, thotë Fadil Ago, shef i shërbimeve të Pastrim-Gjelbërimit në Durrës.
Dhe derisa të gjendet një zgjidhje, të gjithë ata që jetojnë, punojnë e studiojnë këtu, i pret e njëjtë gjë çdo ditë./ TopChannel

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën