Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes në dhëmbë, Prokuroria dërgon në gjyq 7 persona! Akuza për vrasje nga pakujdesia

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtatë persona në lidhje me humbjen e jetës së të miturit Brian Spahiu, 3 vjeç, pas një ndërhyrjeje dentare të kryer në një klinikë private në kryeqytet.

Në kuadër të procedimit penal nr. 6477 të vitit 2023, Prokuroria ka ngritur akuza ndaj:

Ronald Xhaxho dhe Marta Gina, për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim;

Ina Xhaxho, për “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” në bashkëpunim dhe “Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm”;

Elton Serani dhe Erindo Allo, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

D.A. dhe V.H., për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

Ngjarja ka ndodhur më 28 shtator 2023, kur i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent”, e drejtuar nga mjekët R.Xh. dhe I.Xh. Pas ndërhyrjes, fëmija është kthyer në banesë, por brenda pak orësh është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore, në gjendje kome dhe me insuficiencë respiratore akute, në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. I mituri ka ndërruar jetë më 1 tetor 2023.

Sipas aktit të riekspertimit dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, të kryer nga një grup ekspertësh italianë, shkaku kryesor i vdekjes ka qenë shoku septik i rëndë, i cili ka sjellë insuficiencë progresive shumëorganore. Ekspertët kanë konstatuar se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë janë kryer shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare, të cilat kanë pasur lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e të miturit.

Sipas Prokurorisë, shkeljet përfshijnë mungesën e vlerësimit të plotë klinik para ndërhyrjes, moskryerjen e analizave të detyrueshme, mosformulimin e një diagnoze të saktë, kryerjen e një ndërhyrjeje më të gjerë se sa lejohet për moshën e fëmijës, përdorimin e anestezisë së përgjithshme për rreth 5 orë, si dhe largimin e papërshtatshëm të fëmijës nga klinika pas ndërhyrjes.

Hetimi ka provuar gjithashtu se stomatologët I.Xh. dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit, duke marrë pagesë për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 dhëmbë nuk ishin mbushur, por vetëm ishin hapur. Për këtë fakt është ngritur akuza për mashtrim. Po ashtu, rezultoi se stomatologia I.Xh. ka vijuar ushtrimin e aktivitetit pa rinovuar licencën përkatëse.

Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje edhe nga ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe nga mjekët e pediatrisë që kanë trajtuar fëmijën pas paraqitjes në spital. Sipas aktit të riekspertimit, megjithëse janë evidentuar mangësi në trajtimin mjekësor, vdekja e të miturit nuk erdhi si pasojë e veprimeve të tyre, por nga veprimet dhe mosveprimet e mjekëve që kryen ndërhyrjen dentare dhe anestezinë.

Postime të ngjashme

Si ta kuptoni nëse keni intolerancë ndaj laktozës
Studimi zbulon se shumica e efekteve anësore të statinave nuk shkaktohen nga ilaçet
Kur duhet ta merrni magnez që të jetë vërtet efektiv?
Çfarë i ndodh trupit tuaj kur bëni ushtrime në mëngjes
Kapsllëku: Çfarë mund të tregojë për shëndetin tuaj dhe kur nuk duhet ta injoroni
Shëndetësia “nga xhepi”, familjet shqiptare paguajnë faturën më të lartë në rajon
Duhani: 7 të vërteta që nuk mund t’i injorojmë më
Studimi: Më shumë se një e treta e rasteve të kancerit janë të parandalueshme