Nga Co-Plan
Komuniteti i një zone tek njësia bashkiake nr.5 së bashku me Co-PLAN, Bashkinë Tiranë dhe Universitetin POLIS, kanë punuar së bashku për disa muaj, për të shndërruar hapësirën mes pallateve të tyre. Ata e kanë gjelbëruar, sistemuar, kanë shtuar hapësirat rekreative, sipas vullnetit dhe dakordësisë së përbashkët të qytetarëve të zonës. Rezultati është i admirueshëm.
Kjo nismë, vjen në kuadër të projektit ‘Aktivizma Urbane për Demokraci Qytetare’, i zbatuar nga Co-PLAN në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Universitetin POLIS, dhe i mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, Deutche Zentrum dhe Balkan Art Angle. Koordinatori i projektit është Silvi Jano, planifikues urban, i cili e ka udhëhequr këtë projekt me shumë përkushtim.
Projekti adreson domosdoshmërinë që komuniteti të rimarrë rolin dhe përgjegjësinë e tij në proceset e qytetbërjes nëpërmjet një pjesëmarrjeje më të lartë në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes në nivel komuniteti apo dhe qyteti.
Në fokus të këtij projekti është gjelbërimi dhe sistemimi i hapësirave publike në lagjet e qytetit, nëpërmjet aktivizmave urbane në bashkëpunim me vetë qytetarët.
Kjo ndërhyrje në njësinë bashkiake nr. 5 përbën një shembull shumë të mirë të planifikimit me pjesëmarrje si dhe të pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në vendimmarrje. Projekti i zbatuar në dy faza, adreson një problematikë të identifikuar nga vetë komuniteti, në një mënyrë që ka sintetizuar në mënyrën më përfshirëse të mundshme të sygjerimeve të vetë komunitetit. Gjelbërimi kryesisht me bimë vendase dhe shtimi i hapësirave shplodhëse kanë qenë dy nga elementet kryesore të ndërhyrjes.
Ndërhyrjet e kësaj natyre janë veçanërisht të rëndësishme në një kohë kur hapësirat publike shpesh janë prekur nga presioni për të ndërtuar. Për këtë arsye ato mbeten në gjendje të pamirëmbajtur dhe shpesh trajtohen si hapësira tranzitore dhe të askujt. Me pak vullnet, dëshirë dhe përpjekje të përbashkëta, ne mund t’i shndërrojmë këto hapësira në vendet më popullore e të frekuentuara të lagjeve tona.



