10 fakte të rëndësishme nga OBSH: Si ka ndikuar ndotja e ajrit në shëndetin e fëmijëve

Blertina Koka

Një ambient i sigurt, i shëndetshëm dhe mbrojtës është i nevojshëm që fëmijët të rriten dhe zhvillohen të shëndetshëm.

Në vitin 2015, ulja e rreziqeve mjedisore mund të kishte parandaluar më shumë se treçerekun e 5.9 milionë vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjeç. Fëmijët janë sidomos të ndjeshëm ndaj ndotjes së ajrit, substancave të dëmshme, ndryshimeve klimaterike dhe higjienës së dobët.

Në mars të vitit 2017, OBSH publikoi botimin e dytë të studimit “Të trashëgojmë një botë të qëndrueshme: Atlasi i shëndetit të fëmijëve dhe mjedisi”, që nënvizon ndikimin e mjedisit tek shëndeti i fëmijëve dhe rekomandon zgjidhje për parandalimin e sëmundjeve dhe vdekjeve në të ardhmen.

Fakt 1: Më shumë se 1 në 4 vdekje mund të ishin parandaluar duke pastruar mjedisin

Çdo vit, faktorët e rrezikshëm mjedisorë, si ndotja e ajrit brenda dhe jashtë ambienteve të shtëpisë, tymi i duhanit dhe higjiena e dobët marrin jetët e 1.7 milionë fëmijëve nën 5 vjeç – 26% e vdekjeve të fëmijëve.

Fakt 2: Në mbarë botën janë shtuar rastet me astmë tek fëmijët

Në të gjithë botën, 11-14% e fëmijëve të moshës 5 vjeç e sipër shfaqin simptoma të astmës. Shumë nga këto simptoma janë të lidhura me ndotjen e ajrit, tymin e duhanit, polenet, myku dhe lagështia.

Fakt 3: Ndotja e ajrit është një ndër faktorët më të rrezikshëm mjedisorë në shëndetin e fëmijëve

Çdo vit, më shumë se 570 mijë fëmijë nën 5 vjeç vdesin nga sëmundjet respiratore, si pneumonia, e lidhur me ndotjen e ajrit brenda dhe jashtë ambienteve të shtëpisë dhe tymi i duhanit.

Fakt 4: Aksesi në ujë dhe higjienë të pastër mund të kishte parandaluar 361 mijë vdekje të fëmijëve nga diarreja

Sëmundjet e diarresë janë ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve tek fëmijët nën 5 vjeç. Çdo vit, 361 mijë fëmijë nën 5 vjeç vdesin nga diarreja, që mund të ishin parandaluar duke siguruar ujë dhe higjienë të pastër dhe mbylljen e kanaleve të ujërave të zeza.

Fakt 5: Helmimet akute nga pesticidet gjatë fëmijërisë mund të vënë rrezik jetën

Pesticidet kimike përdoren gjerësisht për të mbrojtur prodhimet bimore nga insektet apo për të larguar mushkonjat nga shtëpia. Përdorimi i pasigurt, ruajtja dhe hedhja vend e pa vend e pesticideve janë ndër shkaktarët kryesor të helmimit akut tek fëmijët.

Fakt 6: Malaria ka shkaktuar në vitin 2015 më shumë se 300 mijë vdekje të fëmijëve nën 5 vjeç

Malaria është një sëmundje e rëndë që shkaktohet nga parazitë shumë të vegjël, të cilët ia fut njeriut në gjak mushkonja anofele kur e pickon, dhe që shfaqet me ethe të forta e me të dridhura, të cilat e zënë njeriun herë pas here zakonisht në mbrëmje; ethet e kënetës.

Kjo mushkonjë preferon ujërat e qeta apo të ndenjura. Menaxhimi më i mirë i këtyre ujërave mund të kishte parandaluar më shumë se 300 vdekje të fëmijëve nën 5 vjeç.

Fakt 7: Plumbi është një nga kimikatet më të dëmshme, sidomos për fëmijët

Fëmijët janë më të rrezikuar nga efektet toksike të plumbit dhe mund të pësojnë dëmtime serioze, sidomos në zhvillimin mendor dhe të sistemit nervor. Duke qenë se ata kalojnë më shumë kohë duke luajtur jashtë dhe shpesh i fusin gishtat dhe objekte të tjera në gojë, janë më të rrezikuar nga ekspozimi i plumbit.

Fakt 8: Helmet shkaktojnë rreth 23 mijë vdekje të fëmijëve nën 5 vjeç çdo vit

Është shumë e rëndësishme që të mbrohen fëmijët nga helmimet. Fëmijët janë sidomos të rrezikuar nga helmet për shkak të madhësisë së vogël trupore dhe moszhvillimit psikologjik, dhe sepse ata pëlqejnë të eksplorojnë dhe shpesh i fusin objektet në gojë. Ata helmohen zakonisht nga objekte shtëpiake toksike (produktet për pastrimin e shtëpisë apo ato që përdoren për vrasjen e insekteve), ilaçet, farat, kërpudhat, benzina, vajguri etj.

Fakt 9: Ekspozimi i hershëm ndaj faktorëve të rrezikshëm mjedisorë rrit rrezikun për kancer

Edhe pse nuk dihet shumë rreth origjinës së zhvillimit të kancerit tek fëmijët, faktorët e rrezikshëm mjedisorë, si rrezatimi solar dhe jonizues, tymi i duhanit, aflatoksina dhe disa pesticide të tjera, mund të çojnë në zhvillimin e kancerit në fëmijëri dhe vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse edhe në vitet në vazhdim.

Fakt 10: Ndryshimet klimaterike rrisin rrezikun e sëmundjeve, sidomos për fëmijët në vendet në zhvillim

Ndryshimi klimaterik është një nga faktorët më të rrezikshëm mjedisor në shëndetin e fëmijëve. Temperatura dhe nivelet e larta të dyoksidit të karbonit në atmosferë, që favorizojnë shtimin e poleneve, kanë shtuar rastet me astmë tek fëmijët. Mungesa e furnizimit me ujë të pastër dhe ulja e të korrave mund të çojë në kequshqyerje dhe pengojë rritjen e fëmijëve siç duhet. Valët më të shpeshta të të nxehtit mund të vënë gjithashtu fëmijët në rrezik nga stresi, sëmundjet renale dhe respiratore./ Shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën