10-vjeçarja, prej 1 muaji peng i operacionit, mjekët premtojnë se do t’i japin zgjidhje

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

E.T. është 10 vjeç, nga Korça. Prej një muaji e gjysmë vogëlushja gjendet e shtruar në spitalin e Traumës me këmbë me probleme. Shkak një aksident me makinë, që e detyron t’i nënshtrohet një operacioni. Prindërit denoncuan rastin, pasi u shprehën se spitali i Traumës nuk ofron zgjidhje për ta, ndërkohë që shuma që duhej paguar për materialet ortopedike (për të cilat spitali ka mungesë) arrinin shifrën 1800 euro, por në rastin e familjes me 8 fëmijë, 1800 euro janë një shifër e paimagjinueshme.

Megjithatë, pas interesimit të gazetës “Shëndet+”, duket se çështja ka marrë zgjidhje, sepse mjeku Bardhyl Guçe shprehet se tashmë pacientes i janë bërë matjet dhe se gjithçka është gati për të bërë ndërhyrjen.

Spitali i TraumesNëna e 10-vjeçares: Nuk kemi para. Fëmijët i kemi lënë në dorë të shtetit

Shpresa, nëna e 10-vjeçares, thotë se vështirësitë kanë qenë të mëdha që me aksidentin e së bijës dhe se mjekët u kanë thënë që kostoja për operacionin shkon 1800 euro.

“Vajza ka bërë një aksident. Bën 1800 euro operacioni, ai hekuri që duhet të vendosë te këmba. Nuk i kemi kaq para. Kam 8 fëmijë. Gocën ma kanë shkelur dhe nuk janë përgjigjur për të. Shkoi bashkë me motrën në dyqan. Kur po kthehej, e përplasi furgoni. Erdhi policia, erdhën na lajmëruan. Vonë e vonë erdhi ambulaca dhe e çuan në spital të Korcës. Pastaj na sollën këtu. Jemi këtu që nga data 5 prill. Se nuk ndenjëm në spitalin e Korçës, pasi nuk po i bënin gjë”.

E pyetur për fëmijët e tjerë, ajo tregon se ia ka marrë bashkia deri kur të kthehen. “Kemi një muaj e gjysmë këtu. Fëmijët na i ka marrë shteti deri kur të kthehemi ne, se nuk ka kush t’i mbajë”, thotë ajo.

Mjekët: Të qetësohen familjarët, operacioni do të kryhet

Pas denoncimit të këtij rasti, gazeta “Shëndet+” vendosi që të komunikojë me mjekët të cilët po merren me rastin e vogëlushes. Ndërsa ditët e para mjekët ishin të zënë me operacione, së fundmi u arrit komunikimi me ta. Mjeku Bardhyl Guçe shprehet se tashmë pacientes i janë bërë matjet dhe se gjithçka është gati për të bërë ndërhyrjen.

“E dimë që jeni interesuar për rastin. Ne ishim dje dhe bëmë të gjitha matjet dhe operacionin do ta realizojmë sa më shpejt të mundemi. Nuk do të ketë asnjë kosto financiare për familjarët. I kemi njoftuar edhe prindërit për këtë gjë”, tha mjeku Guçe.

Ministri i Shëndetësisë premton miliona investim, nuk realizon asnjë

I pranishëm në një konferencë me mjekë të Traumës, ministri Ilir Beqaj tha se mungesa e protezave nuk është për faj të mjekëve dhe as përgjegjësia e tyre. Edhe pse janë mjekët ata që përballen me pacientët.

Në kushtet ku zgjidhja e vetme është që materialet ortopedike të blihen jashtë, mjekët detyrohen të bëjnë kompromise me veten e më pas me pacientët. Këto kompromise për mjekët cilësohen si “shkelje e integritetit dhe profesionalizmit”, ndërsa për pacientët cilësohen si “korrupsion i hapur”.

“Sigurisht, te Trauma ne kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi edhe sot një boshllëk, i cili kohët e fundit ka qenë pjesë edhe e një lloj shkëmbimi opinioni me pak qejfmbetje nga mjekët, por nuk ka qenë një pretendim ndaj mjekëve. Nëse spitali nuk ka sot proteza, ky nuk është as faji i mjekëve dhe as përgjegjësi e mjekëve, por të paktën me buxhetin e këtij viti, meqenëse këtu u fol se duhen edhe para për të bërë më shumë për Traumën, janë 100 milion lekë të reja në dispozicion vetëm për të blerë proteza. Sigurisht me të drejtë duhet të blihen sa më shpejt, por bashkë me përfaqësuesit e QSUT-së dhe Spitalit të Traumës kemi kaluar një periudhë të parë dhe na është dashur ta bëjmë sa më mirë dhe në mënyrë sa më të qëndrueshme, që pastaj, nga ky vit e në vazhdim, të kthehet në një procedurë që bëhet në mënyrë shumë më rutinore”, u shpreh ministri.

Sot, kur ka kaluar më shumë se një muaj nga fjala e ministrit, situata vazhdon të mbetet e njëjtë.

Postime të ngjashme

AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik