Përgatiti për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta
Heather Keating, nga Tipperary, Irlandë, u diagnostikua me kancer pas një vizite tek gjinekologu, pasi vuri re gjakderdhje abnormale në mes dhe pas marrëdhënieve seksuale.
Kjo vajzë u diagnostikua me kancer të qafës së mitrës në moshën 24 vjeçare. Heather e ndau historinë e saj në Facebook për të inkurajuar të gjitha gratë dhe vajzat të bëjnë kontrolle të rregullta dhe të kujdesen për shëndetin e tyre.
“Asnjëherë, as në ëndrrat e mia më të këqia, as në makthet e mia, nuk kam menduar se kam pasur kancer. Që në momentin kur më thirrën në klinikë për të më thënë rezultatet e kuptova se lajmi nuk ishte i mirë” sqaroi Heather kur mediat kërkuan të dinin më shumë rreth momentit të përballjes së saj me sëmundjen e tmershme. “Gjakderdhja gjatë dhe pas marrëdhënieve seksuale më bëri të kuptoj se diçka nuk po funksiononte si duhej, gjë e cila më bëri të shkoj tek mjeku dhe të filloj trajtimin e nevojshëm”.
Unë vendosa të bëj publike historinë time dhe simptomat të cilat më bënë të kuptoj se diçka jo normale po ndodhte në trupin tim, për t’ju ardhur në ndihmë vajzave dhe grave, të cilat mund të jenë të rrezikuara, vijoi ajo.
Kanceri i qafës së mitrës është një ndër tumoret e shpeshta që po rrezikon shëndetin e gruas edhe në vendin tonë. Ky është një nga format më të shpeshta të kancerit tek gratë dhe quhet kështu sepse zhvillohet në atë pjesë të organeve gjenitale femërore që njihet në mjekësi si “qafa e mitrës”. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Studimeve për Kancerin (IARC), rreth 500,000 gra sëmuren dhe rreth 280,000 të tjera vdesin çdo vit në botë nga ky lloj kanceri.
Burimi: topnaturaltips.com/shëndeti.com.al


