Kryefaqja Aktualitet 28 vjet në shërbim të higjienës. Lili: Nuk kam marrë kurrë vërejtje...

28 vjet në shërbim të higjienës. Lili: Nuk kam marrë kurrë vërejtje në punë

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Higjiena në spitale apo qendra të shërbimit shëndetësor është një çështje në dukje e vogël por mban një peshë të madhe sa i përket përhapjes së infeksioneve. Ndaj punonjëset e këtij shërbimi, pra sanitaret, kanë jo pak përgjegjësi. Qëndrojnë në hije dhe larg vëmendjes së njerëzve, e sidomos të kamerave, megjithatë janë kudo nëpër institucione të shërbimit shëndetësor, e jo vetëm.

Në Poliklinikën e Specialiteteve numër 3 në Tiranë, punojnë plot 6 sanitare. Duke qdnë se kjo Poliklinikë njihet si Poliklinika Qendrore, fluksi i njerëzve që kalojnë aty çdo ditë është shumë i lartë. Ndaj edhe detyra e sanitareve është intensive.

Kërkesës së “Pro Pacientit” për të biseduar me një nga punonjëset e higjienës së Poliklinikës, drejtoresha Valdete Malaj i përgjigjet si gjithmonë, pozitivisht. Megjithatë ajo nuk e specifikon emrin, pasi sipas saj të gjitha punonjëset që kujdesen për higjienën e atij institucioni janë njëlloj të përgjegjshme.

Kryeinfermierja na njeh me Lilin. Ajo ka vite që punon dhe, sipas kolegëve, mjekëve dhe infermierëve, cilësohet si një nga punonjëset me të dalluara të Poliklinikës.

Ka punuar 28 vjet në këtë pozicion, pa shkëputje fare. Me disa fjalë të pakta, por shumë të sinqerta, Lili na tregon se si nis dita e saj e punës dhe përgjegjësitë që ajo ka.

Kur nis dita jote e punës?

Orari i punës fillon në 6. Kjo është gjëja e parë që na kërkohet. Të jemi korrekt me zbatimin e orarit. Sepse numri i njerëzve që vijnë këtu, që herët, sapo hapet poliklinika, është shumë i lartë. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur. Çdo gjë duhet të jetë gati.

Sa sanitare jeni dhe për cilën pjesë përgjigjesh ti?

Gjithë poliklinika ka 6 sanitare. Unë përgjigjem për kabinetet dhe për një pjesë të katit të parë. megjithatë ne shpërndahemi dhe koordinohemi me njëra tjetrën ku të ketë më shumë nevojë.

Megjithatë, si në çdo vend tjetër, puna ka radhë. E filloj nga kabineti i fibros, kaloj të Kryeinfermierja, dal të flebologjia, pastaj vazhdoj me disa zyra. Në flebologji mund të hy 3-4 herë.

Ndërsa në laborator duhet të tregohemi akoma më të kujdesshme. Pasi gjërat ndahen nëpër kartonë të veçantë. Kemi kartonët që ndajmë aget nga pambukun nga dorezat dhe shiringat.

Cilat janë vështirësitë që has gjatë ditës?

Nuk mund të them që has ndonjë vështirësi. Po dihet që këtu numri i njerëzve është shumë i lartë dhe kjo na lodh pak. Nuk duhet të na shpëtojë asnjë gjë. Por, kur ne pretendojmë që e pastruam, ndodh që ka ardhur dikush tjetër dhe e ka bërë përsëri pis. Pra, duhet të jemi gjithë kohën në lëvizje.

Je thirrur ndonjëherë për vërejtje nga drejtoria gjatë gjithë këtyre viteve?

Nuk jam thirrur kurrë për vërejtje. Jam e kënaqur. Kam punuar me kënaqësi, pa përtim. Kam punuar 28 vjet me shumë dëshirë. Dua dhe 5 vjet të dal në pension./ ProPacientit 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here