Mbrëmja e 19 tetorit 2026 do të nxirrte në pah një situatë kritike, alarmante dhe të rrezikshme për qindra pacientë në Spitalin e Traumës në Laprakë. Askush s’e kishte menduar që një spital do të përjetonte minuta errësire totale, pasi kjo nuk ndodh as në vendet e luftës, e jo më në një kryeqytet si Tirana dhe në kushte normale.
Kjo situatë, e raportuar fillimisht në rrjetet sociale, më pas në media, deri përtej kufijve, vuri në lëvizje Kontrollin e Lartë të Shtetit.
Të nesërmen e errësirës totale të natës së 19 tetorit, audituesit zbarkuan pranë Spitalit. Nga kontrolli i dokumentacionit u zbulua se, edhe pse me disa godina, ky spital kishte në letra vetëm 4 gjeneratorë.
Verifikimi i imtësishëm i audituesve, sipas burimeve për WebLajm.com, zbuloi atë që askush s’do ta mendonte. Nga katër gjeneratorët, funksional ishte vetëm njëri prej tyre. Edhe ky gjenerator funksional që do të duehj të mbajë me energji në rast emergjence spitalin rezulton, sipas kontrollit të auditit, se i ka kaluar koha e servisit, mirëmbajtjes dhe nuk është kryer.
Në një kohë kur ka me qindra pajisje e dhjetëra godina që furnizohen nga rrjeti elektrik dhe, në emergjenca, ato do të duhet të marrin korrent nga gjeneratori, linja e emergjencës.
Ngarkesa e të gjitha pajisjeve në një gjenerator bën që ky gjenerator jo vetëm të mos e përballojë, por porta e tij e sigurisë, për të mos u djegur nga ngarkesa, të shkëpusë energjinë.
Teksa që dimri ka trokitur dhe temperaturat e ulëta kërkojnë që spitali të ketë funksionale jo vetëm pajisjet spitalore, por po ashtu edhe kaldajën dhe ngrohjen, të qenët edhe të katër gjeneratorëve në gjendje funksionale pune do ta vështirësonte përballimin e mungesës së energjisë nga rrjeti.
Po kur nga katër punon vetëm njëri, gjen vend shprehja “Zot na ruaj”, pasi, kur mungojnë dritat, sipas KLSH-së, te Trauma mund të rrezikohet jeta edhe për mungesë të gjeneratorëve.
Zyrtarisht, ende s’ka një hetim për të zbuluar nëse ka apo jo përgjegjësi penale për këtë situatë të rëndë. Pasi ndërprerja e energjisë, qoftë edhe për 1 sekondë, e jo më për 1 minutë, në një spital me salla operatore, trauma, pacientë në koma të intubuar, jo vetëm që automatikisht kthehet në pasoja direkte për jetën.
Për fat, nuk u shënua asnjë humbje jete, por kjo errësirë zbuloi se si, me 4 gjeneratorë dhe me vetëm një funksional, mbahet e gjithë Trauma, e cila së paku do të duhej të kishte për çdo godinë nga një gjenerator të dedikuar dhe me ngarkesë të përllogaritur, që të mos shkëputet energjia për asnjë çast.
Këto janë disa foto nga oborri ku mbahen gjeneratorët e Traumës, oborr i cili sot është kthyer në kantier ndërtimi.

Ndoshta këto punime kanë shkëputur energjinë, prerë apo dëmtuar një kabull. Askush s’e ka sqaruar, por është e faktuar me pamje filmike ajo që ka ndodhur, pra shkëputja e energjisë elektrike mbrëmjen e 19 tetorit 2026./weblajm


