Hernia e diskut/diskale zakonisht ndodh si rezultat i konsumimit gradual, degjenerimit të disqeve të shtyllës kurrizore. Me kalimin e kohës, disqet e shtyllës kurrizore humbasin një pjesë të përmbajtjes së ujit duke i bërë më pak fleksibël dhe më të prirur për të pësuar dëmtim madje edhe rupturë. Disku i prekur nga hernia diskale mund të shtypë nervat që ndodhen pranë duke shkaktuar dhimbje si dhe dobësim apo mpirje të gjymtyrëve, por ka edhe raste kur nuk shoqërohet me asnjë lloj simptome.
Shkak i mirëfilltë i shfaqjes së hernies diskale nuk është i mirëpërcaktuar. Mund të shfaqet si rezultat i ngritjes së peshave të rënda dhe rrallëherë mund të vijë edhe nga traumat e shpinës.
I ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, doktor Altin Erindi, i specializuar për mjekësinë fizike dhe rehabilituese foli në lidhje me Hernien diskale, sëmundje kjo që mesa duket është një nga më të përhapurat në vendin tonë.
“Popullsia në përgjithësi vuan nga kjo sëmundje, nga vitet 1980 e deri sot është një nga sëmundjet më të përhapura. Preferohet që tek mjeku të shkohet që në fazat e para të dhimbjes që situata të mos jetë rënduar ende. Herniet, në varësi të nivelit ku dalin, pasi ka përveç mesit edhe në qafë, ngatërrohen shpesh me dhimbje muskulare. Shenjat e hernies zakonisht janë ato që ngatërrohen me dhimbje nervore. Shiatika është në të vërtetë një hernie diskale në gradën e pestë”, u shpreh mjeku.
Erindi ka sqaruar gjithashtu mënyrat e trajtimit të hernies diskale.
“Kirurgjia kur rastet janë më të rënda dhe e dyja është fizio terapi, që kemi rase përmirësimi apo nevojë për kirurgji më pas që janë raste të pakta. Hernia duket si diçka e tmerrshme por realisht në më shumë se 50 për qind të rasteve hernia shërohet, duke e lënë në qetësi rreth një muaj ajo shërohet plotësisht vetë. Një përqindje tjetër nuk kanë asnjë simptomë pasi dalin në vende që nuk prekin nervat”, tha ai.