Mjekët e spitalit të Durresit janë vënë sërish në shënjestren e denoncimit për neglizhencë. Këtë radhë janë mjekët e urgjencës të cilët janë akuzuar nga një qytetar që pretendon se bluzat e bardha nuk kanë kryer misionin e tyre dhe për pasojë motra e tij ka ndërruar jetë në duart e tyre.
Albert Dedej thotë se motra e tij 56- vjecare kishte shkuar në urgjencë pasi kishte kaperdirë një sasi medikementesh dhe për tre orë me radhë nuk është vizituar nga mjekët. Sipas tij, bluzat e bardha nuk u angazhuan aspak në këtë rest pasi motra e tij ishte bërë pis teksa ishte rrëzuar në një kanal në zonën e Porto Romanos.
Krahas denoncimit publik, Dedej thotë se do bëj denoncim edhe në policinë e Durresit me qëllim që kjo e fundit të nisi hetimet për rastin në fjale. Sipas tij ngjarja ka ndodhur tre ditë më pare në Urgjencen e spitalit të Durresit.
Jashte kamerave, mjekët deklarojnë se rasti është trajtuar me përkushtim maksimal por për fatin e keq pacientja ka ndërruar jetë. Mjekësia ligjore po punon për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes së 56-vjeçares, e cila sipas të afërmve është paraqitur e helmatisur nga medikamentet që kishte gëlltitur.
Denoncimi i Albert Dedej
Albert Dedej: Rreth 1 orë kam qëndruar në urgjencë dhe motrës time nuk i është dhënë asnjë shërbim. Kur unë mbërrij në spital atëherë i vihet serumi. Asnjë mjek nuk afroheshe, sepse ajo kishte rënë në një kanal dhe ishte bërë pis. Plaka i luteshe mjekëve ma shpëtoni gocën.
I shkoja mjekëve dhe i thosha hajde verini serumin.
Nuk i gjejmë dot nervin më thoshin.
Një mjek më thotë merreni dhe çojeni në shtëpi se nuk kemi çfarë ti bëjmë.
Kërkoj mjekun e parë, ai më dërgon në një zyrë.
Mjeku me telefon në dorë më thotë: çfarë do?
I them që motrën e kam në gjendje të rëndë.
-Nuk jam unë po shko te dhoma tjetër se është filan mjek.
Shkoj prap te X mjek, ai më thotë se e ka doktor Luti. I thashë ku ndodhet doktor Luti?
-Ka ik për një emergjencë jashtë.
Unë pyes për doktor Lutin dhe më thanë që është jashtë. Shkoj e gjej, dhe i them që kam motrën ajo që është helmuar.
Ai më tha që –nuk është helmuar.
Në kohën që Dr. Luti vjen, më thotë që –mamaja jote më tha që e ka në kokë.
Në kohën që ai shkon ta shikojë më thotë që -këtë nuk e shpëton as zoti.
I thashë unë nuk e kam çuar tek zoti, e kam cuar në spital. Te zoti do shkojë kur t’i vijë ora.
Bëjnë një ndërhyrje të gjithë mjeket, unë i thashë që ky mjeku më tha që merreni cojeni në shtëpi.
Dr. Luti më tha që nuk ka ky urdhër që ta cosh në shtëpi, urdhërat i jap unë.
I thashë po ti nuk ishe. Nuk shkoi 5 min motra ime vdiq.
Burimi: Ora News

