Katarakti është mjegullimi i lentes natyrore të syrit. Nga momenti që lentja e syrit fillon të mjegullohet, në mënyrë progresive lejon gjithnjë dhe më pak dritë që të kalojë në pjesën e brendshme të syrit dhe kështu reduktohet vizioni në distancë të largët dhe të afërt.
Aida Zani, mjeke okuliste, shpjegon për lexuesin e gazetës “Shëndet+” gjithçka rreth këtij problemi okulistik.
Pas moshës 60 vjeç pothuajse të gjithë njerëzit kanë një katarakt fillestar. Është një proces deri diku fiziologjik i oksidimit. Oksidohen proteinat që përbëjnë trupin qelqor dhe ai nga transparent zbardhet. E pyetur nëse mund të marrin kemp personat që vuajnë nga katarakti, doktoresha përgjigjet se nuk mund të marrin, sepse katarakti është një problem anatomik totalisht i korrigjueshëm.
Doktoreshë, çfarë është katarakti?
Katarakti ose siç njihet “perdja e syrit” është një sëmundje e cila prek një pjesë të konsiderueshme të moshës së tretë. Ajo konsiston në trashjen progresive të lentes së syrit dhe është një nga shkaqet kryesore të humbjes së pamjes në botë. Një pacient me katarakt paraqet ulje graduale të shikimit, si dhe ulje të sensivitetit të kontrastit të ngjyrave, një shkallë të lehtë miopie, diplopi monookulare.
Si realizohet diagnostikimi?
Arrihet nëpërmjet testit të pamjes për larg dhe afër, e cila konfirmohet nga ekzaminimi në mikroskop.
Aplikohet një pikë në sy për të zgjeruar syrin dhe për të parë çfarë lloj katarakti është.
Katarakti është një sëmundje e cila korrigjohet vetëm me kirurgji dhe e cila konsiston në heqjen e lensit dhe zëvendësimin me lente artificial. Nuk ekzistojnë medikamente të cilat ndalojnë avancimin e kataraktit apo zgjidhjen e tij.
Nga studimet amerikane të 2004-s rezultojnë 17.2% e popullsisë mbi 40 vjeç me katarakt në njërin sy dhe 5.1% e popullsisë të operuar nga katarakti. Llogaritet që në 2020-n të ketë 30.1 milionë persona me katarakt dhe 9.5 milionë të operuar nga katarakti.
Nga se shkaktohet perdja e syrit?
Shkaktarët e kataraktit janë të lidhur me:
- Moshën
- Sëmundjet sistemike, si p.sh: diabeti, sëmundjet e zemrës, alergjitë, pneumonitë etj
- Dieta hiperkalorike
- Përdorimi i medikamenteve, si p.sh: kortizoni
- Zhvillim i vonshëm mendor
- Ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë
Si trajtohet?
Trajtimi i perdes së syrit realizohet me metoda bashkëkohore.
Operacioni kryhet me një aparaturë e cila konsiston në heqjen e lensit të opacifikuar dhe zëvendësimin e tij me një lente artificiale . Shikimi rikthehet 100%, nëse nuk ka dëmtime në pjesën e pasme të syrit. Ndërhyrja kirurgjikale zgjat rreth 15 minuta dhe ka shërim të shpejtë post operator, sepse është një ndërhyrje miniinvasive .
Duhet pasur parasysh se perdja e syrit mund të korrigjohet vetëm me kirurgji, dhe jo me medikamente.
A është katarakti i trashëgueshëm?
Jo, katarakti nuk është një sëmundje e trashëgueshme.
Sa ndikojnë problemet me diabetin në zhvillimin e kataraktit?
Diabeti duke qenë se është një sëmundje e prek pothuajse të gjithë organet, favorizon dhe zhvillimin më të shpejtë të kataraktit.
Sa e shpeshtë është në popullatë?
Në klinikën tonë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” katarakti është një diagnozë shumë e shpeshtë, por statistika të mirëfillta në lidhje me incidencën nuk ka.
A mund të rikthehet nëse trajtohet një herë?
Kjo lloj sëmundje nuk rikthehet sepse hiqet lensi natyral dhe zëvendësohet me lente artificiale. I vetmi problem është opacifikimi i kapsulës që mban lenten, i cili tek moshat e reja ndodh më herët, ndërsa tek moshat e vjetra më vonë dhe çon në mjegullimin e pamjes. Ky problem mund të zgjidhet nëpërmjet goditjes së kapsulës me “yag laser”.
Çfarë këshillohet për shmangien?
Përdorimi i syzeve me filtër mbrojtës.
A ka përkujdesje nga njerëzit?
Vihet re një përkujdesje dhe një informim në rritje për problemet e syve. Pacientët janë në dijeni të pritshmërive të rezultatit të operacionit. Janë të informuar mbi sëmundje të ndryshme të syrit.
Ka pacientë që konsultohen me farmacistin dhe marrin medikamente pa këshillën e mjekut. Sa problematik mund të paraqitet ky veprim?
Po, ka edhe raste të tilla të cilat fatkeqësisht nuk janë aq sporadike. Pacientët përdorin medikamente të lëshuara nga farmacisti me bazë kortizoni, të cilat vetëm përshpejtojnë avancimin e kataraktit.


