‘Konsensus’ në ‘Hetimorin’ e Shëndetësisë! Në listën e dëshmitarëve ish-ministri i arrestuar Beqaj e 8 të tjerë në hetim! Do kërkohet leje që të pyeten

Mbledhja e parë e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, pas zgjatjes së afateve me tre muaj, u zhvillua në ‘paqe’ mes opozitës dhe mazhorancës. Ndonëse punimet e këtij komisioni në sesionin e kaluar parlamentar janë karakterizuar nga tensione e debate, pa shumë diskutime sot palët ranë dakord për shkresat e informacioneve dhe listën e re të dëshmitarëve.

Puna do të vijojë për koncesionin e check up, ku pritet që të thirren si dëshmitarë të gjithë ish-drejtorët e QSUT që kanë shërbyer nga koha kur ka nisur zbatimin ky koncesion ( mars 2015). Pritet që të dëshmojë edhe drejtoresha aktuale e QSUT, Alma Cani. Në listë edhe Beqaj dhe 8 të tjerë në hetim.

Kryetarja Vokshi tha se në listë do jenë edhe ish-drejtorët e spitaleve rajonale Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, drejtori i Koço Gliozhenit, Traumës dhe anëtarët e grupit të punës së check up.

“Lista e dëshmitarëve. këtë e kemi diskutuar dje gjatë në mbledhjen e kryesisë, jemi dakordësuar që meqë një pjesë e materialeve nga spak sa i përket check up, që arrijnë deri në 2019, ka ardhur vetëm disa ditë para, kemi vendosur që ta nisim me ata persona në listën e dëshmitarëve që nuk preken nga mungesa e këtij informacioni. propozimi është që të thërriten ish-drejtorët e qsut, drejtoresha aktuale, ish-drejtoresha e spitalit durrës, traumës, shkodrës, elbasanit, vlorës, drejtori i koco gliozhenit, anëtarët e grupit të punës së check up, kanë qenë disa mjekë dhe mjekët që i kishim në listë para se të mbyllej sesioni i kaluar por nuk e bënë dot dëshminë”, tha VOKSHI.

Opozita dhe mazhoranca miratuan në seancën e 25 korrikut zgjatjen e afatit për komisionin hetimor për dy koncesionet sterilizimin dhe check up. I vetmi deputet që votoi kundër ishte socialisti Erion Braçe.

Koncensionet e Sterilizimit dhe Check-up-it janë prej disa kohësh çështje hetimore nga SPAK-u. Për çështjen e parë hetimet janë mbyllur, ndërsa janë nën arrest me burg ish-zv.ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe koncensionari Ilir Rrapaj, si dhe dyshohet për shkelje dhe shpërdorim detyre ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj. Ndërsa vazhdojnë hetimet për koncensionin e Check-up-it.

Shqiptarja.com ka siguruar listën e dëshmitarëve në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë për dy koncesionet sterilizimi dhe check up. 9 persona në hetim pritet të thirren për të dëshmuar, si ish-ministri Ilir Beqaj, ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj, e biznesmeni i sterilizimit Ilir Rrapaj.

Për të marrë në pyetje personat në hetim, fillimisht Komisioni Hetimor do duhet që të marrë leje nga autoritetet.

Postime të ngjashme

Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele