Në një konferencë për shtyp, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala ka deklaruar se do të shtohen barnat inovatore në listën e rimbursimit, për të garantuar akses më të gjerë për pacientët me patologji onkologjike dhe hematologjike.
Gjithashtu deklaroi se do të rritet sasia e të barnave ekzistuese në listë për të shmangur mungesat e krijuara herë pas herë, ndërsa shtoi se po ashtu do të hapen kufizimet në FSDKSH, për disa patologji onkologjike, duke rishikuar kriteret aktuale të përfshirjes së pacientëve në skemën e rimburismit.
“Për vitin 2026 kemi një rritje të buxhetit për barnat me vlerë 15 milionë euro, kemi përcaktuar në plan strategjik të qartë që mbështetet në tre shtylla kryesore.
Së pari, shtimi i barnave inovatore në listën e rimbursimit, për të garantuar akses më të gjerë për pacientët me patologji onkologjike dhe hematologjike. Synimi është që pacientët shqiptarë të kenë trajtime të krahasueshme me ato të vendeve të BE.
Së dyti, rritja e sasive të barnave ekzistuese në listë, për të shmangur mungesat e herë pas hershme që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në vijueshmërinë e trajtimit. Kjo do të shoqërohet me mekanizma të rinj monitorimi dhe planifikimi në bashkëpunim me QSUT dhe depot farmaceutike rajonale.
Së treti, hapja e kufizime në fond për disa patologji onkologjike, duke rishikuar kriteret aktuale të përfshirjes së pacientëve në skemën e rimburismit. Ky proces do të shërbejë që më shumë pacientë të përfitojnë nga trajtimet moderne, pa pengesa burokratike”, tha ministrja Sala.

