Studimi: Vaksina kundër kancerit mund të zhdukë plotësisht tumoret

Një trajtim i ri kundër kancerit po konsiderohet një hap i madh përpara në mjekësi, pasi rezultatet e një studimi ndërkombëtar kanë treguar se një injeksion i vetëm mund të zhdukë plotësisht tumoret tek disa pacientë, raporton The Guardian.

Studimi, i zhvilluar në 11 vende të botës, përfshiu pacientë tek të cilët kanceri ishte përhapur ose ishte rikthyer dhe nuk po reagonte ndaj trajtimeve të tjera si kimioterapia apo imunoterapia.

Injeksioni, i quajtur amivantamab, arriti të zvogëlojë tumoret tek më shumë se një e treta e pacientëve, ndërsa tek 15 prej tyre tumoret u zhdukën plotësisht. Ndryshimet u vunë re brenda pak javësh nga nisja e trajtimit.

Ekspertët e kanë cilësuar këtë rezultat si “të paprecedentë”, veçanërisht për pacientët që nuk kanë më alternativa të tjera trajtimi.

“Po shohim përgjigje jashtëzakonisht të forta tek pacientë që nuk reagojnë më as ndaj kimioterapisë dhe as ndaj imunoterapisë. Për këtë grup, opsionet janë shumë të kufizuara, ndaj këto rezultate janë shumë inkurajuese”, u shpreh profesori Kevin Harrington nga Instituti i Kërkimit të Kancerit në Londër.

Rezultatet e studimit pritet të prezantohen në konferencën më të madhe botërore për kancerin, atë të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO), në Çikago.

Në provë morën pjesë 102 pacientë me kancer të kokës dhe qafës, një nga format më të zakonshme të kancerit në botë. Tek 43 prej tyre tumoret u zvogëluan ose u zhdukën, përfshirë 28 raste me reduktim të ndjeshëm dhe 15 raste me zhdukje të plotë.

Studiuesit kanë vërejtur rezultate premtuese edhe tek pacientët me kancer të mushkërive. Ilaçi, i zhvilluar nga kompania Johnson & Johnson, po testohet aktualisht në rreth 60 studime klinike për disa lloje kanceri, përfshirë atë të mushkërive, zorrës së trashë, trurit dhe stomakut.

Ky trajtim vepron në tre drejtime: bllokon proteinat që ndihmojnë rritjen e tumorit, pengon mekanizmat që përdor kanceri për t’i shpëtuar trajtimit dhe aktivizon sistemin imunitar për të luftuar qelizat kancerogjene.

Një nga pacientët e parë që përfitoi nga ky trajtim është një 56-vjeçar nga Britania, i diagnostikuar me kancer të gjuhës. Pas dështimit të trajtimeve tradicionale, ai iu bashkua studimit dhe sot raporton përmirësim të ndjeshëm të gjendjes, duke iu rikthyer jetës normale.

Ndryshe nga shumë terapi të tjera, ky trajtim jepet përmes një injeksioni nën lëkurë dhe jo me serum intravenoz, duke e bërë më të shpejtë dhe më të lehtë për pacientët.

Efektet anësore rezultuan kryesisht të lehta deri mesatare, dhe vetëm një numër i vogël pacientësh u detyruan ta ndërpresin trajtimin.

Ekspertët theksojnë se edhe pse rezultatet janë shumë premtuese, nevojiten studime të mëtejshme për ta konfirmuar efektivitetin në një shkallë më të gjerë. Megjithatë, ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt trajtimeve më efektive për pacientët me kancer në faza të avancuara.

Postime të ngjashme

Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal
Pediatrja Lira Gjika: Pse nuk duhet ushqyer fëmija pas moshës 2 vjeç
Mjekja zbulon ushtrimet më efektive për rënien në peshë