Obeziteti gjatë shtatzënisë nuk ndikon vetëm në shëndetin e nënës, por mund të ketë pasoja edhe në shëndetin afatgjatë të fëmijës. Studimet kanë treguar se pesha e tepërt e nënës gjatë kësaj periudhe lidhet me një rrezik më të lartë që fëmija të zhvillojë mbipeshë, obezitet dhe probleme metabolike në të ardhmen.
Mjekja endokrinologe, Dr. Esmeralda Çela, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, ngre shqetësimin për rritjen globale të numrit të grave që e nisin shtatzëninë me mbipeshë ose obezitet, si dhe për shtimin e tepërt të peshës gjatë muajve të shtatzënisë.
Sipas saj, obeziteti maternal mbetet një problem i rëndësishëm shëndetësor, por vëmendja shpesh përqendrohet te komplikacionet që ai shkakton, si diabeti gestacional, hipertensioni dhe preeklampsia, ndërsa vetë obeziteti nuk trajtohet gjithmonë si një problem që kërkon vëmendje të veçantë.
Obeziteti maternal dhe rreziqet afatgjata për fëmijën
Dr. Çela thekson se kërkimet e viteve të fundit kanë vënë në dukje lidhjen mes obezitetit të nënës gjatë shtatzënisë dhe rrezikut që fëmija të përballet me probleme të peshës trupore dhe çrregullime metabolike më vonë në jetë.
Për këtë arsye, kujdesi shëndetësor nuk duhet të kufizohet vetëm në diagnostikimin dhe trajtimin e komplikacioneve gjatë shtatzënisë, por duhet të përfshijë edhe vlerësimin dhe menaxhimin e peshës trupore të nënës.
Sipas mjekes, rritja e rasteve të obezitetit, e kombinuar me vëmendjen e pamjaftueshme ndaj vetë problemit, e bën këtë gjendje një “epidemi të heshtur”, pasojat e së cilës mund të shtrihen përtej periudhës së shtatzënisë.
Parandalimi dhe menaxhimi i obezitetit përpara shtatzënisë dhe gjatë saj, përmes këshillimit mjekësor dhe një stili të shëndetshëm jetese, janë të rëndësishëm për shëndetin e nënës dhe fëmijës.


