Sot, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe Ambasadori Italian në Shqipëri, z. Massimo Gaiani, vizituan mjediset e rikonstruktuara të Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 3 (ose e njohur ndryshe si Poliklinika Qendrore) në Tiranë. Pajisjet e reja mjekësore u siguruan falë mbështetjes teknike dhe ndihmës financiare të Zyrës së Bashkëpunimit dhe Ndihmës Ndërkombëtare të Italisë (Cooperazione Italiana). E pyetur për gazetën “Shëndet+”, drejtuesja e kësaj Poliklinike Valdete Malaj shprehet se sot do të përurohet kabineti i radiologjisë, skopisë dhe ambienteve të mobiluara.
“Ky projekt ka filluar para shumë vitesh. Fillimisht me rikonstruksionin e Poliklinikës dhe tani në këtë periudhë u bë i mundur jo vetëm mobilimi i ambienteve por edhe sjellja e aparaturave grafi dhe skopi. Aparatura të prodhuara në shkurt të 2015-s, shumë cilësore, shumë të mira që ne na ndihmojnë shumë në përmirësimin e cilësisë së shërbimit shëndetësor. Që në ditën e parë që është vënë në punë janë bërë rreth 60 grafi në ditë. Ka një mbingarkesë. Tani mund të quhemi të kompletuar pasi në poliklinikë nuk na mungon më thuajse asgjë”, tha Malaj./ D.C



