Beqaj: 671 raste me HIV dhe AIDS në Shqipëri, njerëzit nuk diagnotikohen

Eglantina Bardhi

Në Shqipëri, 671 persona janë të diagnostikuar si mbartës të virusit Hiv Aids. Ndërkohë gjatë vitit 2013 rezultojnë se janë diagnostikuar 96 raste të reja. Por specialistët e shëndetit shprehen se është shqetësuese fakti se njerzit ngurojnë të diagnostikohen.

Në kuadrin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit Kundër HIV/AIDS, Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik dhe Programi UNAIDS në Shqipëri organizuan një konferencë për shtyp, ku Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj deklaroi se “njerëzit kanë shumë frikë të shkojnë për të bërë testet, dhe prandaj, simptomat e kësaj të keqeje nuk arrijnë të diagnostikohen në fazat e hershme”.
aidis
“Gjithashtu, studimet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që jetojnë me HIV, nuk e dinë diçka të tillë. Pra, në qoftë se diagnostikohet në fazat e hershme dhe trajtohet me mjetet e duhura, dikush me HIV mund të jetojë po aq gjatë sa edhe dikush pa të. Por shpesh, stigma dhe mitet apo stereotipitë e pengojnë diçka të tillë”, u shpreh ministri.

Në vendin tonë, ndonëse të dhënat aktuale tregojnë se nuk ka ndonjë epidemi të gjeneralizuar apo të përqendruar të HIV/AIDS-it, duke mbetur ende një vend me prevalencë të ulët të këtij infeksioni, vihet re një tendencë në rritje e numrit të rasteve të reja në vitet e fundit.
Ministri Beqaj tha se “nga 96 rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit 2013, 53 prej tyre janë diagnostikuar në stadin AIDS.

Një pjesë e këtyre pacientëve mund të kenë qenë të infektuar prej vitesh pa shfaqur simptoma. Për pasojë, këta persona mund të kenë infektuar, pa e ditur, edhe partneret e tyre gjatë një periudhe kohe relativisht të gjatë. Efekti i mundshëm shumëfishues i kësaj situate, po të kemi parasysh se secili prej këtyre personave mund të ketë pasur disa partnerë, është shumë i rëndësishëm dhe hedh dritë mbi nevojën e ngutshme për ta diagnostikuar infeksionin qysh në fazat e hershme të tij”.

Sipas ministrit, ajo që duhet bërë më shumë në këtë drejtim është këmbëngulja, për të bërë çdo përpjekje të mundshme për edukimin dhe rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit, dhe për të përkrahur çfarëdolloj nisme tjetër që shërben për të luftuar diskriminimin kundër HIV, kudo ku ne ndeshemi me të.

Ndërkohë nga ana e saj, përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara, Zineb Touimi Benjelloum vlerësoi punën e bërë deri më tani nga shoqëria shqiptare për integrimin e personave me HIV /AIDS. Ajo tha se “OKB ofron mbështetje për qeverinë shqiptare për të trajtuar këto çështje problematike dhe për të çuar përpara punën e saj në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin e personave që jetojnë me HIV.

Është e rëndësishme të theksohet se shoqëria shqiptare ka ndërmarrë hapa pozitiv, në drejtim të integrimit të njerëzve që jetojnë me HIV brenda komunitetit të tyre duke treguar dashuri dhe përfshirje. Fëmijët po shkojnë në shkollë, profesionistët nuk i kanë humbur punët dhe familjet mbështesin njëri –tjetrin”, tha Benjelloum, e cila shtoi se të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që shoqëria të pranojë sjellje të tilla.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Arjan Bregu garantoi intensifikimin dhe përpjekjen për sensibilizimin ndaj HIV AIDS. Një sëmundje lehtësisht e parandalueshme, por fatkeqësisht ende e pashërueshme.

Aktualisht në Shqipëri, prej 2004 deri në 2013, trajtohen me terapi 312 persona, ku mes tyre 292 të rritur dhe 20 fëmijë.

Preparatet antiretrovirale të linjës së parë të mjekimit sigurohen falas nga një fond i posaçëm i Ministrisë së Shëndetësisë dhe prokurohen përmes UNICEF-it. Që prej vitit 2008, projekti i Fondit Global ka siguruar blerjen e preparateve ARV të linjës së dytë. Ndërkohë, mjekimi me ARV u ofrohet falas personave që jetojnë me HIV/AIDS në Shqipëri që prej vitit 2004.

Postime të ngjashme

Tre arsye pse mund të jemi të uritur gjatë gjithë kohës
A varet shpeshtësia e gurëve në veshka nga niveli në gjak i vitamines D?
Kujdes! Këto 4 zakone mund të dëmtojnë mëlçinë
Stres intensiv: Cilat ushqime duhet të kufizoni?
Shpresë për pacientët me migrenë, Inteligjenca Artificiale parashikon se cilat ilaçe funksionojnë më mirë
Lëngu i qepës/ Zgjidhja ideale për pastrimin e organizmit
Nuk ka të bëjë me shtatzëninë! Dy arsye pse ju vonohet cikli menstrual
Sezoni i gripit në rritje? 5 zakone të përditshme që ju mbrojnë