Nga mjekja dermatologe Migena Vargu, QSUT
Studimet tregojnë që ulja e peshës trupore e të sëmurëve me psorias nga 5 deri në 10%, sjell ulje të nivelit të sheqerit në gjak, ulje të presionit të gjakut, si dhe ulet rreziku për t’u prekur nga sëmundja e diabetit.
Gjithashtu, bërja e një aktiviteti fizik (për shembull, ecje) 30 deri në 60 minuta në ditë është shumë e mirë për çdo individ, përfshirë këtu edhe të sëmurët me psorias.
Pacientët me psorias është e nevojshme të informohen për prirjen që kanë për t’u prekur dhe nga çrregullime të tjera.
Për këtë ata duhet të jenë të kujdesshëm në minimizimin e faktorëve riskues, si:
Duhanpirja- duhet bërë këshillimi dhe trajtimi specifik për varësinë ndaj duhanit.
Hipertensioni-duhet të monitorohet tensioni arterial, dietë e varfër me kripëra, aktivitet fizik, perdorimi i preparateve trajtuese të tensionit arterial.
Hiperlipidemia-niveli i lartë i yndyrnave duhet të monitorohet, duhet përdorur dietë e varfër në yndyrna, ushtrime fizike etj.
Diabeti-duhet monitoruar , dietë specifike, aktivitet fizik, trajtim specifik me preparate antidiabetike.
Psoriasi është një sëmundje mjaft komplekse. Kjo do të thotë që jo vetëm mjekët dermatologe, por edhe mjekët e përgjithshëm apo të specialiteteve të tjera , tek një i sëmurë me psorias nuk duhet të fokusohen vetëm në lëkurën e tyre, por edhe në kompleksitetin e çrregullimeve të tjera që ata mund të paraqesin.


