Blerina Bombaj, dietologe
Edhe pse famën e ka hudhra, preshi nuk mbetet mbrapa përsa i përket vlerave. Ky zarzavat gëzon veti të shkëlqyera mbrojtëse kundër disa tumoreve, si: ai i zorrës së trashë, kundër inflamacionit dhe alergjive të rrugëve të frymëmarrjes. Mos e kurseni! Sygjerimi ynë:
4 porcione
- 3 – 4 presh
- 2 lugë të mëdha vaj ulliri
- Kripë deti, piper
- 30gr djathë kaçkavall dhie
- 3 filxhanë lëng kockash
- 1 kupë oriz ose makarona integrale, të gatuara
- 80gr spinaq të grirë hollë
- Limon
Përgatitja:
- Grini hollë preshin dhe vendoseni në një enë të madhe me ujë të ftohtë. Lëreni 5min.
- Vendosni në tigan vajin e ullirit. Hidhni aty preshin duke e nxjerrë nga ena me ujë. Le të mbaje dhe pak ujë me vete. Hidhini kripë. E mbuloni me kapak dhe e gatuani në zjarr të ulët rreth 10min. E hapni kapakun dhe vazhdoni ta gatuani në zjarr të ulët për rreth 15min. Mos i lini të marrin ngjyrë kafe.
- Shtoni djathin dhe lëngun e kockave. Përshtasni kripën dhe i shtoni piper. Këtu i shtoni spinaqin. E gatuani vetëm pak.
- Vendosni në pjata të thella orizin ose makaronat e gatuara dhe më pas i shtoni përsipër supën. Anash mund të vendosni djath të grirë, limon dhe bukë të zezë.


