Një strategji e re mjedisi, me probleme të vjetra

Seniora 2

Bëhet një strategji e re pa u bërë një analizë e realizimit të premtimeve të strategjisë së mëparshme, e arsyeve të dështimit të premtimeve

Nga Rita Strakosha

Një projekt-strategji e re ndërsektoriale e mjedisit po konsultohet nga Ministria e Mjedisit me shoqërinë civile. Projekt-strategjia përcakton objektiva konkretë për t’u arritur deri në vitin 2020 në cilësinë e ajrit, të pyjeve, në mbetje, në adaptimin ndaj dhe mitigimin e ndryshimeve klimatike etj. Kështu, strategjia synon që niveli i ndotjes së ajrit në zonat urbane të pakësohet me 40%; emetimi i gazrave serë të pakësohet me 8% krahasuar me skenarin bazë; prerja e paligjshme e pyjeve të pakësohet me 40%; sipërfaqet e degraduara të pyjeve të rehabilitohen me 25%; sipërfaqet e zonave të mbrojtura të shkojnë deri në 17% të territorit; 100% e burimeve ujore të inventarizohen dhe të ngrihet Kadastra Kombëtare e Ujërave; shtretërit e dëmtuar të lumenjve të rehabilitohen me 25%.

Në fushën e mbetjeve strategjia synon riciklimin dhe kompostimin e mbetjeve urbane në masën 55 %. Ne fushen e zhurmave synohet reduktimi i ndotjes akustike me 30% ne zonat kryesore urbane, krahasuar me vitin 2014.

Shifrat janë shumë optimiste, por nëse do të realizohen apo jo është problem tjetër. Eksperienca me strategjinë e mëparshme të mjedisit është një indikator se sa do të realizohet kjo strategji e re. Por projekt-strategjia nuk analizon premtimet e bëra nga strategjia e mëparshme e mjedisit (2007-2014). Nëse ato premtime janë realizuar apo jo, nëse jo, pse. Një krahasim mes dy strategjive tregon se mjaft premtime të strategjisë 2007-2014 nuk janë mbajtur, dhe një pjesë e tyre përsëriten në strategjinë aktuale, duke hedhur dyshime mbi seriozitetin e ligjvënësit në dhënien e premtimeve.

Kështu, strategjia 2007-2014 premtonte ngritjen e një fondi për mjedisin në 2008, fond i cili nuk u ngrit, por premtohet sërish në strategjinë 2015-2020. Strategjia 2007 synonte kryerjen e një inventari kombëtar të shkarkimeve në ajër në 2008 (inventar të tillë nuk dimë të ketë ende), synim i cili përsëritet në strategjinë 2015. Duhet të kishim tashmë një rrjet kombëtar të plotë monitorimi të cilësisë së ajrit, duke përfshirë stacionet rurale, por vetëm Tirana ka. Strategjia e re nuk e premton më, por premton se legjislacioni evropian do të transpozohet 100% (si mund të zbatohet legjislacioni që vetëm emrin ka të tillë kur nuk ka stacione monitorimi?). Shpesh premtimet kërkojnë lëvrimin e fondeve, të cilat nuk sigurohen dot. Ose fondet lëvrohen, por ka shumë pak eficencë në përdorimin e tyre.

Në fushën e zhurmave draft-strategjia e re duket se luan me shifrat, ku shifra maksimale të lejuara të zhurmës prezantohen si shifra mesatare, të cilat pastaj do të ulen me x% (e kështu do të duket sikur ka pasur sukses në uljen e ndotjes nga zhurmat). Strategjia 2007-2014 deklaron se norma maksimale e lejuar e zhurmës gjatë natës është 45 db, e kjo kapërcehet vetëm në Tiranë me 32%, në Durrës me 10% e Elbasan me 1%. Ndërkohë që strategjia 2015 pretendon se vlerat mesatare të zhurmës gjatë natës në zonat kryesore urbane janë 55 db, e synohet ulja e tyre në 45 db. Por nivele të tilla mesatare zhurme (55 db) nuk i gjejmë as në qytetet me miliona banorë e automjete si Londra, ku vlerat mesatare të zhurmave gjatë natës janë 44-40 db.

Në përgjithësi, mungesa e statistikave të sakta në të gjitha fushat e mbuluara nga strategjia, e bëjnë pothuaj të pamundur matjen e realizimit të saj. Nuk dimë sa mbetje gjenerojmë e sa riciklohen, sepse vendgrumbullimet tona janë pa peshore, mbetjet hidhen ilegalisht. Nuk dimë sa pyje kemi, sepse pyjet priten ilegalisht. Nuk dimë sa i ndotur është ajri ynë, sepse nuk kemi stacione monitorimi nëpër qytete etj. etj. Në një amulli të tillë totale të dhënash, strategjitë tona nuk kanë një bazë krahasimi të sigurtë mbi të cilën do të matet progresi, duke u kthyer më shumë në propagandë politike se sa mjete llogaridhënieje ndaj qytetarit.

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën