Alibeaj: Ja zgjidhja ime për problemet mjedisore të Fierit

Seniora 2

Intervistë me kandidatin e djathtë për Bashkinë e Fierit, Enkelejd Alibeaj

  1. Cilat janë planet tuaja lidhur me mjedisin?

Tre janë çështjet që përfshihen si probleme mjedisore për Fierin e për rrjedhojë edhe në planet e mia për mjedisin. Gjanica, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe menaxhimi i mbetjeve të ish-industrisë së Fierit që ndodhen në zonën e ish-azotikut. Kështu që planet e mia për mjedisin përfshijnë pa diskutim këto tre çështje dhe problematika, ndërsa kujdesi për mjedisin krahas zhvillimit të Fierit është një detyrim që do ta Enkelejd Alibeajkonsideroj parim të punës sime si kryetar bashkie.

  1. Sa për qind të buxhetit do të zërë mjedisi?

Sigurisht që do të ketë një fond më të lartë nga ai që ka aktualisht buxheti i bashkisë, për faktin se tashmë do të menaxhohet një hapësirë më e madhe me 200 mijë banorë. Gjithashtu, menaxhimi i mbetjeve do të kërkojë më tepër burime financiare, ndaj hapësira e këtyre fondeve në buxhet do të jetë detyrimisht më e lartë. Nuk është në rregullat e hartimit të buxhetit të përcaktohet një përqindje fikse. E rëndësishme është identifikimi i rrugëve për të thithur financime. Një prej të cilave është ajo e përdorimit të fondeve të buxhetit të bashkisë, por më e rëndësishmja është hartimi i projekteve bashkiake ose rajonale dhe paraqitja e tyre pranë qeverisë dhe sidomos pranë donatorëve të huaj.

  1. A keni biseduar me një grup ekspertësh për problemet më të mprehta të qytetit? Cilat? Si do t’i realizoni?

Kam biseduar me ekspertë hidro për lumin Gjanica, të cilat kanë sugjeruar zgjidhjen për reduktimin e ndotjes së lumit dhe ndalimin e përmbytjeve. Gjithashtu, ekspertët e naftës, që për fat të mirë në Fier nuk mungojnë, më kanë sugjeruar se si mund të ndalet ndotja nga industria naftënxjerrëse ose, të paktën, të reduktohen në maksimum. Po ashtu kam kontaktuar ish-azotikas, të cilët më kanë shpjeguar se si dhe sa të rrezikojnë shëndetin e banorëve mbetjet industriale të ish-azotikut.

Çështja e mjedisit shihet e izoluar nga zhvillimi tërësor i bashkisë. Shihet së pari e integruar në planin rrugullues vendor, ku dhe sa do të shtrihet qyteti dhe qendrat e tjera të banuara. Për këtë arsye që në momentet e para do të organizohen konkurse për hartimin e planit rregullues vendor. Në varësi të zgjidhjeve që do të jepen nga ekspertët vendas dhe të huaj, do të marrin zgjidhje teknike secila prej çështjeve më të mprehta të mjedisit, si: fusha e mbetjeve, Gjanica dhe mbetjet industriale. Hartimi i politikave për zgjidhjet që kërkohen, do t’i besohen ekspertizës jo si zgjidhje politike. Realizimi konkret i këtyre politikave do të kryhet në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe me donatorët e huaj të cilëve bashkia do t’i paraqesë projekte të detajuara, serioze dhe të mundshme për t’u realizuar.

  1. Ligji “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve” parashikon grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në çdo bashki brenda vitit 2018. Si do ta realizoni?

Çështja e mbetjeve urbane në Fier ka dy aspekte: atë të menaxhimit afatshkurtër dhe menaxhimin në planin afatgjatë, ku përfshihet dhe menaxhimi i diferencuar i mbetjeve, sepse drejt këtij lloj menaxhimi do të shkojnë detyrimisht të gjitha vendet e zhvilluara. Në planin afatshkurtër Fieri ka nevojë për zgjidhje urgjente. Kudo në fshatrat e Fierit mbetjet urbane hidhen dhe grumbullohen vend e pavend dhe nuk ka një strukturë të mirëfilltë që të kryejë grumbullimin e mbetjeve dhe më pas menaxhimin e tyre. Nga ana tjetër, kemi fushën e mbetjeve në Fier, e cila ka një moshë prej 40 vitesh dhe është e mbingarkuar. Nuk ka më asnjë m2 hapësirë të lirë. Aktualisht bashkia po aplikon metodën e groposjes, por as kjo nuk bën më dobi. Djegia e mbetjeve është me pasojë të rënda për shëndetin e banorëve. Fusha ndodhet në afërsi të qytetit dhe era e keqe po asfikson fierakët. Duhet një zgjidhje urgjente, por strategjia e mbetjeve nuk na lejon të bëjmë eksperimente. Një fushë tjetër për mbetjet do të jetë zgjidhja afatshkurtër, ndërsa do të bëhemi pjesë e projekteve të përbashkëta rajonale për landfilld të mbetjeve urbane, ku sigurisht përfshihet edhe menaxhimi i diferencuar i mbetjeve. Sistemi i grumbullimit të mbetjeve për zonat rurale ndërkohë është detyrim ligjor të cilin bashkiakët duhet ta respektojnë, në të kundërt përballen me gjoba. Nga ana tjetër, fushat e mbetjeve për zonat rurale ekzistojnë. Mungon thjesht një sistem grumbullimi për realizimin e të cilit bashkia e madhe do të zgjerojë strukturën e grumbullimit dhe pastrimit me mjete dhe burime njerëzore. Në lidhje me grumbullimin e  diferencuar të mbetjeve dy janë detyrat imediate të bashkisë:

të nisë një projekt ndërgjegjësimi dhe të krijojë incentiva që vetë banorët të motivohen që në origjinë të bëjnë ndarjen e mbetjeve urbane sipas kategorive. Po kështu, të ofrojë shërbimin e grumbullimit dhe të transportit të diferencuar të mbetjeve.

  1. Gjelbërimi vazhdon të mbetet problem për çdo bashki. A përfshihet kjo në planet tuaja dhe çfarë konkretisht?

Fierit i mungon mushkëria, i mungon gjelbërimi dhe të mendosh që dikur quhej qyteti i luleve. Kam në plan që të zhvilloj atë që do të quhet kurora e gjelbër e qytetit, që përbëhet nga dy segmente shumë të rëndësishme: kodrat piktoreske të Cakranit dhe kurora prej qafës së Koshovicës përgjatë kodrave të Radostinës.

  1. Sa i takon energjive të rinovueshme të cilat janë prioritet i vendeve të Bashkimit Evropian a do keni ndonjë strategji për zhvillimin e tyre edhe në bashkinë që do të drejtoni?

Për energjinë e rinovueshme është e rëndësishme të bëhet pikësëpari një studim mbi mundësitë reale të aplikimit të saj në territorin e Bashkisë së Fierit. Sot teknologjia më e avancuar është ajo e parqeve eolike. Deri më tani për Bashkinë e Fierit duket se është e mundshme aplikimi i parqeve eolike përgjatë luginës së Vjosës. Kjo do të mbetet për një studim më të detajuar.

  1. Ndotja mjedisore në lumin Gjanica (si ajo prej hidrokarbureve, ashtu edhe ajo prej inerteve, mbetjeve urbane e ujërave të zeza) është një nga problematikat më të mëdha mjedisore të bashkisë Fier, në veçanti për qytetin e Fierit. A keni planifikuar masa për menaxhimin e kësaj ndotje dhe rehabilitimin e lumit Gjanica?

Problemet akute të Gjanicës janë dy: përmbytjet dhe ndotja. Përsa i përket rehabilitimit, ka një fillesë të një projekti prej qeverisë shqiptare, ndaj të cilit do të ofrojmë gjithë bashkëpunimin ligjor për ta çuar deri në fund. Jemi të prirur të bashkëpunojmë për të zgjidhur përfundimisht problemet që sjell lumi Gjanica.

  1. Si do ta menaxhoni monitorimin ndaj ndotësve të ajrit nga industria e nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve?

Një është mënyra me të cilën mund të menaxhohen kompanitë ndotëse të mjedisit. Shtrëngimi me taksa dhe tarifa të larta. Në kushte të tilla kompanitë detyrohen të investojnë për mjedisin, sepse u kushton më pak. Kjo praktikë do të ndiqet, pasi kështu funksionon në të gjithë botën.

  1. A është pjesë e programit tuaj rehabilitimi e  ish-zonës  industriale të Azotikut?

Siç e thashë edhe më lart, bashkia do të kërkojë mendimin e ekspertëve për të zgjidhur problemet më të mprehta të mjedisit. Ish-azotiku është një nga tre çështjet më të mprehta, që e përmenda që në fillim të intervistës.

  1. Plazhi i Semanit është një potencial i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të bashkisë së re, duke qenë se aktualisht  është një nga plazhet më të ndotura në Shqipëri, a keni ju një plan masash për zhvillimin e kësaj zone turistike ku ka edhe ndërtime në zona pyjore ku nuk lejohet ndërtimi?

Fieri ka një vijë bregdetare prej 27 km të pashfrytëzuar. Në fakt janë 4 plazhe dhe vetëm dy prej tyre janë të ndotura nga mbetjet hidrokarbure, sepse ndotja bakteriale në ujërat e kësaj vije bregdetare është sipas DSHP Fier zero.

Për t’i bërë këto plazhe të vizitueshme, duhet në radhë të parë akses. Kur flas për akses kam parasysh rrugët që çojnë në këto zona të cilat do t’i nënshtrohen investimeve. Pra, janë katër rrugë që duhen ndërtuar: rruga për në Asturkas në plazhin e Libofshës, ajo për në Seman që kërkon rikontruksion, rruga e Darëzezës është ndërtuar vitet e fundit, ndërsa ajo për në Pishporo kërkon investim të plotë. Përveç rrugëve, bashkia do të sigurojë energji elektrike, ujë të pijshëm dhe mjedise të sigurta për pushuesit.

Nga ana tjetër bashkia do të duhet t’i kthejë këto plazhe në potenciale turistike, hapi i parë është ndërtimi i siteve për rulota dhe në një fazë të dytë hartimi i studimeve për të lejuar investime të komplekseve turistike.

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë