Shqipëria, më e prapambetura në rajon në zhvillimin energjitik

Energjia e pastër: në ç’drejtim po ecën Shqipëria në krahasim me vendet e rajonit dhe BE-në?

Nga Rita Strakosha

Sipas një raporti të ri të Bankës Botërore, humbjet nga fenomenet ekstreme të motit kanë shkuar në 200 miliard $/vit në dekadën e kaluar. Shkak për këto fenomene ekstreme janë emetimet e karbonit, kryesisht nga burimet fosile: nafta, qymyri dhe gazi natyror. Domosdoshmëria e shkarbonizimit është njohur në strategjinë 2050 të BE-së mbi zhvillimin energjitik, në marrëveshjet ndërkombëtare mbi klimën e strategjinë ndërsektoriale të mbrojtjes së mjedisit të Shqipërisë. Shkarbonizimi bëhet edhe më i domosdoshëm nga rritja e çmimit të burimeve fosile në treg.

Ku qëndron Shqipëria në këtë rrugëtim drejt shkarbonizimit?

Një raport i përgatitur nga projekti SEE SEP tregon se Shqipëria ka një sistem energjitik shumë problematik dhe nuk e ka marrë ende seriozisht sfidën përpara saj. Kemi nivelet më të larta të humbjeve të energjisë në rajon: në vitin 2010 ky ishte 25%, kurse në vitin 2012 humbjet e energjisë në rrjetin e shpërndarjes shkuan në 46%, pothuajse një rekord botëror.

Humbjet bëjnë që konsumatorët e ndershëm të paguajnë fatura më të larta, bizneset e ndershme të prodhojnë me kosto më të larta, gjithë sistemi energjitik të rrezikojë falimentimin dhe investimi në burimet e rinovueshme të energjisë të bëhet jofitimprurës. Kostot vjetore nga humbjet në rrjet, për shoqërinë, shkojnë në mbi 150 milionë euro në vit dhe ka pak motivim për një pjesë të mirë të shoqërisë që të kursejë energjinë.

Plani ynë kombëtar për efiçencën e energjisë është vetëm në letër dhe synon 9% kursim deri në vitin 2018, ndërkohë që BE synon 20% kursim deri në vitin 2020 dhe po e realizon objektivin.

Harxhojmë shumë dhe për të mbuluar këtë shpërdorim po mbushim çdo përrua e lum me HEC-e që po shkatërrojnë rrjetin hidrik shqiptar.

Kemi nivelet më të ulëta në rajon në energjitë diellore fotovoltaike dhe në energjinë e erës. Janë dhënë shumë licenca për parqe ere, por asnjë projekt nuk është realizuar deri tani. Ligji i ri për energjitë e rinovueshme nuk krijon lehtësira tatimore për importimin e paneleve fotovoltaike, këto mbeten luks i organizatave e bizneseve të mëdha. Ndërkohë në BE konsumohen 172,000 Gwh energji nga dielli dhe era në vit.

Pra, jemi shumë mbrapa. Qeverisja duhet të marrë seriozisht sfidën e shkarbonizimit, jo thjesht për të kënaqur burokratët e BE-së, por për mirëqrnien tonë aktuale dhe të ardhme.

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën