Shumica e njerëzve mendojnë se karbohidratet i shëndoshin. Pjesërisht, kjo gjë është e vërtetë. Ju duhet të bëni klasifikimin e karbohidrateve në varësi të peshës dhe gjendjes shëndetësore që ndodheni. Konsumi i përditshëm duhet të përbëhet rreth 50-60% nga karbohidratet. Duhet të jeni të kujdesshëm në përzgjedhjen e karbohidrateve që konsumoni sepse karbohidratet e përpunuara ju bëjnë të shtoni peshë dhe janë faktor i një sërë sëmundjesh.
Pse janë të mira karbohidratet?
Karbohidratet janë një pjesë e rëndësishme e dietës, sepse janë të pasura me fibra dhe ju bëjnë të ndiheni të ngopur shpejt dhe për një kohë të gjatë. Kanë një larmishmëri vlerash ushqyese dhe nuk kanë në përbërje sheqerna (flasim këtu për karbohidratet e mira). Për shkak se kanë fibra natyrale, karbohidratet ndihmojnë për të kontrolluar nivelin e insulinës dhe nivelin e kolesterolit të keq.
Karbohidratet e këqija (të përpunuara) janë:
- Të larta në kalori.
- Të larta në sheqerna të rafinuar (sheqer i bardhë, shurupi i misrit, ëmbëlsuesit artificialë).
- Të larta në drithëra të rafinuar (si mielli i bardhë).
- Të larta në sodium, të larta në kolesterol dhe në yndyrna të këqija.
Çfarë janë karbohidratet komplekse?
Karbohidratet komplekse janë ato që i japin trupit karburantin më të mirë dhe gjenden zakonisht në ushqimet me shumë fibra. Këto karbohidrate ruajnë qëndrueshmërinë e nivelit të sheqerit në gjak gjatë gjithë ditës dhe ju largojnë oreksin (urinë). Ju mund t’i merrni karbohidratet komplekse përmes frutave të ndryshme dhe disa perimeve.
Cilat janë ushqimet me karbohidrate të mira?
Frutat e freskëta, si: manaferrat, boronicat, luleshtrydhet. Perimet pa niseshte. Drithërat integrale. Produktet e qumështit që nuk janë të ëmbëlsuara me sheqer, si: kosi, salca e kosit, djathi, gjiza etj. frutat e thata si bajamet, arrat, stikat etj.
Përshtati në shqip për “Shëndet+”: Daniela Bardhi


