Gjumi i qetë dhe i rehatshëm është shumë i rëndësishëm për shëndetin, trupin, humorin dhe mendjen. Njerëzit harxhojnë rreth një të tretën e jetës duke fjetur. Pozicioni i trupit kur flini luan një rol shumë të rëndësishëm.
Në një studim të vitit 2007, studiuesit treguan se fjetja në anë (në një krah) ishte favorizuese për njerëzit që vuajnë nga dhimbjet e supit, qafës, kurrizit etj.
Një studim tjetër i 2014-s konstatoi se burrat që kishin çrregullime me gjumin, kishin 1.5 herë më shumë gjasa për t’u prekur nga sëmundjet neurologjike sesa të tjerët.
Sipas këtij studimi, fjetja në anë ndihmonte trurin në pastrimin e kimikateve të dëmshme duke zvogëluar kështu rrezikun nga sëmundja e alcajmerit dhe sëmundjet e tjera neurologjike që kërcënojnë dhe prishin funksionin normal të qelizave dhe indeve.
Mbeturinat e trurit janë të zakonshme tek pacientët me alcajmer dhe parkinson, prandaj ata kanë nevojë për gjumë të rehatshëm dhe të mjaftueshëm.
Fjetja në anë mund të përmirësojë procesin e heqjes së mbeturinave dhe kimikateve, sepse nxit rrjedhjen e lëngut cerebrospinal që qarkullon në kanalet e trurit dhe heq mbeturinat. Fjetja në anë është e dobishme edhe për personat që gërhasin.
Përshtati në shqip për “Shëndet+”: Daniela Bardhi


