Metoda “Billings” krijon mundësinë të identifikoni kur jeni pjellore gjatë ciklit
Metoda e planifikimit familjar “Billings” e zhvilluar nga Dr. John dhe Evelyn Billings në Australi, është një metodë krejtësisht natyrale, e provuar shkencërisht, për kontrollin e pjellorisë: për shtyrjen e shtatëzanisë apo arritjen e saj. Ka ndihmuar me miliona çifte të arrijnë shtatëzaninë pa ndërhyrje. Është metodë e thjeshtë, pa shpenzime, dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e suksesshme në 98.5% të rasteve. Praktikohet dhe nga personat me bindje fetare, nga gratë e verbëra. Thelbi i metodës qendron në identifikimin e ditëve të ciklit kur gruaja mund të bjerë shtatzënë.
Shenjat natyrale që tregojnë pjellorinë:
Çdo grua është një individ unik me ciklin e saj po aq unik. Metoda “Billings” krijon mundësinë të identifikoni kur jeni pjellore gjatë ciklit pavarësisht gjatësisë së tij. Rreth 2 javë përpara fundit të ciklit menstrual ndodh ovulimi, pra veza del nga vezorja. Çdo cikël, veza del vetëm një herë. Shpesh mund të keni ndjerë disa ditë përpara ovulimit një ndjesi lageje nën vete. Këtë ndjesi e jep mukusi që prodhohet nga qelizat e qafës së mitrës gjatë ditëve para ovulimit dhe është një shenjë shumë e rëndësishme fertiliteti. Studimet kanë treguar se gjatë ciklit gruaja është më pjellore ditën e fundit të prodhimit të bollshëm të këtij mukusi, ditë të cilën ne e quajmë “Piku” .
Me afrimin e ditës së ovulimit mukusi i sekretuar do të jetë më i hollë dhe më transparent. Ndoshta nuk do të arrini të dalloni se ka mukus, por do të keni ndjenjën e lagjes, të rrëshqitjes në nënvete. Që ka ndodhur “Piku” kuptohet ditën tjetër, kur nënvetja fillon të ndjehet e thatë.
Nga studimet hormonale të profesor James B Broën dimë se dita e Pikut është shumë afër ovulimit. Në shumicën e cikleve, veza lirohet nga vezorja në ditën e Pikut, por në disa cikle, ovulimi ndodh 1 ose 2 ditë pas Pikut. Veza jeton për maksimumi 24 orë pasi është liruar. Cikli tjetër fillon rreth 11-16 ditë pas Pikut, nëse nuk keni rënë shtatëzanë.
CIKLI PJELLOR
Faktori kyç që ndikon në pjellori- mukusi
Mukusi i prodhuar nga qafa e mitrës ka ndikim të madh në pjellori (sipas studimeve shkencore të profesor Erik Odeblad). Një përbërës i mukusit mbron dhe ushqen spermën që kjo ta ruajë aftësinë e saj ri-prodhuese. Një përbërës tjetër vepron si filtër që vret qelizat e dëmtuara të spermës. Përbërësi tjetër i mukusit formon kanalëza të cilat ndihmojnë spermën të udhëtojë në drejtim të vezës.Gjatë ditëve të jo-pjellorisë qafa e
mitrës është e bllokuar nga një mukus i trashë, i cili është i padepërtueshëm nga sperma, e cila vdes shpejt jashtë mitrës.
Nëse gjatë ciklit nuk ka ndryshim në sasinë e mukusit të prodhuar, por çdo ditë keni të njëjtën ndjesi, vini re të njëjtën sasi mukusi, atëhere cikli është jo-pjellor.
Ndjeshmëria e lagjes së nënvetes është edhe kur nuk arrini të dalloni mukus.
Gjatë ciklit ditët pjellore janë 5 deri në 6, por mund të jenë dhe vetëm 1 ose 2. Gjatë këtyre ditëve duhen shmangur marrëdhëniet nëse nuk dëshironi shtatëzani. Ovulimi mund të shoqërohet dhe me ndjenjë dhimbjeje në anën e vezores dhe/ose me të shpëlara mishi.
CIKLI PJELLOR
Ditët e shënuara me rreth janë ditë pjellore. Edhe tre ditët pas tyre janë pjellore. Në kuti tregohet pamja dhe konsistenca e mukusit.
Piku i pjellorisë
Piku i pjellorisë është dita e fundit kur nënvetja ndihet “e rrëshqitshme”. Edhe tre ditë pas “Pikut” mund të bini shtatzënë. Sepse veza mund të dalë maksimumi 2 ditë pas pikut dhe të jetojë për 1 ditë pas daljes. Me afrimin e menopauzës, fertiliteti juaj do të pakësohet dhe këtë do e kuptoni dhe nga shenjat e fertilitetit. Nëse mbani një kalendar/grafik me vëzhgimet tuaja mund të përcaktoni me siguri kur jeni më shumë pjellore.
Përgatiti: Rita Strakosha



