Kryefaqja Aktualitet Zbulohet “fabrika e bebeve” në Greqi, deri në 120 mijë € për...

Zbulohet “fabrika e bebeve” në Greqi, deri në 120 mijë € për “shitjen” e një fëmije

0
Shpërndaje

Autoritetet në Greqi po hetojnë një klinikë fertiliteti në qytetin e Kretës pas dyshimeve se ajo mund të ketë funksionuar si një rrjet i paligjshëm fertilizmi dhe birësimesh të bebeve të porsalindura.

Sipas mediave greke, disa mjekë që punojnë në klinikë janë ndaluar për t’u marrë në pyetje nga autoritetet. Silvia Tăbușcă, Drejtore e Qendrës për të Drejtat e Njeriut dhe Migracionin në Rumani tha për Euronews se Viktimat e këtij trafikimi, ishin vajza nga mosha 18 deri në 35 vjeç, dhe bënin pjesë në kategorinë e personave me probleme ekonomike.

“Bëhet fjalë për 400 fëmijë të tillë vetëm në vitin e fundit. Ajo klinikë ishte një fasadë për birësime ndërkombëtare të foshnjave, ku ishin përfshirë mjekë shumë të njohur, një nga gjinekologët më të njohur në Greqi. Një gjinekolog 73 vjeçar i cili ishte koordinator i këtij rrjeti ndërkombëtar.

Këta mjekë rekrutonin njerëz vulnerabël, veçanërisht nga vendet ish-komuniste në Evropë. Këta persona të quajtur “agjentë” paguheshin me një shumë të vogël parash në krahasim me të ardhurat që merrte klinika dhe roli i tyre ishte të sillnin sa më shumë njerëz për t’u shfrytëzuar në këto procedura mjekësore. Vajzat ishin nga mosha 18 deri në 35 vjeç, me sa dimë, ato fillimisht janë shfrytëzuar për marrjen e mostrave biologjike e më vonë kaluan në formën e dytë të shfrytëzimit, atë të një nëne surrogate”, tha Silvia Tăbuscă.

Përfitimi i organizatës kriminale për programin e surrogacisë zakonisht varionte nga 70.000 deri në 100.000 euro, ndërsa në disa raste arrinte në 120.000 euro.

Një fëmijë, sipas autoriteteve greke, është shitur për shuma që variojnë nga 70 deri në 120 mijë euro dhe fitimi i kësaj klinike konsistonte në të paktën 70% të këtyre shumave.

Viktimat mbaheshin nën vëzhgim, në shtëpi të caktuara dhe monitoroheshin vazhdimisht. Të rejat u mashtruan sepse procedurat në klinikën në Greqi nuk ishin saktësisht të ligjshme. Në thelb vajzat u gënjyen dhe u fekonduan në mënyrë që fëmija të ishte i tyre, pa dijeninë e tyre.

Klientët ishin praktikisht nga e gjithë bota, shumica prej tyre vinin nga Italia, sipas informacioneve të para të grupit hetimor, dhe ishin familje që nuk lindnin fëmijë, përveç tyre kishte edhe burra beqarë dhe çifte të të njëjtës gjini.

Sipas mediave greke, të paktën 30 gra të reja që janë shtatzënë – disa prej tyre në javët e fundit të shtatzënisë – janë gjetur nga oficerët e policisë së Departamentit të Krimit të Organizuar të Kretës gjatë hetimeve të fundit.

Bëhet fjalë për gra nga Moldavia, Ukraina, Gjeorgjia, Rumania dhe Bullgaria që përdoreshin nga organizata kriminale si dhuruese vezësh dhe si nëna surrogate. Gratë jetonin në disa shtëpi nën mbikëqyrje dhe lejoheshin të dilnin vetëm për supermarkete dhe ekzaminime mjekësore në …Qendrën e Riprodhimit të Asistuar./EuroNews.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here