Për gazetën “Shëndet+”, pediatri Polikron Çelo
Natyra e ka prodhuar qumështin e nënës për specien e saj “fëmijën” (ashtu si speciet e tjera, por të tyrret). Përmban fermentonte të veçanta, antikorpe dhe faktorë të tjerë imunologjikë që rrisin aftësitë mbrojtëse, sidomos ndaj infeksioneve.
Proteinat– Në qumështin e nënës janë tri herë më të pakta. Kjo për arsyen e thjeshtë, ritmet e rritjes së viçit janë shumë më të larta, prandaj natyra e ka ndërtuar të tillë.
Përbërja e proteinave të qumështit të nënës, është e tillë që të thithen dhe të përpunohen pa vështirësi nga aparati tretës. Midis tyre ka fraksione të quajtura “funksionale” që nuk shërbejnë thjesht për rritje, por kanë veprime të veçanta, sidomos në mbrojtje ndaj infeksioneve.
Sheqernat– Janë në përqindje më të lartë se në qumështin e lopës (rreth 50% më shumë) dhe përbëhen kryesisht nga laktoza, kjo shpjegon pse qumështi i nënës është më i ëmbël. Sheqernat e qumështit të nënës kanë dhe disa dukuri që nuk i ka qumështi i lopës.
Yndyrat– Gjenden në sasi të vogël në fillim dhe në sasi më të mëdha në fund të pirjes, aktor që çon në ndjenjën e ngopjes dhe mënjanon prjen e tqpërt (ja pse fëmija e lëshon vetë gjirin). Disa nga përbërësit e yndyrave, luajnë rol thelbësor në zhvillimin e trurit dhe të retinës së syve. Një enzimë me emrin lipazë, që nuk gjendet në asnjë qumësht tjetër, ndihmon tretjen duke aktivizuar elementë të bilës.
Vitaminat– Sigurohen plotësisht nga qumështi i gjirit, nëse nëna merr një ushqim të ekuilibruar. Në raste të veçanta (p.sh. për fëmijë që nuk nxirren në diell), mund të lindi nevoja për një shtesë të vitaminës D. Të pasuruara me këtë vtaminë, janë dhe qumështet industriale.
Kripërat minerale– Qumështi i nënës përmban të gjithë kripërat e nevojshme, në përputhje me moshën. Ato gjenden 3-5 herë më pak se në qumështin e lopës, duke lehtësuar punën e veshkave për eliminimin e tyre.
Hekuri– megjithëse në përqindje të vogël, thithet deri në 50% deri në 80%, ndërsa hekuri në qumështin industrial, thithet vetëm në masën 7-10%; kjo është një nga arsyet që në një pjesë të fëmijëve që marrin ushqim artificial, rreth moshës 2 muaj, shfaqen shenja të anemisë nga pamjaftueshmëria e hekurit.
Flori– nevoja për këtë element, në përgjithësi plotësohet nga qumështi i gjirit, ndërsa përqindja varet kryesisht nga uji dhe ushqimi i nënës.
Lëngjet- sasi e nevojshme sigurohet plotësisht si nga qumështi i nënës ashtu dhe nga qumështi industrial. Në moshën e të porsalindurit, veshkat nuk janë në gjendje të kontrollojnë plotësisht koncentrimin e urinës, prandaj sasia ditore e lëngjeve llogaritet mesatarisht 120-150ml/24 orë.
Në qumështin e nënës gjenden dhe shumë e shumë elemente të tjera, si: fermente, faktorë antiinfektivë, antianemikë, të rritjes etj. Me rëndësi është i ashtuquajturi “faktori bifidus” (ndikon në rritjen e baktereve që favorizojnë tretjen (baktere të mira) dhe frenimin e të tjerëve (jo të mira).


