Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë

Vdekjet nga kanceri i rektumit po rriten me një ritëm dukshëm më të shpejtë sesa ato nga kanceri i zorrës së trashë tek të rinjtë amerikanë, një trend që studiuesit paralajmërojnë se do të përkeqësohet nëse nuk ndryshon qasja në trajtim.

Sipas një studimi që do të prezantohet në konferencën “Digestive Disease Week 2026” në Çikago, normat e vdekshmërisë për kancerin e rektumit po rriten dy deri në tre herë më shpejt krahasuar me kancerin e zorrës së trashë tek të rriturit e moshës 20 deri në 44 vjeç.

Të dhënat tregojnë se për milenialët më të mëdhenj, veçanërisht ata të moshës 35-44 vjeç, vdekshmëria nga kanceri i rektumit pritet të vazhdojë të rritet deri në vitin 2035.

Autorja kryesore e studimit, Mythili Menon Pathiyil, nga SUNY Upstate Medical University, thekson se kanceri kolorektal nuk konsiderohet më një sëmundje që prek kryesisht moshat e mëdha. “Kanceri i rektumit, në veçanti, po bëhet një problem gjithnjë e më i madh tek të rinjtë,” u shpreh ajo.

Studiuesit analizuan të dhënat e vdekjeve nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) për periudhën 1999–2023. Duke përdorur modele të inteligjencës artificiale për parashikimin e trendeve, ata zbuluan se diferenca e vdekshmërisë mes dy llojeve të kancerit po zgjerohet në të gjitha grupet demografike.

Rritjet më të mëdha të vdekjeve nga kanceri i rektumit u regjistruan tek të rriturit hispanikë dhe banorët e shteteve perëndimore të SHBA-së.

Një shqetësim kryesor i ngritur nga studimi është vonesa në diagnostikim tek pacientët e rinj. Sipas mjekëve, ata shpesh diagnostikohen në faza më të avancuara dhe më agresive të sëmundjes.

Kirurgia kolorektale Rachel Gordon thekson se një kombinim faktorësh të stilit të jetesës dhe mjedisit – përfshirë dietën dhe ndryshimet në mikrobiomën e zorrëve – mund të luajë rol në këtë rritje.

Ndërkohë që të rriturit më të moshuar zakonisht nisin trajtimin brenda një muaji nga shfaqja e simptomave, të rinjtë përballen mesatarisht me një vonesë prej rreth shtatë muajsh para se të marrin kujdes mjekësor.

Pathiyil vëren se mjekët e kujdesit parësor shpesh i nënvlerësojnë simptomat paralajmëruese tek të rinjtë, si gjakderdhja rektale apo ndryshimet në jashtëqitje, duke i atribuar ato gjendjeve më të lehta, si hemorroidet.

Ekspertët këshillojnë që çdo simptomë e pazakontë të merret seriozisht. Shenjat që kërkojnë vëmendje të menjëhershme përfshijnë: gjakderdhje rektale (e kuqe e ndezur ose e errët), ndryshime të vazhdueshme në zakonet e jashtëqitjes (diarre ose kapsllëk), jashtëqitje të ngushta, ndjesi e zbrazjes jo të plotë të zorrëve, dhimbje abdominale, humbje peshe pa arsye dhe lodhje.

Gjetjet sugjerojnë se strategjitë aktuale të depistimit mund të kenë nevojë për rishikim. “Studimi ynë tregon se kanceri i rektumit po udhëheq rritjen e përgjithshme të kancerit kolorektal,” tha Pathiyil.

“Nëse nuk ndryshojmë atë që po bëjmë sot, situata ka gjasa të përkeqësohet në të ardhmen.”

Postime të ngjashme

Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës