E vërteta rreth lakrës jeshile: është e pasur me vitamina dhe minerale, por ekspertët paralajmërojnë se mund të shkaktojë fryrje barku, probleme me tiroidet, madje edhe probleme me zemrën
Përshtati në shqip për “Shëndet+”: Daniela Bardhi
Lakra jeshile (në anglisht “kale”), perimja me gjethet e saj të gjelbra, është duke u reklamuar si një nga më të shëndetshmet, madje edhe nga personazhet e famshme të botës së Hollivudit, që e përdorin për të fituar “formë perfekte”.
Në fakt, thuhet se kërkesa për lakrën jeshile është rritur vitet e fundit, por fermerët kanë paralajmëruar për një mungesë të saj në të gjithë botën. Në fakt, lakra jeshile është cilësuar si një “superushqim” për shkak të niveleve të larta të vitaminave, fibrave dhe proteinave që përmban. 100 gram lakër jeshile përmban vetëm 50 kalori dhe asnjë gram yndyrë, kjo do të thotë se është perfekte për ata që duan të bien në peshë.
Por, pasi popullariteti i kësaj lakre jeshile arriti kulmin, ajo u përball edhe me një reagim të ashpër nga ekspertët, të cilët pretendojnë se ajo mund të shkaktojë probleme me tretjen, gurët në veshka, probleme me tiroiden, madje edhe rrezikun e një ataku në zemër. Janë pyetur disa dietologë nëse lakra jeshile e meriton me të vertetë të quhet “superushqim” dhe a duhet të shqetësohemi për pretendimet e ngritura nga ekspertët për dëmet që mund të shkaktojë ajo.
Të mirat e lakrës jeshile:
- Është e ulët në kalori, e lartë në fibra dhe nuk përmban yndyrë.
- Përmbah hekur më shumë se pesha ekuivalente e një cope mishi dhe më shumë kalcium se qumështi.
- Hekuri ndihmon në formimin e hemoglobinës dhe enzimave, dhe është thelbësor për funksionimin e mëlçisë dhe rritjen e qelizave.
- Është e pasur me kalcium, çfarë do të thotë se është e rëndësishme për shëndetin e dhëmbëve dhe kockave.
- Është e pasur me vitamina A, C dhe K, këto vitamina japin shumë përfitime në trup.
- Përmban shumë zink, I cili ndihmon për të luftuar infeksionet në trup.
Ekspertë të tjerë kanë vënë në dukje të tjera përfitime duke përfshirë uljen e niveleve të kolesterolit të keq, mbrojtjen kundër qelizave kancerogjene, uljen e inflamacionit në trup, i cili është shkaktari kryesor i shumë sëmundjeve kronike.
Të këqijat e lakrës jeshile:
- Siç e thamë është e pasur me vitaminë K e cila është shumë e rëndësishme për disa njerëz, por për disa grupe njerëzish nuk është e këshillueshme.
- Kjo lakër me gjethe jeshile ndihmon në mpiksjen e gjakut dhe njerëzit të cilët vuajnë nga ky fenomen dhe kanë përdorur ilaçe për hollimin e gjakut, sipas mjekëve, duhet të shmangin konsumimin e zarzavateve me gjethe të errët, përfshire edhe lakrën jeshile.
- Disa mjekë ekspertë thonë se shkakton probleme me tretjen, dhimbje dhe fryrje të stomakut.
- Dietologët thonë se nëse merret e pagatuar, mund të mos tolerohet nga trupi dhe organizmi i disa njerëzve.
- Mund të jetë e rrezikshme për njerëzit që vuajnë nga zemra dhe veshkat, kjo për shkak se ajo përmban nivele të larta të kaliumit 450 mg për 100 gram.
- Nivelet e larta të kaliumit mund të shkaktojnë rrahje të shpeshta zemre dhe mund të pësoni atak kardiak.
- Kaliumi është një mineral thelbësor për trupin, veçanërisht për nervat dhe muskujt, por nëse nivelet e kaliumit rriten shumë në gjak, mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore. Pacientët që vuajnë nga zemra duhet të shmangin gjithashtu përdorimin e brokolit dhe lakrës.
- Përmban goitrogjene, që mund të shkaktojnë gjendër të zgjeruar dhe mund të ndërhyjnë në sintezën e hormoneve tiroide.
Sipas ekspertëve, çdo ushqim i mirë mund të ketë dhe efekte negative tek disa njerëz. Këshilla e ekspertëve të tjerë është se nuk duhet konsumuar çdo ditë lakër jeshile edhe nëse trupi jua toleron. Ajo mund të alternohet me perime të tjera jeshile, si lakër, brokoli etj.


