Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”
Sot (12 dhjetor) është Dita Botërore e Mbulimit Shëndetësor Universal. Edhe pse gjithnjë është parë me skepticizëm, shëndetësia shqiptare është programuar të arrijë atë që është quajtur “mbulimi shëndetësor universal”. Duke synuar kështu ofrimin e shërbimit për të gjitha shtresat edhe për ata që nuk kanë mundësi financiare. Nismë që u shoqërua me një term tjetër po aq të diskutuar “shëndetësi falas”.
Ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, është shprehur gjithnjë optimist për mundësitë e barabarta që po iu ofrohen qytetarëve shqiptarë me reformat e ndërmarra për këtë qëllim.
“Mbulimi Shëndetësor Universal dhe Aksesi Universal janë kryefjala e Programit të Qeverisë Shqiptare në reformimin, konsolidimin dhe modernizimin e sistemit tonë shëndetësor. Ky objektiv i guximshëm është shenjë e përgjegjësisë sonë politike, njerëzore dhe kombëtare për të garantuar shëndetin e të gjithëve nëpërmjet shërbimeve cilësore dhe të përballueshme për të gjithë”.
Janë këto fjalët me të cilat u shpreh kreu i shëndetësisë në Shqipëri, Ilir Beqaj në mbledhjen e Nivelit të Lartë të Rrjetit Shëndetësor të Europës Juglindore, SEEHN (South-East European Health Network).
A jemi sot në rrugën e drejtë për mbulim universal shëndetësor? A është sot i prekshëm premtimi që shërbimi shëndetësor do të jetë i barabartë për të gjithë? Cilit realitet i referohemi kur flasim për implementimin e të tilla programeve?
Mungesa e herëpashershme në medikamente vë në pikëpyetje nëse jemi në rrugën e drejt të realizimit të këtij programi.
Është përmenduar disa herë hematologjia si një pavion në kufijtë e asgjësë. Të sëmurët rëndë të atij pavioni nuk e mbyllin ciklin e trajtimit për shkak të mungesave deri në jod e pambuk.
Është përmendur onkologjiku për mungesën e preparateve për kimio, si dhe së fundmi për aparatura që nuk funksionojnë.
Është përmendur urgjenca e QSUT-së për mungesat e shumta edhe të shportës bazë. Ndërkohë që urgjenca e Traumës që nuk përmbush kriteret e një urgjence kombëtare, veçanërisht në infrastrukturë.
Është folur për proteza që blihen me mijëra euro jashtë spitalit, pasi spitali siguron vetëm allçinë.
Është folur për mjekë të dhunuar, çdo muaj nga një rast i evidentuar për shkak të përballjes me pacientët s rezultat i mungesës së medikamenteve.
Është folur për një infektiv ku mungojë serumet.
Është folur për një kirurgji me pajisje që të viteve ’90.
Është folur për fertilizim in vitro, si mungesë në spitalet shtetërore, edhe pse duhet të kishte nisur që në 2013-n.
Është folur për mungesa në specialistë, dhe paradoksalisht për personel mjekësor që shkurtohen. Nisma që janë shoqëruar me fatalitete (si rasti i infermieres së Shkodrës).
Është folur për qendra shëndetësore pa asnjë lloj kushti, kjo në bazë të studimeve të bëra nga USAID.
Është folur për dhënie me koncension të laboratorëve për shkak të pamundësisë së shtetit për t’i mbajtur.
Lista vazhdon shumë gjatë.
Kaq vlen për të pyetur: A jemi në rrugën e duhur drejt mbulimit shëndetësor universal?


