Përgatiti për “Shëndet+”: Eneida Mjeshtri
Shëndeti i mirë seksual nënkupton shëndet më të mirë fizik. Të paturit marrëdhënie seksuale një ose dy herë në javë i mbron njerëzit nga gripi, ftohjet ose infeksionet e ndryshme, dhe jo vetëm
Ndërkohë që prodhohet hormoni i oksitocinës, niveli i endorfinës rritet, kështu që perceptimi i dhimbjes ulet. Kështu nëse dhimbja e kokës ju pushon, dhimbjet e artritit ose të tjera përmirësohen pas aktit seksual, jini mirënjohës edhe një herë oksitocinës. Një studim i botuar në Buletinin e Mjekësisë dhe Biologjisë Eksperimentale, ekzaminoi përgjigjen e hormonit oksitocinë në perceptimin e dhimbjes në një eksperiment me 48 vullnetarë. Pjesëmarrësit e studimit u vunë të thithnin avuj oksitocine dhe pastaj iu nënshtruan shpimit të gishtit. Ata që kishin thithur më shumë oksitocinë, reagonin më pak ndaj dhimbjes së shkaktuar nga shpimi i gishtit.
Seksi pakëson rrezikun e kancerit të prostatës
Ejakulime të shpeshta, sidomos në meshkujt e moshës 20 vjeç, mund të reduktojnë rrezikun e kancerit të prostatës më vonë në jetë. Në këtë përfundim kanë arritur kërkuesit austrialianë në një studim të botuar në Revistën Britanike të Urologjisë Ndërkombëtare. Kur ndoqën rastin e meshkujve të diagnostikuar me kancer të prostatës dhe atyre që nuk ishin të prekur nga kjo sëmundje, nuk gjetën asnjë lidhje midis kancerit të prostatës dhe numrit të partnerëve seksualë që ata kishin patur kur kishin qenë 30, 40 dhe 50 vjeç. Por për çudi, ata vërejtën që ata meshkuj të cilët kishin patur ejakulacione të shpeshta javore, deri në 5 herë brenda javës kur kishin qenë 20 vjeç, e kishin reduktuar me 1/3 rezikun e zhvillimit të këtij kanceri në moshë madhore.
Seksi forcon muskujt pelvikë
Për gratë, kryerja e disa ushtrimeve të muskujve pelvikë gjatë aktit seksual, ushtrime që rëndom njihen si ushtrimet e Kegelit, ofron disa përfitime. Para së gjithash, do të ndjeni më shumë kënaqësi dhe në të njëjtën kohë do të forconi zonën pelvike duke ndihmuar të minimizoni rrezikun e prolapsit, që është një kusht fizik i rrëshqitjes së vaginës, mitrës dhe fshikëzës së urinës. Gjithashtu do t’ju ndihmojë të përmirësoni mosmbajtjen e urinës, gjë e cila prek rëndom shumicën e grave të një farë moshe, sidomos ato që kanë dhënë jetë me anë të lindjes natyrale. Ushtrimet e Kegelit janë tepër të thjeshta: shtërngoni muskujt e zonës gjenitale njësoj siç bëni kur doni të ndaloni rrjedhjen e urinës. Numëroni deri në tre, më pas lëshojini. Përsëriteni këtë ushtrim disa herë gjatë ditës, jo vetëm kur jeni në shtrat me partnerin. Askush nuk do e vërë re. Prandaj, mos u ndrydhni. Ushtrime të tilla, gjinekologët e mirë ua japin gjithmonë nënave të porsalindura, për t’i ndihmuar në procesin e shërimit të zonës gjenitale nga trauma e sjelljes në jetë të një fëmije.
Seksi ju ndihmon të flini më mirë
Oksitocina e cila çlirohet gjatë pësimit të orgazmës, sipas studiuesve, ndihmon gjithashtu edhe për një gjumë të mirë. Në të vetën, gjumi i mirë gjatë natës ndikon në një sërë procesesh të tjera të mira, si psh mbajtja e një peshe trupore të shëndetshme, ulja e presionit të gjakut, produktivitet më i lartë gjatë ditës, etj. Prandaj, mos u çudisni, kur e shihni mashkullin tuaj, të zjarrtë një minutë më parë dhe duke gërhitur menjëherë më pas. Tregon se kontakti fizik ka dhënë frytet e veta të mrekullueshme.


