Një nga zakonet më të këqija që na mësojnë që fëmijë, është se duhet të mbarojmë të gjithë ushqimin që kemi në pjatë.
Disa shprehen se luga e fundit është kismeti ynë.
- Disa na vënë në faj se gjynah ushqimi i mbetur duhet të hidhet.
- Disa na vënë në siklet se i ofendojmë nëse nuk e hamë të gjithë.
- Na thonë se 2 të rrahura bëjnë keq jo 2 të ngrëna
- Disa na bëjnë moral se nuk është mirë, e kështu me radhë.
Ndërkohë porcionet janë rritur tmerrësisht.
Zakonisht kur jemi të ftuar, na mbushin pjatën dhe nuk përdoret sistemi i të vënit ushqimin në mes të tryezës dhe të gjithë të marrin çfarë duan dhe sa duan.
Më e rëndësishmja, të respektojmë zgjedhjen e tjetrit. Nëse nuk do të hajë, nuk kemi pse i mbushim mendjen të hajë, ose të prishë regjimin e tij; të pijë alkool edhe pse pi ilaçe apo të pijë edhe pse i jep makinës, të hajë ëmbëlsirë edhe pse ka diabet e shumë situata të tjera që i kemi jetuar të gjithë./Rolina Naco, dietologe


