Një vajzë 3-vjeçare nga Franca ka humbur jetën si pasojë e mbytjes me lodrën e vezëve prej çokollate “Kinder”. Sipas policisë franceze, vajza ka qenë me nënën e saj kur ka ndodhur incidenti.
Nga autopsia që i është bërë, ka rezultuar se vdekja i ka ardhur për shkak të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes. Mendohet se ajo e ka futur në gojë një pjesë të vogël të lodrës brenda në çokollatë, duke i penguar kështu frymëmarrjen.
Sipas mediave franceze, zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe janë përpjekur ta shpëtojnë, por vajza nuk ia ka dalë si pasojë e dëmtimeve në tru nga mungesa e oksigjenit.
Vezët “Kinder” pëlqehen shumë nga fëmijët për shkak të lodrës që ndodhet në brendësi të çokollatës. Në paketimin e çokollatës paralajmërohen prindërit që lodrat në brendësi janë të rrezikshme për fëmijët nën 3 vjeç. Vezët e çokollatës “Kinder” janë të ndaluara në SHBA për shkak të ligjit që ndalon vendosjen e lodrave në brendësi të ushqimeve duke qenë se rrezikohet mbytja.
Burimi: Independent/ Përshtati: Blertina Koka


