Xhani Shqerra: Ruaj ekuilibrin mes pamjes dhe ndjenjës

Xhani Shqerra1

Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta

Ai njihet si model, këngëtar, aktor dhe së fundmi prezantues i një formati të suksesshëm televiziv. Bëhet fjalë për Xhani Shqerrën, djalin që hyri në skenë që në adoleshencë në një shtet fqinj dhe i krijoi vetes mundësinë për t’u shndërruar në një figurë televizive shumë të dashur për publikun.

Në fokus të rubrikës “Vip Shëndet” të gazetës “Shëndet+”, Xhani rrëfen më shumë për jetën e tij jashtë skenës ku jemi mësuar ta shohim, marrëdhënien me mjekun, dentistin, sekretet për të qëndruar në formë, mëngjesin e preferuar, si dhe  mbi përvojat të cilat kanë ndihmuar në formimin e tij dhe e kanë ndihmuar të rritet, jo thjesht në anën artistike, por, mbi të gjitha, atë njerëzore.

Xhani, çfarë është shëndeti për ty?

Deri dje e kam përkufizuar shëndetin si një gjendje e cila mënjanonte praninë e sëmundjeve, por në fakt është më shumë se kaq. Shëndeti është mirëqenie fizike, psikike dhe sociale.

Cila është marrëdhënia me mjekun? A kryen vizita mjekësore rregullisht?

Është një marrëdhënie e moderuar. Vizitat janë periodike, sipas një programi kontrollesh rutinë. Të jetuarit në Itali më ka dhënë mundësinë e një edukate parandaluese. Më lejoni ta përmend Italinë, jo sepse shquhet për ndonjë shëndetësi perfekte në organet përbërëse, por ndryshe nga Shqipëria, atje një vend të rëndësishëm luan shoqëria e cila në stilin e saj të jetesës të mëson që problemet t’i parandalosh e jo thjesht të përballesh me to, siç ndodh në vendin tonë.

xhani 1 (2)Po me dentistin ç’marrëdhënie ke?

Dentisti është një prej këtyre rasteve tipike. Për shkak edhe të angazhimit publik, vëmendja është më e theksuar, duke futur edhe stomatologjinë estetike.

Ndodh të pish ilaçe pa sugjerimin e mjekut?

Me ato medikamente me të cilat kam krijuar konfidencialitet, sigurisht që po.

A mendon se shqiptarët kanë edukatë shëndetësore?

Fatkeqësisht jo. Pikërisht për arsyet që ju përmenda pak më lart. Shëndeti shihet ende si një bimë në një vazo, e lënë aty diku të kryejë proceset e vetme dhe neglizhohet fakti se ajo vazo ka nevojë për dritën e duhur, ujitjen, përkujdesjen etj.

Formën e shkëlqyer fizike ia dedikon genit apo është përkujdesje intensive dhe e vazhdueshme?

Falemnderit për “shkëlqimin”, por jo… Asnjëherë nuk kam qenë në një formë të tillë, as kur bëja modelin në adoleshenë, por kam ruajtur një ekuilibër mes pamjes së jashtme dhe ndjenjës së brendshme. Gjeni është faktor kyç, por metabolizmi mund të edukohet.

Cili është mëngjesi yt rutinë?

I përbërë nga një briosh me marmalatë, lëng i shtrydhur, në shumicën e rasteve portokall dhe një kafe ekspres. Por në fundjavë nuk mund ta fsheh faktin se konsumoj edhe ndonjë kulaç apo bukë me vezë si të gjyshes.

xhani 3A të pëlqen të gatuash? Cila është pjata e preferuar?

Jam një njohës i mirë i antipastave dhe pjatave të para, prodhimeve të brumit tipike italiane, por adhuroj pjatat me bazë mishin. Nuk kam një pjatë të preferuar, pëlqej thuajse të gjitha kuzhinat, nga ajo franceze deri te ajo kineze.

Ke qenë pjesë e një formati kërcimi ku performanca jote binte në sy. Ke ndjekur kurse kërcimi apo është thjesht një pasion yti?

Deri në momentin e pjesëmarrjes në “Dancing”, nuk e kisha parë si një pasion, por thjesht si një pjesë imja e cila më kishte ndihmuar në marrëdhëniet njerëzore. Por falë disiplinave të dancit sportiv dhe ndjekjes së tyre me rigorozitet nga stafi i balerinëve profesionistë, jo vetëm më veshën me përgjegjësi, por zgjuan tek unë këtë njohje me trupin tim. Efektet ishin fantastike. Ndihesh i gjallë dhe zbulon muskuj të cilëve nuk ia kishe ditur as ekzistencën (qesh). Jua këshilloj si përvojë, pavarësisht kamerave, ka palestra e balerinë shumë të mirë të cilët e ofrojnë këtë zbavitje sportive!

Njihesh si ish-model, këngëtar dhe prezantues televiziv. Nëse do të të duhej të zgjidhje njërën, cilën do të preferoje?

Janë të gjitha përvoja të cilat kanë ndihmuar në formimin tim, por edhe kanë rritur imagjinatën dhe angazhimin për një rritje jo vetëm artistike, por mbi të gjitha njerëzore. Besoj se angazhimi si prezantues më jep lirinë për t’iu prezantuar publikut në mënyrën më të mirë të mundshme. duke përfshirë të gjithë botën time.

Së fundmi vihet re edhe tek meshkujt prirja drejt kirurgjisë estetike apo “modifikimeve” në pamjen e jashtme. Ti si mendon?

Jam plotësisht dakord kur ato ndërhyrje kanë karakter korrigjimi, përmirësimi apo domosdoshmërie, por jo të tjetërsimit, duke “fshirë” moshën. Kjo e fundit thjesht iluzionon mirëqenien psiqike dhe shpeshherë rezultati jo vetëm që është jonatyral, por edhe fatal.

xhani 1Çfarë mendon për tendencën e të rinjve për të mbajtur dieta drastike, për të qrnë të palestruar etj. duke i kthyer këto aktivitete në përparësi?

Dietat drastike, nga vetë emërtimi, s’janë asnjëherë të shëndetshme. Unë jam më shumë për kulturën se sa për kulturizmin. Një mendje e kulturuar sigurisht do të ketë një trup të shëndetshëm dhe për shëndet kam parasysh një trup në harmoni linjash, dhe jo super të palestruar. Për një trup të tillë nuk është prioritet palestra, por ajo është shoqëruese në ushtrimim dhe mirëmbajtjen e tij.

Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet+”?

Konsiderojeni veten si një bimë, më të preferuarën tuaj. Mbusheni me dritë, pozitivitet dhe buzëqeshje. Jam i bindur se trupi juaj do t’ju jetë mirënjohës.

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!