Përgatiti për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta
Në ditët e sotme, dhimbja e shtyllës kurrizore është një prej ankesave më të zakonshme që dëgjojnë mjekët. Në fakt, nga dhimbja e shpinës ankohen shumë njerëz të të gjitha moshave dhe gjendjes ekonomike e sociale. Ajo është me të vërtetë një problem i përgjithshëm. Dhimbja, konstatohet në përgjithësi pas një sforcimi fizik të dhunshëm, një lëvizje rrotullimi ose përkulje të theksuar të trungut. Por mund të ndodhë edhe kur drejton shtyllën kurrizore, ose ngre pesha të rënda. Menjëherë i sëmuri bllokohet dhe dhimbja mund të acarohet nga lëvizja më e vogël.
Mjekët dhe shkencëtarët nuk janë ende të sigurt për të gjitha shkaqet e dëmtimeve të shpinës. Në fakt, pjesa më e madhe e problemeve mund të jenë rezultat i kombinimit të disa faktorëve. Faktorë si trashëgimia familjare janë të pashmangshme. Faktorë të tjerë si pesha, përshtatja dhe fleksibiliteti mund të kontrollohen duke ndryshuar stilin e jetës
Megjithatë, ekzistojnë mënyra natyrale për të reduktuar dhimbjet e shpinës të cilat kanë rezultuar tepër efikase.
Reduktoni stresin:Të qenit të stresuar shkakton tendosje të muskujve tuaj dhe kjo gjë mund t’ju bëjë më të prirur për dëmtimet e shpinës. Sa më shumë stres ndjeni, aq më pak e toleroni dhembjen. Përpiquni të zvogëloni burimet tuaja të stresit, si në punë ashtu edhe në shtëpi. Në këtë rast sugjerohen ushtrimet e frymëmarrjes të thellë.
Çaj me gjethe Urthi (Hedera Heliks): Për të përmirësuar dhimbjet e shpinës, duhet të merrni 20 gjethe të njoma të Urthit. I zieni në 4 gota ujë për 20 minuta. Pasi kullohet, pini një filxhan çaji në mëngjes esëll dhe 1 filxhan çaji para gjumit të ëmbëlsuar me pak mjaltë. Kura duhet të vazhdojë 1 muaj.
Dëgjoni trupin tuaj: Nëse ju duhet të qëndroni ulur ose në këmbë për një kohë të gjatë, ndërrojeni pozicionin në mënyrë të vazhdueshme. Në çdo 15 minuta merrni 30 sekonda pushim për t’u shtendosur, lëvizur ose për t’u qetësuar. Nëse ju dhemb shpina, shmangni aktivitetet që e rëndojnë gjendjen e saj.
Qëndrimi ulur: Zgjidhni një karrige ku të mbështesni shpinën tuaj. Rregullojeni karrigen në mënyrë që këmbët të qëndrojnë rrafsh me dyshemenë. Nëse karrigia nuk e mbështet fundshpinën tuaj, vendosni një jastëk të vogël pas saj. Mënjanoni objekte të rënda, si kuletën, në xhepin tuaj të pasmë kur jeni ulur, sepse prishin ekuilibrin e fundshpinës.
Burimi: healthyfood/shëndeti.com.al


