Mjeku infeksionist Tritan Kalo ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve të impetigos, një infeksion bakterial ngjitës i lëkurës që prek kryesisht fëmijët, por që mund të shfaqet në çdo moshë.
Në një postim në Facebook, ai thotë se ditët e fundit ka marrë dhjetëra mesazhe nga bashkëkombës në Europë dhe Amerikë, të shqetësuar për shfaqjen e këtij infeksioni gjatë sezonit veror, kur pushimet në plazh, liqene apo ambiente kolektive rrisin rrezikun e përhapjes së tij.
Kalo u bën thirrje prindërve dhe profesionistëve të shëndetësisë të tregojnë kujdes, duke theksuar rëndësinë e higjienës, diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit të duhur për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Postimi:
U bënë disa ditë që mar plot mesazhe nga bashkëkombas nga të dy kontinentet, Europë dhe Amerikë, për një problematikë jo të nënvlerësueshme për këtë stinë të vitit, të shoqëruar me temperatura të larta kur pushimet në breg të deteve, liqeneve apo lumenjve dhe kontaktet më të shumta me vërsnikë të fëmijve të tyre dhe jo vetëm, e rrit riskun e shfaqjeve të këtij infeksioni të lëkurës dhe të adnekseve të saj sikundër është IMPETIGO infectiosa….
KOMUNIKIMI dhe INFORMIMI janë mjete të bashkëbisedimit me publikun, të cilat kanë njëkohësisht edhe një rol jo të vogël parandalues….
Për mua ato janë një detyrim misionaro-profesional, pavarësisht daljes në pension apo largësisë me mijra kilometra nga Atë-Dheu, sepse “Once doctor, forever a doctor”….
“Mother Theresa”, Dr. Tritan Kalo ish mjek i në Shërbimin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, e mban krenarisht këtë pseudonim të vënë nga mijra e mijra pacientë të ndjekur prej tij përgjatë 42 viteve të Mantelbardhësisë….
RIFRESKIM i disa njohurive në lidhje me një nga infeksionet më të shpeshta të lëkurës të observuar në këtë kohë pushimesh verore, por edhe në muajt e vitit shkollor e përgjatë tërë vitit, ndoshta i ndihmon prindërit e tjerë përpos atyre të cilët po vijojnë të më shkruajnë nga pushimet ku ndodhen, mësimdhënësit në arsimin parashkollor dhe jo vetëm, por ndoshta jep edhe një ndihmesë për profesionistët e vëmendshëm në fushën e ofrimit të përkujdesit mjeksor….
“IMPETIGO bacteriosa” është një infeksion i shpeshtë i vërejtur kryesisht në moshat fëminore, por një infeksion i tillë mundet të ndeshet në çdo moshë….
Rëndësi të madhe ka fakti se, Impetigo bacteriosa mundet që të ndeshet në çdo stinë të vitit, pamvarësisht numurit më të lartë të rasteve në stinën e verës e në mjedise të pushimeve kolektive….
Dy janë karakteristikat më thelbësore të Impetigo contagiosa, të cilat nuk duhen nënvlerësuar asnjëherë:
1- AUTOINFEKTIMI, pra përhapja e infeksionit nga vetë i sëmuri duke i prekur ose duke i krojtur lezionet kutane, dhe
2- INFEKTIMI/PËRHAPJA në fëmijët ose pjestarët e tjerë të familjes ose të rrethit shoqëror, në fëmijët e tjerë në çerdhe, në kopështe, në shkolla apo në mjediset e pushimeve kolektive….
HIGJENA personale, shpjegimi i kësaj veçantije të sëmundjes si dhe larja e veçuar e teshave të të sëmurëve, ndikon shumë në paksimin e të dyja dukurive të përshkruara më lart…..
Të prekurit nga ky infeksion duhet të evitojë qëndrimet e gjata jashtë si në diell po ashtu edhe në kohë me shi, kur ka puhiza ose erëra shqetsuese apo temperatura të ulta, por dhe banjot në pishina, në liqene apo në detra….
Streptokokët më shpesh, si dhe më pak Stafilokokët janë dy mikroorganizmat shkaktarë më të shpeshtë të saj…..
Rrallëherë ndodh që të dy mikroorganizmat të kontribuojnë së bashku, në shkaktimin e sëmundjes çka duhet patur parasysh në mjekimin e rasteve….
Impetigo nuk ka origjinë herpetike (Herpes simplex virus), por ajo mundet ti mbivendoset lezioneve herpetike më shpesh stafilokoku ose edhe të dy së bashku, stafilokoku dhe streptokoku…
KUJDES duhet treguar në diagnostikimin e drejtë si dhe sa më të shpejtë të Impetigos….
Në MJEKIMIN medikamentoz të Impetigo bacteriosa, është e mira të kombinohet:
1- mjekimi topik/lokal me dezinfektantë të lëkurës dhe pomadra të ndryshme antibakteriale (Neobac, Bakoderm, Polisporin, Tetracyclin, etj.), që është një mjekim mëse i mjaftueshëm në shumicën e rasteve, me
2- një cikël pesë – shtatë ditor me Antibakterialë/Antibiotikë oralë, POR vetëm në forma të avancuara ose të transkuruara (psh: Cefuroxim, Amoksiclav, etj.), si dhe
3- Antihistaminikë për të lehtësuar ose shmangur pruritin/kruajtjen sidomos gjatë natës (Citerizin, Lordes, Dristan, etj.),
Një qëndrim i tillë do të ndikojë në shërimin e shpejtë dhe të plotë të rasteve, por njëkohësisht do të ulë edhe mundësinë e përhapjes së Impetigo contagiosa.

